E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëria synon BE-në

Nga Express më 20 janar 2011 në ora 22:16

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka deklaruar se klima e acaruar politike në vend po mban peng aspiratën më të madhe të shqiptarëve për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).

Ai këto komente i bëri të enjten gjatë një takimi në Tiranë me përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, të cilëve iu ka uruar një vit të mbarë pune.

“Forcat politike, individët politikë edhe në ato momente kur tensioni konsiderohet mjaft i lartë, duhet të gjejnë maturinë, qetësinë dhe ekuilibrin për interesat e Shqipërisë. Bashkëpunimi është i rëndësishëm për interesat e popullit”, ka thënë Topi.

Për më tepër, kreu i shtetit shqiptar i ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës që të tregohen më përgjegjëse në rrugën e integrimeve evropiane.

“Askush më shumë se populli shqiptar nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj familje të madhe”, ka thënë presidenti Topi.

Topi u shpreh më tej, se dëshiron që politika të shprehë maturinë e duhur edhe në zgjedhjet lokale.

“Unë mbetem me shpresë dhe besim që politika të garantojë një frymë të qetë parazgjedhore, si dhe menaxhimin e duhur të zgjedhjeve të 8 majit”, është shprehur presidenti Topi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›