E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët e Bolonjës, banderolë në shqip. Taçi: “Janë të mëdhenj e të çmendur”



“Rezart, na bëj të kënaqemi”. Rezart Taçi e di se tifozët e Bolonjës kanë shpalosur pikërisht këtë banderolë falënderimi ndaj tij, për më tepër në gjuhën shqipe në stadiumin e Sistolas, atje ku dhe Bolonja po kryen fazën përgatitore. Presidenti i ri i Bolonjës qesh në mënyrë të natyrshme: “Në Bolonja të gjithë janë të çmendur”. “Por, bosi shqiptar nuk e fsheh gëzimin që ka brenda, për pritjen e ngrohtë që po i dhurojnë njerëzit e Bolonjës”, - shkruan një nga gazetat më të mëdha sportive italiane “Corriere dello Sport”. “E ndjenja që Bolonja më ka parë mirë, pastaj ajo banderolë ishte e bukur, simpatike, e mrekullueshme”.

PRESIDENTI TAÇI
“Naftëtari” shqiptar shton për gazetën italiane: “Mendoj se tashmë e kanë kuptuar si jam unë, nuk jam nga ata që bëjnë premtime, më ka pëlqyer gjithmonë të flas me fakte dhe do të flas me fakte edhe në Bolonja, por një gjë është e sigurt: nuk do t’i zhgënjej tifozët”. Presidenti i parë shqiptar i një klubi italian të Serisë A ditët e fundit ka folur gjatë me një personazh të njohur të botës apenine të futbollit si Xhuzepe De Mita, djali një prej figurave të njohura politike të Italisë. “Është një miku im prej një kohe të gjatë, do të ketë gjithmonë një vend për të në Bolonjën time”. De Mita pritet të jetë drejtori i ri sportiv. Taçi ishte dje në Bolonja, ku u takua edhe me trajnerin Papadopulo, dhe do të rikthehet sërish të premten në Tiranë, përpara se të prezantohet zyrtarisht të hënën e ardhshme, më 3 gusht në Itali si president i klubit. “Mezi po pres orën të filloj, të nisem e të përqafoj Bolonjën dhe njerëzit e saj”, - shton Taçi, që po i jep dorën e fundit letrave legale të blerjes 80 për qind të aksioneve të klubit italian.

KAPITENI DI VAIO
Kapiteni i Bolonjës, Marko Di Vaio, ka dhënë mendimin e tij për Bolonjën e “erës Taçi”. “Një skuadër si e jona fiton vetëm me grup”, - thotë lojtari që vitin e kaluar me golat e tij kontribuoi për mbijetesën e skuadrës në Serinë A. “Taçi ka lënë të kuptohet se do të investojë 20-25 milionë euro në merkato? Shumë mirë”, - thotë Di Vaio. Trajneri i Bolonjës ka kërkuar 4-5 lojtarë të rinj. “Është normale, që paratë nuk mund të investohen vetëm te një lojtar i vetëm, pasi pa një skuadër dhe pa një grup lojtarësh nuk mund të shkosh shumë larg. Kurrë një njeri i vetëm nuk ta ndryshon jetën”, - shton kapiteni. Di Vaio flet edhe për mbërritjen e Taçit si president i Bolonjës. “Kemi besim, por tani është më mirë të presim, të kalojmë nga fjalët te faktet, së pari të ndjejmë, së pari se Bolonja është e gatshme të jetojë një sezon të ndryshëm nga ai i kaluari, dhe së dyti, për t’i dhënë edhe pak më shumë dritë së nesërmes. Na duhen lojtarë që kanë shpirtin e duhur dhe dëshirën për të luajtur te Bolonja, nuk vlejnë emrat por faktet, pasi vetëm kështu mund të ngremë cilësinë dhe të bëjmë një kampionat të qetë”. Një nga objektivat e Bolonjës është argjentinasi i njohur i Interit, Hulio Kruz.

Box
24 milionë
Për të blerë 80 për qind të aksioneve të Bolonjës, Rezart Taçi, derdhi “kesh”, jo pak, por 24 milionë euro.

19 milionë
Pronari i ri i klubit italian vuri si garanci 19 milionë euro në Lega Calcio për marrjen pjesë të Bolonjë në Serinë A.

25 milionë
euro pritet të investojë Taçi në merkato verore, teksa trajneri Papadopulo kërkon të paktën 4-5 lojtarë të rinj.

