E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e hapur drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Jaap de Hoop Scheffer

Nga Prof. Dr. Apollon Baçe*

- Për dijeni Kryetarëve të Shteteve Anëtare të North Atlantic Treaty Organization

Shkëlqesi,

Më lejoni që të drejtoj vëmendjen Tuaj ndaj një konflikti juridik dhe etik në gjirin e organizatës që kryesoni.

Sot, në territorin e dy kontinenteve, në të cilët shtrihet NATO, në atë amerikan dhe evropian, rasti kur dy shtete janë de jure në Gjendje Lufte me njëri-tjetrin është një i vetëm. Ndër pesë rastet e tjera në tërë rruzullin tokësor, ky rast është absolutisht më i vjetri- rreth treçerekshekullor- dhe si i tillë i harruar prej siteve të specializuar. Për fat të keq, të dy këta shtete de jure në Gjendje Lufte me njeri-tjetrin, Greqia dhe Shqipëria, janë anëtarë të organizatës që Ju drejtoni.

Pas agresionit italian kundër Greqisë të nisur nga territori shqiptar (28.10.1940), Greqia i shpalli luftë Italisë, çuditërisht edhe Shqipërisë (Ligji nr. 2636/1940), ndonëse ajo nuk ishte shtet sovran, por i pushtuar (07.04.1937). Me traktatin e Paqes Itali- Forca Aleate dhe të Asociuara (Paris, 10.02.1947) Gjendja e Luftës me Italinë u abrogua dhe u ruajt vetëm Gjendja e Luftës me Shqipërinë. Ligji i Luftës është në fuqi edhe sot. Sipas Ministrisë së Jashtme të Greqisë, “ligji nr. 2636/1940 është në fuqi”, përkatësisht “Traktatet e reja Ndërkombëtarë dhe Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë (21.03/1996) nuk e kanë ndryshuar këtë situatë”.(1)

Me anëtarësimin e Shqipërisë në organizatën e NATO-s, ku aderon edhe Greqia, ligji nr. 2636/1940 është në konfliktualitet flagrant me nenet e Traktatit të NATO-s (Washington D. C. - 4 April 1949). Një konfliktualitet i tillë lind që në frazën e parë të Traktatit, sipas së cilës “Pjesëtarët e këtij pakti ripohojnë… dëshirën për të jetuar në paqe me tërë popujt dhe qeveritë”.

Sipas nenit 1 të po këtij traktati, “Anëtarët angazhohen… që në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare t’i shmangen kërcënimit ose përdorimit të forcës”. Ndërkohë, sipas teoricienit të doktrinës së luftës Carl von Clausewitz “Gjendja e Luftës është akti i forcës, i cili ka për qëllim detyrimin e kundërshtarit që t’i bindet vullnetit të palës tjetër” (Vom Kriege, 8. Buch, 6. Kapitel).

Sipas nenit 5, i cili është dhe guri i themelit të Traktatit të NATO-s, “Anëtarët janë dakord që një sulm i armatosur kundër njërit ose disave prej tyre… të konsiderohet sulm kundër të gjithëve. Rrjedhimisht, nëse ndodh një sulm i tillë, secili prej tyre… (duhet) ta asistojë anëtarin ose anëtarët e sulmuar,… përfshirë këtu përdorimin e forcës”.

Të para së bashku, ligji nr. 2636/1940 dhe neni 5 i Traktatit të NATO-s, krijojnë absurdin, sipas të cilit, sipas Jus ad Bellum (LOAC- Law of Armed Conflict Hague Conventions, 1907, III The Opening of Hostilities), Greqia dhe Shqipëria mund të sulmojnë njëra-tjetrën pa ndërmarrë asnjë akt tjetër formal. Por në rastin e një sulmi të armatosur të Greqisë ndaj Shqipërisë (ose viceversa), Greqia bashkë me shtetet e tjera anëtare të NATO-s, duhet të përdorë forcën e armatosur për ta mbrojtur Shqipërinë nga sulmi i armatosur i Greqisë (ose viceversa).

Kjo situatë, qoftë dhe teorike, ku dy anëtare të NATO-s janë de jure në Gjendje Lufte me njëra-tjetrën, ndërkohë që synim i sotëm i NATO-s është “shmangia e Gjendjes së Luftës edhe ndërmjet të tretëve”, e cenon unitetin etik dhe juridik të filozofisë së NATO-s.

Ndërkohë problemi nuk është thjesht teorik. Në takimin e parapakditshëm, Shkëlqesitë kryeministra të Greqisë dhe Shqipërisë u shprehën se “konstatojmë se midis dy vendeve nuk ka asnjë problem”, duke iu referuar për këtë Traktatit të Miqësisë Bashkëpunimit dhe Sigurisë mes Greqisë dhe Shqipërisë (21.03.1996). I lejoj vetes mendimin kryekëput të kundërt me atë të shkëlqesive të mësipërm se Ligji i Luftës (Law of War) është një problem mjaft akut.

Në rastin më të mirë ai shërben për mbulimin spekulativ me pelerinën e frikshme të luftës, të një padrejtësie ndaj shqiptarëve çamë (2); dënimit kolektiv të një popullsie në shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara, çka në terma ushtarakë e riformulon tezën e Clausewitz-it “Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera” në “politika është vazhdimi luftës me mjete të tjera”.

Në rastin më të keq, mosabrogimi i Ligjit të Luftës do tregonte për një rivendikim latent territorial. Duke lënë mënjanë serinë e invazioneve të para dhe pasluftës II (i fundit në gusht 1949), do rikujtoja se Traktati i Miqësisë i marsit 1996 nuk e pengoi, vetëm pak muaj pas nënshkrimit të tij, krijimin e një situate tejet eksplozive nën lumin Vjosë (i ashtuquajturi Vorioepir), ku u implikuan edhe zyrtarë të lartë, e cila u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së prerë të qeverisë dhe shtatmadhorisë turke.

I bindur në ushtrimin e autoritetit Tuaj për eliminimin e absurdit të Ligjit të Luftës mes shteteve anëtare të NATO-s dhe duke Ju falënderuar paraprakisht për përgjigjen,

Me respekt

Prof. Dr. Apollon Baçe, Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i Koalicionit Poli i Lirisë

________

(1) Përgjigjja zyrtare e MPJ të Greqisë, firmës avokatore të Selanikut, Hadjiyannakis

(2) Ligji i luftës lejon moskthimin kolektiv të pronave të kësaj popullsie, vlera e të cilave, “sipas çmimeve të tregut është 2.5 miliardë $”(International Crisis Group, Europe Report N°87; Defence Academy of the United Kingdom,Conflict Studies Research Centre, Balkans Series 07/01).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›