E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Berisha: Tani BE

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur mbrëmjen e shkuara para mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, deklaroi ndër të tjerash, se pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria tashmë do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke plotësuar standardet e kërkuara.

Sipas kryeministrit, Shqipëria tashmë do të ecë e sigurt në drejtim të Bashkimit Evropian, deri në integrimin e plotë të saj. “Le t’i garantojmë ata se me reformat e mëdha dhe të gjithanshme, ne shqiptarët do t’i përgjigjemi me besnikëri të madhe të gjitha kërkesave të Aleancës, do marrim pjesë në të gjithë misionet e saj civile dhe ushtarake, të çdo lloj. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit me qëllimin për të zhvilluar zgjedhje të lira të ndershme. Ne do të shkojmë të sigurt drejt projektit të dytë të madh historik kombëtar; integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë”-theksoi Berisha.

Berisha tha më tej, se Shqipëria do të plotësojë të gjitha kërkesat e parashkruara nga NATO. “4 prilli është dita me e rëndësishme për Shqipërinë qe prej shpalljes se pavarësisë. Ne samitin e Strasburgut, Shqipëria ishte mes te barabartëve dhe përkrah me te fuqishmeve te Aleancës. Ne jetuam ditën e krenarisë kombëtare”-u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›