E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, perpetum mobile dhe xha Ganiu…

Antena brenda familjes

Gani Vrapi është pensionist nga Tirana. Ka punuar një jetë të tërë, nuk ka qenë spiun që të trembet nga hapja e dosjeve, por ka marrë dy medalje, një në kohë të Partisë së Punës si ‘Mjeshtër’ dhe një tjetër si ‘Pishtar demokracie’ në ‘90.

I ruan që të dyja në një sirtar të bufesë së vjetër dhe s’e ka djegur ende këtë të dytën si të tjerët.

Ka një huq të keq që i beson shumë lajmet e televizioneve dhe të gazetave, i merr me gjithë mend dhe nga kjo nuk është se ka parë ndonjë hajër, po vesi është ves dhe nuk hiqet kollaj. Më kollaj del shpirti se vesi, i thonë fjalës.

Shikon me ëndje këtë turin e Sali Berishës për NATO-n dhe i bëhet zemra mal, shkrythet i tëri.

- Bah, sa kemi ecur përpara moj grua, - i thotë së shoqes.

- Nuk e merr dot me mend. Të paktën nuk na shkoi lufta dëm.

- Lëre mor NATO-n, por shih dollapin, - i thotë e shoqja.

- E ke bosh. Vaj s’bleva, se kishte vajtur 2 800 lekë.

- Punë e madhe do bëjmë dhe pa të, po kjo punë e NATO-s është arritja me e madhe.

- Edhe orizi është bërë 1500 lekë, bleva vetëm një kile për këtë muaj dhe s’na del, - vazhdon e shoqja në të vetën dhe se është rënduar nga veshët ca.

- Lëre moj orizin, hajde dëgjo këtu. Ka bërë buxhet shtesë qeveria dhe e paskemi me dy shifra rritjen ekonomike.

- Mor po janë ngritur të gjitha me dy shifra, e di? Vetëm trangulli është ulur, - vazhdon gruaja nga aneksi.

- Bëj durim, se do ngrihen pensionet muajin tjetër, - thotë Ganiu. Më duket se ua ka vënë kusht NATO. Më dëgjo mua, këtej e tutje, dhe kur të shkosh nëpër komshinj, do flasësh vetëm për NATO-n.

- Po ku e di unë e shkreta ç’është NATO. Mbaj mend që atëherë, në zbor, këtë NATO-n e vinim në tabelë qitjeje dhe e shponim me plumba

- Po ç’të duhet ç’është NATO. Unë po të them që po na rritet pensioni prej NATO-s, ti thua çfarë është. Bukë e gjellë është për ne.

- Ëhë, pse s’thua ti që kjo NATO qenka si patatja njëherë moti, edhe bukë, edhe gjellë.

- Epo s’ta mbusha mendjen njëherë s’ta mbusha, - ia ktheu Ganiu.

I mërzitur me gruan gojëhelm, kërkon ndihmë nga lajmet e qeverisë. E hap te TVSH, me shprese se aty do t’ia mbyllte gojën gruas. Filloi lajmi i parë: Shqipëria, në NATO. “Kryeministri Berisha siguroi se reformat kanë qenë dhe do të mbeten “perpetum mobile” i qeverisë dhe se ajo do t’i përgjigjet me seriozitet çdo kërkese që Aleanca do të bëjë ndaj Shqipërisë në kuadrin e bashkëpunimit dhe anëtarësimit në të.”

- ǒtë jetë kjo “perpetum mobile?!” - tha Ganiu i shkretë me vete. Iu kujtua Dino Cicua nga Gjirokastra. Ai pat bërë një aeroplan “Perpetum Mobile” që ikte në ajër, pa patur nevojë për karburant. Por Dino i shkretë nuk kishte llogaritur fare nga do ta nxirrte avionin që e ndërtoi fshehurazi brenda shtëpisë. Në fund, prishi shtëpinë dhe avioni nuk fluturoi.

- Kush t’ia ketë dhënë këtë mendje, tha me vete, se si budallallëk qenka. Mos ka ndonjë këshilltar nga Gjirokastra, se s’ka mundësi.

Mori telefonin dhe i telefonoi PD. Flamuri, që përgjigjet për partinë, i ka dhënë celularin personal për çdo hall që të ketë, kur nuk kupton propagandën.

- Më fal, zoti Flamur, - i tha Ganiu, - se nuk e kuptova dot atë punën e reformave “perpetum mobile” që tha doktori. Ka ndonjë këshilltar nga Gjirokastra ai, se s’ka mundësi t’ia ketë thënë njeri.

- Ka, ka, - tha Flamuri, - po i ka kot ata. Ai burri vetëm mua më pyet për çdo gjë.

- Jo, ty e di që të ka, - i tha Ganiu, - por kam frikë se mos e ka këshilluar ndonjë gjirokastrit, se perpetum mobile vetëm një nga Gjirokastra ka bërë.

- Ëhë, - tha Flamuri i hutuar. - Po mo, po ka Ylli Asllanin, mund t’ia ketë thënë ai, se ata rrjedhin pas 40 vjetësh. Por nuk e pyet shumë ai burri. Dhe në këtë rast mund ta ketë dëgjuar për t’i bërë qejfin.

-Mirë, mirë, - ia ktheu Ganiu, - po si t’ia shpjegoj gruas tani, se s’beson asgjë shtriga.

- Epo ç’të them unë, - tha Flamuri. - I kam thënë atij burrit mos të pyesë njeri tjetër, po s’më dëgjon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›