Dekretet testojnë raportet e reja të presidentit me PS e PD
Nga ana tjetër, ky zhvillim i ri nga ana e opozitës legjitimon shumë vendimin e mëparshëm të PD për rrëzimin e dekreteve, pasi e kthen atë në një rrugë normale, kur një force politike të pakonsultuar nuk i pëlqejnë emrat. Përpjekja e presidentit për një konsultë formale me faktorë jopolitikë për emrat në të vërtetë rezulton joproduktive politikisht, pasi fjalën e fundit për emrat që zgjidhen e ka politika. Shantazhi i qartë i djeshëm i zotit Xhafa dëshmon se kemi të bëjmë me një instalim të ri rregullash në politikën shqiptare të dy forcave kryesore në raport me presidentin. Pas ndryshimeve kushtetuese, ata e shikojnë realisht presidentin si noter të akteve të tyre ligjore dhe jo si prokurues të tyre.
Nuk është e sigurt se si do të reagojë zyrtarisht PD tashmë, por, sido që ajo të reagojë, në kushtet e një votimi të fshehtë, tashmë është e paqartë se kush do të votojë pro dhe kundër, se s’do të bëhet më luftë në bllok, por luftë emër për emër. E vetmja gjë e qartë do të ishte, nëse dy forcat kryesore, PD dhe PS, do të kishin ndarë vetë tortën dhe do t’i jepnin thikën presidentit ta priste. Tashmë që presidenti e ka blerë vetë tortën, vetë thikën dhe vetë pirunin, rrezikon t’i mbetet pa e provuar, pasi ata që vendosin në finale, thjesht janë të mërzitur që nuk janë pyetur realisht.
Kjo histori prodhon po ashtu dhe një standard të ri të mënyrës së formimit të institucioneve të drejtësisë, kur vjen fjala që ato do të mandatohen nga Kuvendi. Është e qartë se dy të mëdhenjtë duan realisht të pyeten. Ata nuk e kanë pranuar konsultën formale të presidentit dhe as duan t’ia dinë për cilësinë e lartë apo të ulët të kandidatëve. Ata nuk pranojnë të ngrenë dorën për njerëz që nuk ua dinë për nder atyre. Dhe ky është produkti më i ri që kemi nga reforma kushtetuese. Nuk di në është mirë apo keq, por e sigurt është që po ndryshon politikën dhe shumicën presidenciale në Kuvend.