Ekspertiza: Mjekët mund ta shmangnin vdekjen Orgestit
TIRANË- Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë marrë në shqyrtim kartelën e vogëlushit Orgest Dardha kanë vënë re një sërë shkeljesh nga mjekët që kanë ndjekur ecurinë e sëmundjes së tij. Akti i ekspertimit (nr.230) i referohet kartelës klinike nr. 46 71 23 të QSUT-së, në bazë të së cilës, Orgest Dardha është shtruar në repartin e kirurgjisë maksilo-faciale më datë 9 tetor 2006, i planifikuar, me diagnozë shtrimi "palatoschizis completa" (difekt i qiellzës). Po atë ditë, fëmija është futur në sallën e operacionit, por që nuk ka mundur të dalë i gjallë prej saj. "Në plotësimin e akteve ligjore dhe nënligjore e protokolleve mjekësore, në ndjekjen mjekësore të fëmijës Orgest Dardha vërehen këto mangësi: në kartelë mungon ora e shtrimit, nuk është përcaktuar grupi i gjakut, nuk është dokumentuar me firmën e familjarëve leja për operacionin, ka mangësi në të dhënat anamnestike, ka parregullsi në kronologjinë e plotësimit të kartelës, mungon evidentimi i konsultës preoperatore, nuk janë vlerësuar të dhënat e ekzaminimeve, rezultatet e të cilave mund të bëheshin shkak për mosfutjen e fëmijës në intervenim etj. Sipas specialistëve që kanë bërë ekspertizën, këto mangësi përbëjnë elementë të mjekimit të pakujdesshëm të formës së neglizhencës, të cilat kanë ndikuar në vdekjen e vogëlushit. Ndërkohë, raporti citon më poshtë se në mungesë të bërjes së autopsisë, nuk është i mundur përcaktimi i shkakut të vdekjes, nga të dhënat e kartelës klinike del që ka qenë vdekje e shpejtë nga pamjaftueshmëria e menjëhershme e punës së zemrës dhe të mushkërive. "Vdekja mund të shmangej nëse do të ishte vlerësuar drejt gjendja reale shëndetësore e fëmijës",–përfundon konkluzioni i ekspertimit mjeko-ligjor.