E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO-ja, garantuesi i paqes dhe i sigurisë në Kosovë

Ndarja e Kosovës nuk është opsion. Ky është qëndrim i prerë i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, sekretari Rasmussen ka theksuar se institucionet e reja duhet të sillen me përgjegjësi dhe maturi.

Ai gjithashtu ka theksuar se është tepër herët që të flitet për anëtarësim në NATO dhe se Forca Kosovare e Sigurisë nuk është ushtri.

Ai siguron qytetarët e Kosovës se zvogëlimi i pranisë ushtarake të NATO-s nuk do të bëhet kurrsesi në dëm të sigurisë dhe stabilitetit të saj dhe se Aleanca, sado e vogël të jetë prania e saj, do të mbetet garantuesi kryesor i paqes dhe i stabilitetit të Kosovës.

Sekretari Rasmussen po ashtu shpreh bindjen se Dick Marty, nëse ka dëshmi për akuzat që i bën, do t`i paraqesë ato para autoriteteve përkatëse.
 

Duke iu referuar zgjedhjeve tashmë shumë të përfolura në Kosovë, Rasmussen rikujtoi se NATO-ja dhe KFOR-i nuk janë të përfshira në procesin zgjedhor dhe shtoi se me kënaqësi ka kuptuar se institucionet përkatëse të Kosovës janë marrë me ankesat për dyshimet për parregullsi në zgjedhje dhe kjo është mënyra e duhur për t`u përballur me këtë çështje.
 

Është me rëndësi të madhe që institucionet e Kosovës dhe liderët politikë të kenë dalë nga një proces legjitim zgjedhor. Zgjedhjet e lira janë kyç në këtë aspekt.  Nga këndvështrimi i sigurisë, e kjo është pjesa që ka të bëjë me NATO-n dhe KFOR-in, ajo që ne presim, e madje do të thosha edhe kërkojmë, nga lidershipi i Kosovës, është që të vazhdojnë me një qasje të moderuar dhe konstruktive, tha në vazhdim ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›