Thaçi: BERZH, kthesë në zhvillimet ekonomike të vendit

Po ashtu, Qeveria e Kosovës me përkushtim të lartë, do të krijojë kushte për fuqizimin e sektorit privat, i cili është motor i një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Kështu pohoi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në takimin e shtatë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Ndërsa anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sipas kryeministrit Thaçi, paraqet një kthesë në proceset ekonomike të vendit.
“Ky anëtarësimi i yni në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim, duhet të jetë moment kthese për proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe besoj që kështu do të ndodhë. Si rezultat i kësaj, besojmë të kemi rritje ekonomike rreth 4 për qind, e që është dy herë më e lartë se ajo e vendeve tjera. Ky është progres i ngritjes së mirëqenies sociale dhe materiale të qytetarëve të Kosovës. Megjithatë ekonomia e Kosovës ende ballafaqohet me sfida, siç janë të ardhurat për kokë banori, norma e papunësisë ende është relativisht të lartë dhe ka varësi të lartë nga importi. Këto sfida Qeveria e Kosovës do t’i trajtojë përmes fuqizimit të sektorit privat”, pohoi ai.
Ndërsa Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, tha se me anëtarësimin në BERZH, Kosova ka fituar një aleat të fuqishëm financiar.
“Kosova ka nevojë të madhe për përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare financiare si BERZH në projekte të ndryshme, në mënyrë që të sigurohen fonde dhe të njëjtën kohë të implementohen masat e nevojshme mjedisore, sociale dhe ekonomike, për të siguruar qëndrueshmëri të projekteve. Me anëtarësimin tonë kjo është e mundur dhe se Kosova ka fituar një aleat të fuqishëm financiar, në implementimin e projekteve të shumta infrastrukturore dhe në përkrahje të sektorit privat”, pohoi Kusari.
Sipas Kusarit, si pasojë e mosanëtarësimit të deritashëm në BERZH, Kosova ka përfituar pak nga portfolio e investimeve të kësaj banke, mirëpo tani kjo gjë ka ndryshuar dhe se me anëtarësimin në këtë bankë, Kosova do të jetë në gjendje të tërheq investime, si në sektorin privat po ashtu edhe në atë publik. Megjithatë, ajo tha se duhet të identifikohen projektet, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, në sektorët si transporti, energjia shëndetësia, arsimi dhe projekte tjera, në mënyrë që të mund të sigurojmë përfshirjen e BERZH-it në këto projekte.