“S’mund të harrohen gjyqtarët e prokurorët që urdhëruan burgime dhe pushkatime”
Shkodër/Reagojnë të përndjekurit politikë
SHKODER - Tashmë që ligji “Për pastërtinë e figurave të ish-zyrtarëve të lartë” ka hyrë në fuqi dhe pritet vetëm zbatimi i tij, drejtues të Shoqatës Mbarëkombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë, të Shkodrës, u kanë bërë thirrje dje bashkëvuajtësve të tyre që të dorëzojnë pranë zyrave të shoqatës dëshmi të persekucionit, duke përfshirë dhe emra persekutorësh.
Drejtues të kësaj shoqate kanë deklaruar ditën e djeshme se “Makina e vjetër propagandistike e komunizmit ka ndezur motorët e saj dhe përpiqet të minimizojë persekutimin që ka ushtruar mbi popullin shqiptar për afro 50 vjet, duke akuzuar ligjin për dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë të regjimit më kriminal që përjetoi Evropa e shekullit XX-të”, thuhet në deklaratën e kësaj shoqate.
Më tej në deklaratë theksohet se “në funksion të kësaj propagande po angazhohen disa individë, subjekte politike, media të shkruara dhe vizive, që nuk janë tjetër veçse zëdhënës të atyre që përgjakën duart me gjakun e qindra e mijëra njerëzve të pafajshëm”. Duke kujtuar krimet e komunizmit ata shprehen se “Shkodra nuk mund të harrojë ata gjyqtarë e prokurorë që me firmat e tyre urdhëruan torturimin, masakrimin në mënyrë më çnjerëzore, pushkatimin dhe burgimin e dhjetërave klerikëve e intelektualëve, vlera të pa zëvendësuara jo vetëm për Shkodrën, po për mbarë vendin”, theksojnë drejtuesit e ish-të përndjekurve politikë të Shkodrës.