Box
Mungesa e eksperiencës

“Është e vërtetë që nuk kemi shumë eksperiencë, - pranon Taçi, - por do të jemi të rrethuar nga njerëz që e njohin mirë këtë sektor dhe që do t’i angazhoj për të konsoliduar skuadrën”.

Bisedime të vështira

“Ishin bisedime të vështira, pasi Menarinët (familja që kishte dhe kontrollin absolut) ishin shumë të lidhur me skuadrën dhe futbollin”, - citohet Taçi nga “Corriere Adriatico”

Rikthimi si president

Italinë Taçi e pa në vitet nëntëdhjetë kur ishte student në politeknikun e Torinos. Tani rikthehet sërish, por si padroni i ri i klubit të Bolonjës.

Vitrinë për biznes

“Futbolli është shumë i dukshëm dhe mund të jetë pedana e duhur për t’u përfshirë në sektorin energjetik italian”, - ka thënë Taçi për mediat italiane

Bolonja, klub 100-vjeçar

Rezart Taçi, bosi i kompanisë shqiptare të karburanteve “Taçi Oil International”, është pronari i ri i klubit italian të Serisë A, Bolonjës (zotëron zyrtarisht 80 për qind të aksioneve), pikërisht në përvjetorin e 100-të të klubit. Bolonja është themeluar në vitin 1909. Rezart Taçi është presidenti i parë shqiptar i një klubi italian të Serisë A, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Rezarti mban edhe dy “rekorde” të tjera origjinale sportive: së pari, ka mundur të sjellë dy herë Milanin në Shqipëri, madje brenda 8 muajve, e së dyti, ka organizuar dy herë në Shqipëri kampingun sportive “Milan Junior Camp”. Taçi është shprehur për mediat italiane me pak fjalë kuptimplote: “Dëshiroj t’i bëj të lumtur bolonjezët”.

Nis me Bolonja-Fiorentina

Bolonja e Taçit do ta nisë kampionatin italian të Serisë A me një ndeshjen në shtëpi kundër Fiorentinës. Sezoni nis, më 23 gusht. Në javën e dytë, që përkon edhe me ndeshjen e parë jashtë do të përballet me Barin. Përballja kundër Kievos se Erjon Bogdanit është në javën e tretë.

Cana, sot bashkohet me “macet e zeza”

Mesfushori shqiptar Lorik Cana dhe sulmuesi Frajzer Kempbëll, dy nga blerjet e reja të trajnerit të Sanderlendit, Stiv Brus, do të bashkohen sot për herë të parë me pjesën tjetër të ekipit, ku dhe do të prezantohen zyrtarisht. Lajmi u publikua në faqen zyrtare të klubit anglez. Sulmuesi Frejzër i ardhur nga Mançester Junaitid u ble në shumën e 3.5 milionë sterlinave (4.2 milionë euro), ndërsa Cana i blerë nga Marseja, në shumën 5 milionë sterlinave (6 milionë euro). Ndeshja e parë e Lorik Canës me Sandërlendin është miqësorja kundër Sëlltikut, më 1 gusht.

Shërohet Hyka, “qesh” Mainci

Jahmir Hyka u rikthye në stërvitje me Mainc 05 pas dëmtimit të lehtë muskulor. Njoftimi u dha nga mediat gjerman, që e konsideron një si lajm të mirë midis të të këqijave të shumta që po përjeton klubi gjerman i porsangjitur në Bundesligën 1, pasi Mainc 05 ka 14 lojtarë të dëmtuar dhe të sëmurë.

Zhupa kërkon gardianin Zendeli

Pas humbjes 2-1 në miqësoren kundër Dajtit, trajneri i Partizanit, Eduard Zhupa, e konsideron të domosdoshme pasjen e një portieri me përvojë në gjirin e skuadrës. 21-vjeçari Edvan Bakaj, mesa duket nuk ka bindur me paraqitjen e tij, dhe tekniku i të kuqve kërkon shqiptaro-maqedonasin Zendeli.

Shumakeri në vend të Masës në Valencia

E bujshme. Mikalel Shumaker do të zëvendësojë Felipe Masën e dëmtuar në makinën e Ferrarit në Çmimin e Madh të Europës, garë që do të zhvillohet më 23 gusht në Valencia. Lajmi u dha nag skuderia italiane. Shumakeri garoi për herë të fundit në Formula 1, më 22 tetor 2006 dhe tani 40-vjeçari gjerman punon si këshilltar pranë skuderisë Ferrari. Shumakeri është 7-herë kampion i botës. Lajmi më i fundit ka të bëjë me tërheqjen e skuderisë gjermane “BM˔ nga Formula 1.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›