NATO rrit PD, por e majta udhëheq
Në sondazhin e kryer për muajin prill nga Top Channel dhe “Zogby International”, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot për herë të parë, Partia Demokratike do të kryesonte mes partive të votuara.
Sipas sondazhit, partia e kryeministrit Berisha do të merrte 38% të votave kundrejt 36% të Partisë Socialiste, me një marzh gabimi prej 3.2%.
Ky ndryshim i rezultatit ka ardhur si pasojë e rritjes së të anketuarve që mendojnë se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur, që janë 51% kundrejt 37% që mendojnë të kundërtën.
Ndërkohë, partitë e tjera kanë marrë këto vlerësime: LSI 6%, G99 2%, PR 1%, PBDNJ 1%, ndërsa 10% e zgjedhësve shprehen të pavendosur dhe 3% refuzojnë të deklarojnë se për kë do të votojnë.
Në sondazhin e muajit mars, rezultatet tregonin një avantazh të Partisë Socialiste ndaj asaj Demokrate, përkatësisht 38%-36%.
Për sa i përket çështjeve kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare e para mbetet papunësia me 66%, e ndjekur nga varfëria me 39%, ekonomia me 63%, inflacioni 29% dhe korrupsioni qeveritar me 25%.
Lidhur me opinionet për politikanët, shumica e votuesve të mundshëm kanë një vlerësim negativ për të dy liderët, si për kryeministrin Berisha, ashtu edhe për kreun e PS, Edi Rama.
Por sondazhi i djeshëm i “Zogby International” i muajit prill pritej të ishte interesant si rrjedhojë e pasqyrimit direkt të mjaft lëvizjeve të forta politike të dy partive të mëdha.
Muaji prill ishte muaji i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe dorëzimit të aplikimit të Shqipërisë në BE për statusin e vendit kandidat.
Kryeministri ka intensifikuar veprimet politike duke nënshkruar marrëveshje me disa parti të djathta. Gjatë këtij muaji për herë të parë kryetari i opozitës ka zhvilluar një tur duke prezantuar programin ekonomik kryesisht me premtime që i vijnë në ndihmë shtresave në nevojë dhe popullsisë në zonat rurale.
“Zogby”
Top Channel ka sjellë që prej muajit janar një prej sondazheve të kompanisë prestigjioze “Zogby International”, duke përcjellë te publiku shqiptar për herë të parë çdo muaj një sondazh, që shtrihet në një afat kohor 6 muaj para zgjedhjeve. Sondazhi ka reflektuar gjithashtu edhe mbi rrjedhat e politikës së këtyre muajve, duke sjellë ndryshime në rezultate nga njëri muaj në tjetrin.
Janari
Nëse shqiptarët do votonin më 10 janar, PS rezultoi me një shkëputje me 7% nga PD në qeverisje. LSI kishte 5%, PDK 1%, PBDNJ 1%, PR 1%, 19% ishin të pavendosur, ndërsa 4% kanë refuzuar të japin një përgjigje.
Shkurt
Muaji shkurt solli disa ndryshime në sondazhin e “Zogby”. PS ngrihet me 2% duke arritur në 39% dhe PD me 4% duke arritur në 34%. Në këtë muaj shfaqen tri parti të vogla, G99 e sapokrijuar, një parti aleate e PS me 2%, PSD aleate natyrale e PS me 1%, Partia Ambientaliste Agrare me 1% parti në koalicionin qeverisës, dhe PBDNJ me 1% edhe kjo në koalicionin qeverisës. Të pavendosurit tashmë janë më pak se 12%, çka reflekton trendin normal të deklarimit të votës me afrimin e datës së zgjedhjeve.
Mars
Me forcimin e fushatës politike kryesisht mes dy partive të mëdha, në muajin mars sërish kemi disa ndryshime në sondazhin e “Zogby International”, reflektim i situatave politike gjithnjë lëvizëse dhe shprehje e afrimit drejt kraterit politik të 28 qershorit. PS zbret me 1% duke arritur në 38%, nga 39 që kishte në janar dhe shkurt, PD ngrihet me 2% nga muaji shkurt dhe me 6% krahasuar me muajin janar, duke arritur në 36%.
LSI mbetet në kuotën e muajit shkurt me 5%, intensifikimi i veprimit politik të grupimit G99 dhe mbështetja e selisë rozë ndaj këtij grupimi sjell rritjen në opinionet e shqiptarëve të formacionit të Erion Velisë me 3%, por me një risk për PS, e cila ka zbritur me 1 pikë.
Për herë të parë shfaqet LZHK me 1%, parti e djathtë, e cila në muajin mars krijoi Polin e Lirisë. PSD mbetet me 1%, ndërsa nuk figurojnë PBDNJ, PDK (e përfshirë tashmë në Polin e Lirisë), si dhe Partia Agrare, parti në koalicionin qeverisës.
Gjithsesi, sondazhet e tre muajve të parë kanë konfirmuar garën e fortë mes dy partive të mëdha, nxitur me sa duket edhe nga sistemi i ri proporcional.