E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO feston 100 vjetorin e pavarësisë

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, festimet sot kapërcyen kufijtë dhe u zhvilluan edhe në selinë e NATO-s në Bruksel.

Në ceremoninë e organizuar për këtë 100-vjetor, një përshëndetje të veçantë e dha edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës veriatlantike, Anders Fogh Rasmussen.

Duke iu drejtuar ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, Rasmussen theksoi se me anëtarësimin në NATO Shqipëria tregoi se ka dëshmuar që e meritoi anëtarësimin.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që t'ju uroj ju dhe popullin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Tre vjet e gjysmë përpara, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO i tregoi botës se ideja e lirisë është e pathyeshme. Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria ka forcuar sigurinë e saj të brendshme dhe atë të NATO-s dhe të tërësisë së Aleancës Atlantike.

Së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s, ju jeni angazhuar për mbrojtjen e sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta. Ky është angazhimi më solemn që një shtet sovran mund të ndërmarrë. Shqipëria e ka treguar se mund ta kryejë këtë angazhim. Vendi juaj është një aleat i denjë. Ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm politik dhe ushtarak për Aleancën tonë. Ju keni luajtur një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe angazhimi juaj në Afganistan ka qenë provë e fortë e përkushtimit tuaj për të mbrojtur sigurinë e Aleancës”, ka thënë shefi i NATO-s, njofton Balkanëeb.

Rasmussen theksoi se NATO vlerëson faktin që Shqipëria sot është e lirë dhe e sigurt./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›