Përse nuk u futën në buxhetin shtesë paratë e ARMO-s
Privatizimi i ARMO-s duket se deri tani ka gëzuar vetëm kompaninë “Taçi Oil” dhe avokatët e saj. Buxheti shtesë, i cili kaloi dje në qeveri, siç pëshpëritej, nuk parashikonte të merrte ndonjë lek nga shitja e bujshme e kompanisë. Shkaqet po përtypen nëpër dhëmbë, por e vërteta është se kontrata mes ARMO-s dhe qeverisë shqiptare pritet të parashikojë një grafik pagesash për investimet dhe çmimin e kompanisë, që mund të shkojë deri në pesë vjet dhe brenda këtij pesëvjeçari ata kërkojnë po ashtu të lirohen nga disa taksa dhe akciza, për shkak se quhen investim i huaj. Nëse kjo është e vërtetë, i bie që dhe nëse i japin paratë e blerjes së ARMO-s, ato do të na i marrin menjëherë, duke vonuar pagesën dhe duke përfituar nga politika speciale favorizuese fiskale mbi ta. Kështu i bie që ata që kanë blerë ARMO-n, përveç saj të marrin dhe disa pará të tjera shtesë nga qytetarët shqiptarë.
Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt akoma se sa dhe si do të paguajnë blerësit e rinj të ARMO-s, ku shihet qartë se pjesa shqiptare është shumë më serioze se kartëvizitat e të huajve që janë paraqitur për mbulesë. E vetmja gjë e sigurt deri tani është që në buxhetin shtesë ato pará nuk do t’i kemi. Ato, nëse do të na i japë, pritet të jenë në buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili po ashtu duhet të jetë në vjeshtë.
Debatet rreth parave të ARMO-s mund të vazhdojnë, por vetëm nëpër tavolina, pasi, siç shihet, kompania që e ka blerë, ka nisur një fushatë agresive reklamash në çdo stacion televiziv dhe gazetë, dhe pse dihet se kompanitë e naftës nuk kanë nevojë për publicitet. Nevoja për ta frenuar debatin është urgjente dhe duket se ata që kanë problem me debatin publik rreth kësaj çështjeje, e kanë gjetur zgjidhjen.
Kjo ka zemëruar natyrshëm komisar Flamurin, i cili nuk e kupton, pse duhen paguar mediat dhe pse nuk shkojnë paratë në arkën e partisë.
- Ne iu japim ARMO-n, ata ia paguajnë tjetër kujt, i ankohej dje Flamuri financieres së partisë. Kjo parti ka marrë fund, kur dhe gazetarët bëhen më të rëndësishëm se partia. Kështu na ka ndodhur me gjithë biznesmenët. Dhe Delijorgji kështu bënte. Paguante gazetarët dhe kërkonte leje ndërtimi te partia pastaj. Unë s’e toleroj më këtë situatë. Do flas me atë burrin dhe ta shikojnë këta, - e mbylli i revoltuar.
Financierja e rrahur me vaj dhe uthull në këto punë i tha të mos nxitohet për rastin e ARMO-s dhe të mos flasë direkt me “atë burrin”.
- Pyet njëherë Ridvanin ose Rulin, - i tha ajo, - se mos e dinë më mirë këtë punë.
- Jo mo, nuk pyes për njeri unë këtu. I heq zvarrë të gjithë. ǒt’i bëj atij burrit, se ua tregoj unë qejfin. Janë mësuar keq këta. Të tjerë hanë kumbulla, të tjerëve iu mpihen dhëmbët, - i tha Flamuri.