E Shtunë, 31 Tetor 2026

N’ Beograd për informata

Disa nga kryetarët e komunave me shumicë serbe nuk kanë marrë informata në Prishtinë për dialogun Kosovë-Serbi, por kanë shkuar në Beograd. Atje, ata kanë takuar Kryeparlamentaren serbe, derisa Borko Stefanovic nuk i ka pranuar. Edita Tahiri thotë të ketë qenë në dijeni të kësaj vizite Nga Nebih Maxhuni më 24 qershor 2011 në ora 08:12

Njohje e institucioneve lokale të dala nga zgjedhjet e organizuara nga Prishtina apo tentim që të futen nën çadrën e Serbisë!

Kryetarët e komunave me shumicë serbe të Kosovës, por që kanë dalë nga zgjedhjet e organizuara nga Prishtina, kanë vizituar Beogradin.

Atje ata kanë takuar kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukic-Dejanovic.
Para se të udhëtojnë drejt Serbisë, në këtë takim të pazakontë deri më tash, ata e kanë njoftuar Edita Tahirin, zëvendëskryeministren e Kosovës dhe shefe e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë.

Versioni zyrtar është se ata kanë shkuar në Beograd për t’u njohur me ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, edhe pse Prishtina është vetëm disa kilometra larg tyre.
Udhëtimi i tyre ka ndodhur para tre ditësh, saktësisht më 21 qershor, dhe për këtë i kanë njoftuar edhe Edita Tahirin, ndonëse nuk dihet nëse ajo është pajtuar ose jo me këtë vizitë të tyre.

Kështu të martën, kryetarja e Kuvendit të Serbisë ka takuar kryetarët e Shtërpcës, Kllokotit dhe Novobërdës.

Madje, këtë takim e konfirmon për Express edhe Sasha Mirkovic, kryetar i komunës së Kllokotit, kundër të cilit disa qytetarë të tij kanë nisur një peticion për të kërkuar shkarkimin e tij për arsye të ndryshme.

Sipas tij, ata nuk kanë udhëtuar drejt Beogradit fshehurazi dhe se për këtë çështje e kanë informuar paraprakisht edhe kryenegociatoren Tahiri.

“Po, Edita Tahiri ka qenë në dijeni për këtë, sepse nuk jemi shkuar fshehtas apo pa organizim atje”, thotë Mirkovic për Express.

Ai tregon se në kryeqytetin serb kanë shkuar në kuadër të vizitave që kanë pasur më parë në Bruksel, Prishtinë dhe tash në Beograd.

“Temat e takimeve kanë qenë të informohemi, të diskutojmë për shumë gjëra siç është në lidhje me ecuritë e dialogut Kosovë - Serbi, për decentralizimin, si funksionojnë komunat në Kosovë, për problemet me të cilat ballafaqohen e gjëra të tilla”, thotë Sasha Mirkovic, i bindur se nuk kanë bërë asgjë të keqe.

Sipas tij, takimet në Bruksel e Beograd kanë qenë të aranzhuara nga një organizatë joqeveritare e quajtur “Fraktall”.

(Shkrimin, të plotë, mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›