NATO përshëndet ndihmën e Shqipërisë në Afganistan
Shqipëria do të dërgojë një kontigjent të ri ushtarak në Afganistan, në mbështeje të forcave aleate në prag të zgjedhjeve presidenciale të 20 gushtit. Me anë të një vendimi të qeverisë 120 ushtarë të kësaj njësie do të dislokohen në Komandën Rajonale të Perëndimit, në Herat, për t’iu bashkuar njësinë shqiptare që është e angazhuar nën komanden e ISAF, si pjesë e kontingjentit që udhëhiqet nga Italia. Ky vendim i rëndësishëm i Qeverisë Shqiptare është vlerësuar nga të gjithë aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Në mënyrë të veçantë ai ka marrë vlerësimet e përfaqësuesit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Afganistanin dhe Pakistanin, zotit Riçard Hollbruk, i pranishëm sot në mbledhjen e Ambasadorëve të NATO-s, në Bruksel. Zgjedhjet presidenciale të 20 gushtit në Afganistan konsiderohen jetike për vendin. Ndaj dhe vendimi i Shqipërisë për dërgimin e një kontigjenti shtesë në këto momente është vlerësuar nga të gjithë aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Tirana dhe Roma po punojnë për dislokimin e trupave shqiptare në këtë vend brenda afateve të kërkuara. Më shumë se çdo herë tjetër, Afganistani është kthyer në qender të vëmendjes së Uashingtonit, që pas zgjedhjes së Presidentit Obama, i cili, edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale deklaroi se lufta kundër terrorizmit duhej të përqendrohej në Afganistan dhe jo në Irak.