Sajuan helmimin me qetësues, nxënësit 1 muaj punë të detyrueshme
SARANDE - Nxënësit që sajuan helmimin me ilaçe qetësuese ditën e gënjeshtrave, do ta shlyejnë gabimin me 1 muaj punë të detyrueshme. Vetë adoleshentët kanë qenë iniciatorë, duke iu drejtuar dyerve të bashkisë për të caktuar detyrat në të ardhmen. Për nxënësit e vitit të dytë të shkollës jopublike "Dea", ngjarja ka hedhur baltë mbi emrin e mirë të këtij institucioni arsimor dhe me angazhimin e tyre vullnetar kërkojnë rikthimin e dinjitetit. "Kërkojmë ndjesë për gabimin tonë. Ishte një shaka e hidhur që shkoi në faj. Kërkojmë të bëjmë punë vullnetare, p.sh., duke lyer pemët, pastruar, por edhe për gjelbërim në qytet. Gjithashtu, i kërkojmë falje publike drejtorit të shkollës", u shprehën dje nxënësit. Drejtori i shkollës jo publike "Dea", Luan Ahmeti nga ana e tij u shpreh: "Ndodhi një shaka që fatmirësisht përfundoi mirë. Menjëherë bëmë një mbledhje të përbashkët prindër dhe nxënës dhe vetë nxënësit pohuan se gjithçka e kishin nisur si shaka të 1 prillit dhe se nuk menduan fare se do të përfundonin në spital. Disa prej prindërve u shprehën se ata nxënës që janë nismëtarë të ngjarjes të mos qëndrojnë më në këtë shkollë. Ndërsa një pjesë tjetër kërkoi që nxënësve nismëtarë për shakanë me zarar, t'u jepet edhe njëherë dora. Duhet thënë edhe ajo që këta nxënës janë të ndërgjegjshëm, që shakaja e nisur prej tyre u teprua dhe për këtë ata pranojnë çdo ndëshkim që do të jepet për ta", pohon drejtori. Sipas tij, vetë nxënësit që iniciuan shakanë kërkuan të mos largohen nga shkolla dhe si ndëshkim të ndërmarrin iniciativën që të bëjnë punë të detyrueshme në qytet, duke iu përshtatur kërkesave të vetë bashkisë. Ndërsa mësuesja e kësaj ore mësimi, Florinela Kallfa nga ana e vet u shpreh se atë ditë nxënësit kishin test. Ajo ka mësuar më pas se nxënësit kishin menduar disa mënyra për 1 prillin, por kanë gjetur atë të barnave si më të pëlqyeshme. "Për mua, si mësuese fajtore është farmacistja, që u dha këtyre nxënësve adoleshentë, vetëm 16-vjeçarë tabletat gjumëndjellëse, që merren vetëm me rekomandimin e mjekut". Pas reagimit të nxënësve, por edhe gjithë klasës u vendos që askush të mos dënohej. Por ka qenë zgjedhja e vetë nxënësve të kërkojnë hapësira për të shlyer pjesën e dëmit në emrin dhe imazhin e shkollës. Nxënësit i ka kontaktuar mesditën e të premtes kryetari i bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka. Ata ishin me idenë që të lejohen për t'u përfshirë për një muaj pas mësimit në pastrimin e qytetit, mirëmbajtjen e pemëve dhe gjelbërimin. Kërkesa e tyre është miratuar, në pritje për të nisur punën. sh.d