NATO: Largohet Sekretari i Përgjithshëm Jap de Hup Shefer

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, u largua sot zyrtarisht nga detyra pas 5 vjet e gjysëm në krye të aleancës. Pasardhësi i tij, ish kryeministri danez, Anders Fogh Rasmussen, fillon zyrtarisht detyrën të hënën.
Udhëheqësit e NATO-s e zgjodhën ish kryeministrin danez për postin e Sekretarit të Përgjithshëm gjatë takimit të tyre të nivelit të lartë në muajin prill. Zoti de Hoop Scheffer nuk bëri ndonjë koment gjatë një ceremonie të shkurtër, që u zhvillua sot në selinë e aleancës në Bruksel. Por në të kaluarën, ai ka paralajmëruar vazhdimisht se lufta në Afganistan përbën një provë vendimtare të fuqisë dhe efektshmërisë së aleancës 60 vjeçare.
Anders Fogh Rasmussen
Ish shefi i NATO-s ka thënë se pasardhësi i tij, ish kryeministri danez, Rasmussen, trashëgon një aleancë që duhet të bëjë ndryshime për t'iu përshtatur sfidave të shekullit 21.
Afghanistani: 60 mijë trupa nga 15 vende. Është ndoshta sfida më e madhe e NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer thotë se aleanca duhet të qëndrojë aty dhe të luftojë.
"Në se do të tërhiqeshim, Afganistani do të binte në duart e Talibanëve dhe do të kishte pasoja shkatërrimtare për popullin atje, veçanërisht për gratë. Pakistani do të vuante pasojat, që do të kishin ndikim tek siguria ndërkombëtare”.
Kritikët thonë se operacionet e NATO-s në Afganistan kanë nxjerrë në dritë të metat e aleancës, si mungesa e vullnetit të duhur politik mes vendeve anëtare, koordimi i varfër logjistik, dhe mungesa e një strukture komande kompakte. Vështirësitë e NATO-s në Afganistan nuk janë vetëm ushtarake, por edhe diplomatike e praktike.
I shkatërruar nga luftrat prej dekadash, ky vend duhet rindërtuar.
"Suksesi i vërtetë në Afganistan kërkon rindërtimin civil, që nuk e garanton NATO-ja, por që duhet ta sigurojnë të tjerët. Në se këta aktorë të tjerë nuk angazhohen, as NATO-ja nuk mund të ketë sukses. Me pak fjalë, suksesi i NATO-varet gjithnjë e më shumë nga faktorë, që nuk janë nën kontrollin e aleancës”.
Zoti de Hoop Scheffer po ia kalon postin e shefit të NATO-s ish kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmussen.
"Mezi pres të vazhdoj punën e mirë, që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm në transformimin e NATO-s për të menaxhuar sfidat e reja të shekullit të 21-të”.
Këto sfida të reja do të thonë që aleanca duhet të ripërcaktojë misionin e saj, thotë analisti i NATO-s, Alastair Cameron, i Unstitutit studimor për shërbimet e bashkuara mbretërore në Londër.
"Mendoj se aleanca duhet të ndërmarë role të reja në fusha ku në të kaluarën nuk ka pasur përgjegjësi si siguria energjetike dhe mbrojtja në fushën e eletronikës”.
Gjithashtu ekziston çështja e zgjerimit të aleancës. NATO-ja ka 28 vende anëtare. Gjeorgjia dhe Ukraina duan të anëtarësohen, madje të paktën Gjeorgjia ka mbështetjen e Amerikës.
"Ne i kuptojmë dhe i mbështesim plotësisht aspiratat e Gjeorgjisë për t'u anëtarësuar në NATO. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'u ndihmojë juve të plotësoni standartet e anëtarësimit në aleancë”.
Ky qëndrim i Amerikës ka acaruar marrëdhëniet e NATO-s me Russia, një sfidë tjetër kjo që zoti Rasmussen duhet të zgjidhë kur të marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Një prej problemeve të para që ai pritet të zgjidhë është ndërtimi i konceptit strategjik të NATO-s, qëllimi i saj kryesor. Disa vende besojnë se Artikulli i Pestë, vetëmbrojtja kolektive e NATO-s, duhet të vazhdojë të jetë fokusi qëndror i aleancës, por jo të gjitha vendet anëtare mendojnë kështu.
"Që NATO-ja të ruajë efektshmërinë e saj, ajo duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet brënda rradhëve të saj. Vetë evropianët kanë perspektiva të ndryshme lidhur me misionin e NATO-s në Afganistan”.
Nuk ka dyshim se sfida më e dukshme e aleancës është Afganistani. Rezultati i konfliktit në atë vend do të ndihmojë në formimin e së ardhmes së NATO-s dhe mënyrën se si aleanca më e vjetër e botës ka në plan të zhvillohet në shekullin 21. //ii