Kristiano Ronaldo shijon golin e parë me fanellën e Realit
Kristiano Ronaldo shënoi golin e tij të parë me fanellën e Realit të Madridit, në fitoren 4-2 të gjigantëve spanjoll ndaj Liga de Quito, në takimin e vlefshëm për “Kupën e Paqes”. Në fakt, kjo ishte ndeshja e tij e tretë me rekordmenët iberikë, qysh kur portugezi u transferua në shumën rekord prej 94 milionë eurosh nga Mançester Junaitid. Ronaldo shënoi nga pika e bardhë në minutën e 48-ta, pasi kishte fituar po vetë 11-metërshin pas pengimit në zonë nga mbrojtësi Norberto Araujo.
ARBEOLA
Liverpuli ra dakord për të shitur mbrojtësin e fuqishëm spanjoll Alvaro Arbeola te Reali i Madridit, pasi pranoi ofertën financiare prej 6.5 milionë dollarësh. Klubi anglez i Premier Ligës në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të klubit pohoi: “Ne ramë dakord me kërkesën financiare të Realit të Madridit për transferimin e lojtarit”. Pas kalimit me sukses të vizitave mjekësore, Arbeola u bashkohet lojtarëve të tjerë të blerë nga nënkampionët e Spanjës, si Kristiano Ronaldo, Kaka, Karim Benzema dhe Raul Albiol. Reali shpreson të firmosë edhe me një lojtar tjetër spanjoll të Liverpulit, mesfushorin Ksabi Alonso, vlera e të cilit shkon në 30 milionë sterlina. Sulmuesi i Liverpulit, Fernando Torres tha se do të ishte mirë që trajneri Rafa Benitez të mos e lejonte largimin e tij. Torres tha për “Sun”: “Do të ishte një punë e keqe nëse Ksabi do të largohej, do të ishte një humbje serioze për Liverpulin nëse do të ndodhte kjo”.
LIGA E EUROPËS
Spaleti paralajmëron Romën: “Kujdes nga Genti”
Roma do të luajë sot ndeshjen e parë në Ligën e Europës dhe trajneri i verdhekuqve italianë bëri thirrje për përqendrim dhe impenjim nga të besuarit e tij. “Kërkoj përqendrim maksimal nga e gjithë skuadra për takimin e parë para-eliminatorë të Kupës së Evropës kundër Gentit”. Kështu është shprehur tekniku i Romës, Spaleti, lidhur me ndeshjen sotme që verdhekuqtë do luajnë kundër belgëve të Gentit. Kreu i bankinës i paralajmëron të tijtë që të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin: “Askush të mos e konsiderojë Gentin si një skuadër inferiore. Unë i kam parë mirë videot e tyre, nuk janë absolutisht një skuadër e dorës së dytë. Prandaj duhet të bëjmë tepër kujdes”. Më pas tekniku shton: “Gjatë kësaj jave jemi përgatitur mjaft mirë. Futbollistët që kam në dispozicion dalëngadalë po arrijnë formën e tyre optimale. Kështu, De Rosi do luajë titullar kundër Gentit, ndërsa Vuçiniç jo”.
Ndizet konflikti në shtëpinë e Milanit
Berluskoni debatoi në distancë me trajnerin e ri kuqezi, Leonardon
Avokati Kantamesa mohon zërat për moskuptim të drejtuesve të lartë
Kritikat indirekte të Silvio Berluskonit në drejtim të trajnerit të ri të Milanit, brazilianit Leonardo, pas humbjes në miqësoren me rivalët e përjetshëm të qytetit, Interin, e kanë tensionuar jo pak situatën në kampin kuqezi. Për të qetësuar ambientin ka ndërhyrë, Leandro Kantamesa, anëtar i këshillit administrativ dhe avokat i Milanit, ka mohuar të ekzistojnë probleme mirëkuptimi ndërmjet Berluskonit dhe trajnerit Leonardo. “Nuk shikoj asnjë mosmarrëveshje ndërmjet Leos dhe Berluskonit. Unë jam dakord me mendimin e presidentit, i cili kërkon që ta përforcojë Milanin me futbollistë të rinj. Luis Fabiano? Nuk do vijë tek Milani. Pirlo? Nuk ekziston asnjë ofertë nga ana e Çelsit për Andrean”, është shprehur avokati kuqezi. Leonardo, pasi ka dëgjuar deklaratat e Berluskonit, i cili kërkon që në skuadrën e Milanit të ketë sa më shumë futbollist të rinj, i kundërpërgjigjet në këtë mënyrë presidentit kuqezi: “Këtij Milani i mungojnë disa elemente. Ta përforcosh skuadrën me futbollistë të rinj mund të jetë efikase për të ardhmen, por jo për të tashmen. Jam i mendimit që Milani nuk duhet përforcuar vetëm me lojtarë të rinj e pa eksperiencë. Pas largimit të Ançelotit, kjo skuadër ka ndryshuar mentalitet. Realisht kemi një grup të mirë, por që ka nevojë të domosdoshme për përforcime. Futbollistët me eksperiencë janë të duhurit për të fituar trofe që sivjet”.
Parma, dy “gëzime në një ditë”,
blen Bozhinovin dhe Panuçin
Parma po tregohet shumë aktive ditët e fundit në merkaton. Sulmuesi bullgar, Valeri Bozhinov, është zyrtarisht një futbollist i Parmës. Lajmin e këtij transferimi e konfirmon edhe vetë klubi britanik i Mançester Sitit. Ndërsa presidenti i Parmës, Tomaso Girardi, shpjegon detajet e këtij transferimi: “Bozhinov është një sulmues i fuqishëm, ndaj personalisht jam i kënaqur me përforcimet që po bëjmë. Kampionë si Bozhinovi ia vlen t’i paguash, ndonëse theksoj këtu se sulmuesi bullgar ka ardhur tek ne në formë huazimi. Megjithatë, nëse tek Parma do japë atë që ne shpresojmë, do ta blejmë përfundimisht kartonin e tij”. Më tej presidenti i klubit ka konfirmuar dhe transferimin e mbrojtësit të Romës, Kristian Panuçi, tek Parma: “Panuçi është dhurata ime për tifozët. E doja me çdo kusht një mbrojtës të tillë në skuadër. Tani jam i lumtur”.
NAPOLI-HOFER
Ervin Hofer, sulmuesi austriak është më në fund një sulmues i Napolit. Gjatë prezantimit të tij me fanellën bardhekaltër në dorë, sulmuesi austriak është shprehur i gatshëm të nisë aventurën e tij në Itali: “Jam i lumtur për këtë transferim tek Napoli. Kisha kohë që e prisja këtë moment. Ju siguroj se nuk do ju zhgënjej. Unë jam një futbollist i shpejtë, e me Lavecin dhe Hamshikun do e çojmë Napolin akoma më lart”, - tha Hofer.
30 Korrik 2009