Panairi i Ulqinit promovon veprën e akademikut Ali Aliu
Akademiku Ali Aliu, një figurë emblematike në letrat shqipe, simbol i bashkëveprimit në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, nuk kishte si t’i mungonte ditëve të panairit të librit “Ulqin 2009”, një panairi i cili e ka kthyer qytetin buzë Adriatikut në një qytet të librit. I ftuar special i këtij aktivitetit tradicional, që zhvillohet prej nëntë vitesh në qytetin ilir, buzë Adriatikut, kjo figurë e njohur, njëherazi akademik si në Tetovë, ashtu dhe në Prishtinë, e sheh letërsinë shqipe si një letërsi unike. Njohës i mirë dhe lëvrues i kritikës shqiptare, në një kohë kur ajo mungon në tërësi, eseist dhe përkthyes, Ali Aliu u cilësua në takimin promovues të veprës së tij, si një nga njerëzit më të spikatur që di të thotë fjalën e tij mbi letrat shqipe, si për një brez që ka shkruar para viteve ’90, në kushtet e një autoçensure, ashtu dhe të një brezi të ri në letërsi, që ende nuk është ravijëzuar si i tillë. Botuesi i Shtëpisë “Toena” dhe një nga organizatorët kryesore të këtij panairi, Fatmir Toçi, u shpreh për ATSh-në se “vepra e Ali Aliut dhe recensionet e tij në letërsi, janë një zë i ndjeshëm dhe që duhet dëgjuar, sepse ai e ka njohur dhe di ta njohë letërsinë shqipe, në të dy kahet e saj, si në atë të traditës, ashtu dhe në atë bashkëkohore”. Autor i të paktën 25 vëllimeve, në të cilat spikasin artikuj kritikë, recensione, ese, ai është njëherazi dhe autor i disa antologjive letrare dhe autor i shumë teksteve shkollore. Në katër vëllime, botuar nga Shtëpia “Serembe” në Shkup, është grumbulluar gjithë vepra studimore e akademikut Ali Aliu, gjë që nuk është e pakët, po të kihet parasysh se kemi të bëjmë me një vepër studimore të mirëfilltë mbi letërsinë. Një kontribut të vyer në promovimin e veprës së profesor Ali Aliut ka luajtur dhe Shtëpia Botuese “Toena”, që ka dhe ekskluzivitetin e botimit të veprave të tij. “Por, edhe shkrimtari i njohur Kim Mehmeti, një njeri i letrave që shkruan në shqip dhe maqedonisht, i ka kushtuar atij librin ‘Kështu ecën njeriu’”, kujtoi botuesi Toçi në takimin ku ishin të pranishëm përfaqësues të shtëpive botuese pjesëmarrëse në panairin “Ulqin 2009”, përfaqësues të medias shqiptare dhe malazeze, etj. Botuesi Toçi theksoi se në 1000 tituj të rinj që botohen në të gjithë botën shqiptare, vlera e profesor Aliut është se ai di të selektojë dhe të japë fjalën e tij për këto vlera. I botuar në Maqedoni dhe Bullgari, Ali Aliu është gjithashtu, autor i mbi 1 mijë redaktimeve dhe është cilësuar nga shumëkush si një gur prove për vlerat që sjell apo që do të sjellë letërsia shqipe. Piro Misha, studiues dhe përkthyes i njohur, e konsideroi Ali Aliun si një nga figurat më të cilësishme në letërsinë shqipe dhe si një udhërrëfyes dhe zbulues i vlerave të kësaj letërsie. “Është një figurë që dhe në kohë më të vështira, me praninë e shkrimeve të tij, duket sikur u jep shpresë dhe më shumë vëmendje letrave shqipe, jo vetëm në prozën e shkruar, por edhe në poezinë shqipe”, vlerësoi Misha. Prof. Aliu Aliu, duke vlerësuar përvojën e panairit të librit në Ulqin, e cilësoi këtë aktivitet një ogur të mirë. “Përkrahja që i bëhet librit, tha ai, është një sinjal i mirë që ofron dhe bashkërendon vlerat në trojet shqiptare”. Duke kaluar në retrospektivë para viteve ’90, kur në Shqipëri letërsia kosovare konsiderohej si letërsi e huaj në rubrikat e revistave të ndryshme, ai tha se “sot kufijtë janë shprishur”. Akademiku Aliu vlerësoi me këtë rast dhe botuesin Fatmir Toçi, të cilin e cilësoi një botues të përmasave evropiane dhe që është superior në hapësirën ballkanike. “Toena”, cilësoi ai, ka mundur të afrojë krijuesit e hapësirës mbarëshqiptare, të cilët edhe pse me koncepte të ndryshme, përmes urtisë së këtij botuesi, kanë bashkërenduar punën në krijimin e një letërsie bashkëshqipe. Prof. Ali Aliu nuk harroi të përmendte këtu kontributin e kryetarit të komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, i cili për nëntë vite me radhë, në çdo fund korriku, e kthen Ulqinin për disa ditë në kryeqytet të kulturës shqiptare. Është viti i nëntë që organizohet ky aktivitet i librit, i cili, që kur u iniciua nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me mbështetjen e komunës së Ulqinit dhe qeverisë së Malit të Zi , duket se fshiu njëherazi dhe barrierat kulturore që kishin ekzistuar më parë mes dy vendeve fqinje. Panairi “Ulqin 2009” u çel në 27 korrik, në prani të Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi dhe homologut të tij malazez, Filip Vujanoviç. Të paktën 60 botues kanë ekspozuar botimet e tyre në stendat e këtij panari, që do të qëndrojë i hapur deri në 2 gusht, përgjatë plazhit të vogël në breg të Adriatikut. Botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por edhe nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike, janë pjesëmarrës në këtë edicion, duke treguar dhe një herë se Panairi i Librit Shqip në Ulqin është një ndër panairet që ka ndikuar më shumë që politika të japë ndihmën e saj në zhvillimin e kulturës, sikurse dhe në integrimin e shqiptarëve drejt Europës. Në stendat verore të panairit kanë qenë të shumtë dashamirësit e librit, këtij miku të përhershëm dhe të pandashëm të njerëzimit, që përgjatë këtyre ditëve janë njohur me letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, botime historike e enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh, etj.
30 Korrik 2009