“NATO dhe BE janë dy projektet tona më madhore”
Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Per Wsterberg
TIRANE - Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka zhvilluar dje një takim me Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Per Wsterberg, i cili po zhvillon një vizitë tre ditore, zyrtare në Tiranë. Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha e njohu Wsterberg me reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. Kryeministri Berisha u ndal te procesi i integrimit të vendit, duke u shprehur se, “NATO dhe BE, janë dy projektet tona madhore, dhe të gjitha përpjekjet tona janë të përqendruara në këto dy projekte”.
Në kuadër të realizimit të këtyre aspiratave për mbarë kombin tonë, Kryeministri Berisha u ndal veçanërisht në reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene të cilat më parë ishin shndërruar në pengesa serioze për procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Kryeministri Berisha e njohu Wsternberg me klimën politike në Shqipëri, si dhe i bëri të ditur se mazhoranca ka bashkëpunuar ngushtë me opozitën për realizimin e reformës zgjedhore, ndryshimeve kushtetuese dhe reformës në sistemin e drejtësisë.
Duke qenë se tashmë vendi po iu afrohet zgjedhjeve të pritshme parlamentare, Kryeministri Berisha e siguroi Wsterberg se qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndërkohë, Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Wsterberg, vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. Wsterberg vlerësoi se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer, çka sipas tij, demonstrohet në zhvillimi i shpejtë gjatë këtyre katër viteve të fundit. Wsterberg, garantoi se Suedia mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE. Gjithashtu kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Edhe Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu është takuar ditën e djeshme me Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Per Wsterberg. Gjatë takimit me ministren Bregu, Wsternberg deklaroi se “zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e aplikimit të anëtarësimit të Shqipërisë nga vendet evropiane”, duke vlerësuar si mjaft të suksesshme reformat kyçe të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për detaje të Traktatit të Lisbonës, çështje rreth së cilës Wsterberg u shpreh se “do të ishte e rëndësishme që të gjitha vendet të kenë ratifikuar traktatin e Lisbonës gjatë presidencës suedeze, në mënyrë që Bashkimi Evropian të marrë vendime si një Bashkim shtetesh dhe të merret si i tillë dhe me çështjen e zgjerimit”.
Nga ana e saj, ministrja Bregu nënvizoi faktin se qeveria shqiptare, por edhe forcat e tjera politike në vend, po punojnë për të krijuar strukturën e përshtatshme për të siguruar zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Duke qenë se Suedia pritet që pas pak muajsh merr kryesinë e radhës së BE-së, Bregu vlerësoi politikat Suedisë pro zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Në këtë aspekt Ministrja Bregu e informoi Wsterberg se pas dialogut me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria ka vendosur të aplikojë për statusin e vendit kandidat gjatë presidencës çeke, pasi Çekia e konsideron zgjerimin, prioritet të saj.