Mustafa e Sejdiu bashkë për 100-vjetor

Në fjalën e tij përshëndetëse, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se me gjithë vuajtjet sukseset, dështimet, rëniet dhe ngritjet, Shqipëria ia doli të mbijetojë, të jetë e pavarur dhe sovrane ashtu siç e menduan projektuesit e saj.
Mustafa, ndër të tjera, ka vlerësuar se 28 nëntori i vitit 1912, së bashku me 17 shkurtin, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shënojnë fillimin e kthimit të madh të kombit tonë në gjirin e familjes euro-perëndimore, nga e cila ishim shkëputur padrejtësisht pesë shekuj më radhë.
“Dita e 28 nëntorit e vitit 1912 është dita më e ndritshme e historisë shqiptare e shekullit 20. Në këtë ditë delegatët e mbledhur në Kuvendin e Vlorës shpallen se Shqipërisë më sot bëhet më vete e lirë dhe e mosvarur. Bashkë me 17 shkurtin ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo datë shënon fillimin e kthimit të e madh të kombit tonë në gjirin e familjes euro-perëndimore, nga e cila ishim shkëputur padrejtësisht 5 shekuj më radhë. Prandaj, sot kombi ynë ka arsye madhore për t’i kremtuar të arriturat e veta gjatë këtij shekulli të mëvetësisë së shekullit shqiptar, i cili sado i përgjysmuar u bën këto 100 vjet yll polar i orientimit politik shpirtëror i të gjithë shqiptarëve kudo që jetuan ata”, ka thënë ai
Megjithatë, Mustafa ka përmendur edhe vështirësitë e rrugëtimit të kombit shqiptar gjatë një shekulli të tërë, duke thënë se Pavarësia e Shqipërisë nuk shënoi edhe zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, pasi që gjysma e trojeve etnike shqiptare mbetën nën sundimin e vendeve fqinje të cilat e shfrytëzuan rrëmujën e madhe ballkanike dhe grabitën aq sa mundën nga trojet shqiptare.
Por, i pari i LDK-së të ardhmen e shqiptarëve e sheh në gjirin e Bashkimit Evropian, duke u shprehur i bindur se Shqipëria dhe Kosova do të jenë përherë të bashkuara rreth idealizmit shqiptar dhe rreth idesë së përparimit dhe unifikimit.
“I bindur se Shqipëria dhe Kosova do të jenë përherë të bashkuara rreth idealizmit shqiptar, rreth idesë së përparimit dhe unifikimit, me iniciativë të përbashkët në Bashkimin Evropian, në këtë moment solemn ju uroj gjithë juve, kudo që jeni, ku flitet dhe frymohet shqip urime festa e madhe e 28 Nëntorit, dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit tonë kombëtar”, ka thënë ai.