E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO mbështet respektimin e ligjit dhe rëndit në tërë Kosovën

Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 13:44

Sekretari i NATO’së, Anders Rasmussen ka thënë në Prishtinë se Aleanca Veri Atlantike nuk i përkrah vendimet e njëanshme të institucioneve të Kosovës, por i ka dhënë mbështetje Qeverisë për të mos u kthyer në situatën që ka qenë më herët.

Pas takimit që ka pasur me Kryeministrin Hashim Thaçi, Rasmussen ka deklaruar se nuk ka kthim prapa pasi NATO ka investuar për dymbëdhjetë vjet për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Është mandat i KFOR-it që të sigurojë një ambient të qetë dhe paqësor”, tha Rasmusen, duke shtuar se “KFOR-i do të ndërmarrë veprime nëse kjo siguri dhe paqe do të vihet në rrezik”.

Ai nuk ka dashur të komentojë planet operative të NATO’së, por është zotuar se trupat e KFOR’it do të veprojnë në bazë të mandatit, duke mos e mohuar edhe përdorimin e forcës.

Ai i ka dhënë mbështetje të fuqishme dialogut Prishtinë-Beograd dhe ka bërë thirrje që marrëveshjet e arritura të zbatohen.

Ai nuk ka dhënë detaje të operacionit që pritet të zhvillohet për zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore nga 16 shtatori, por tregoi vendosmërinë e KFOR-it që nuk do të lejojë të cenohet paqja në Kosovë.

“Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurtë”, theksoi Rasmussen.

Në anën tjetër, Kryeministri Thaçi ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë se plani për vendosjen e doganierëve dhe policëve në Veri do të zbatohet sipas paralajmërimeve të mëhershme – më 16 shtator.

Ai ka thënë se Qeveria nuk e ka në plan të përdorë dhunë ndaj qytetarëve të Veriut, por është zotuar se strukturat ilegale dhe kriminale do të ballafaqohen me ligjin.

Shefi i Qeverisë ka thënë se janë në koordimin me KFOR’in dhe EULEX’in për të vazhduar me zbatimin e planit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›