E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtraus - Çarçani, biseda e pabotuar

Nga Revista MAPO

Vizitat e kryeministrit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus, një politikan gjerman i rangut të parë gjatë viteve ’70-’80, kanë qenë një objekt i lakmueshëm për historianët, gazetarët dhe publikun shqiptar. Joshja dhe kurioziteti që vazhdon të krijojnë dy misionet e çuditshme të këtij “dinozauri” politik të Perëndimit, që tentoi të hapë dyert e hekurta të Shqipërisë komuniste në mesin e viteve ’80, janë ende mjaft të gjalla te shqiptarët e sotëm.

Shtraus erdhi me një mision të qartë politik në Shqipëri. Ai kërkoi të tundojë Tiranën zyrtare të asaj kohe, që përkundër vendosjes së marrëdhënieve zyrtare me Gjermaninë Federale, të përfitonte ekonomikisht në pará dhe ndihma. “Mapo” ka rënë në gjurmët e bisedës së zbardhur të 14 majit 1986, mes kryeministrit të asaj kohe, Adil Çarçani dhe Franc Jozef Shtrausit. Është e para herë që ky material sheh dritën e botimit

Pas përshëndetjeve të rastit u zhvillua kjo bisedë:

Adil Çarçani: Si jeni me shëndet?

Franc Jozef Shtraus: Ju faleminderit shumë, kalova një dhimbje të kyçeve të këmbëve, por tani jam drejt shërimit.

Adil Çarçani: Si udhëtuat sot?

Franc Jozef Shtraus: Shumë mirë, një orë e 55 minuta nga Munihu në Tiranë.

Adil Çarçani: Distancë e shkurtër.

Franc Jozef Shtraus: Bota është “zvogëluar”, Evropa edhe më shumë.

Adil Çarçani: Shkenca shkon gjithnjë përpara.

Franc Jozef Shtraus: Veçse lidhet e mira dhe e keqja me të. Ne patëm një shqetësim të madh pas asaj që ndodhi në Çernobil me reaktorin. Kryesisht ne kemi pasur erë nga Perëndimi, por ditët e fundit kemi pasur erë nga Lindja dhe sidomos Bavaria është prekur shumë nga rrezet radioaktive.

Adil Çarçani: Se është edhe më afër dhe fillimisht era fryu në drejtim të saj.

Franc Jozef Shtraus: Këtu ka diçka: nga rreziqet që njihen njeriu trembet më pak sesa nga rreziqet e panjohura.

Adil Çarçani: Edhe te ne kaloi reja radioaktive.

Franc Jozef Shtraus: Shumë më pak sesa të ne. Ishte diçka e rëndë, por ja që ndodhi. Nga kjo ngjarje nxjerrim përfundimin se çështja e kontrollit të kësaj energjie nuk është më një çështje kombëtare, por ndërkombëtare. Kancelari federal tha se për këtë çështje duhet organizuar një konferencë ndërkombëtare dhe kjo është dhënë edhe me shkrim, me tri qëllime.

Adil Çarçani: Energjia atomike ka rëndësinë dhe avantazhet e saj të mëdha në interes të zhvillimit paqësor, por ka edhe rreziqe, sepse me gjithë përparimet e shkencës për ta vënë atë nën kontrollin e rreptë teknik, ndodh siç ndodhi në këtë rast dhe siç ka ndodhur edhe në disa raste të tjera, kur me daljen e saj jashtë kontrollit janë shkaktuar dëme shumë të rënda për njerëzimin që krijojnë shqetësime, jo vetëm për sot, por do të ndihen edhe për vite të tëra në shëndetin e njerëzve, në ruajtjen e jetës së tyre që është qëllimi kryesor.

Franc Jozef Shtraus: Sigurisht, zhvillimi i teknikës moderne dhe përparimi varen edhe nga njerëzimi. Është plotësisht e gabuar sikur të shejtanëzohet teknika, domethënë të shahet teknika e re, sepse energjia është faktor kryesor për ta bërë punën të durueshme. Edhe te ju teknika është në zhvillim të plotë. Kur më ka rritur nëna, nuk kishte as makinë për të thithur pluhurat, as makinë për të larë rrobat. Gjyshërit e mi ishin fshatarë, korrnin me drapër dhe ne si fëmijë, kemi punuar bashkë me fshatarët për të bërë ato punët e dorës.

Adil Çarçani: E vënë përherë në interes të njerëzimit, teknika është gjithnjë progresive, e përparuar dhe e përkrahur.

Unë, zoti kryeministër, jam i kënaqur që ju pres sot këtu.

Është e dyta herë që vini dhe ndiej kënaqësi që takohem sot me ju, që të bisedojmë e të shkëmbejmë mendime për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Dëshiroj të shfaq kënaqësinë e qeverisë shqiptare të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për përpjekjet tuaja, interesimin e vazhdueshëm që keni treguar e tregoni për zhvillimin e normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, çka do t’i shërbente interesave të dy popujve e vendeve tona. Sigurisht, ecje dhe përparime në këtë drejtim janë bërë, bisedime gjithashtu janë zhvilluar, diçka është arritur, por jo ajo që dëshirojmë. Për normalizimin e marrëdhënieve tona ka ende disa pengesa, që ne mendojmë se nuk janë të pakapërcyeshme e pa rrugëzgjidhje.

Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë ka bërë në këtë drejtim propozimet e saj, ka dhënë mendimet e veta, por fatkeqësisht shikojmë që nuk është arritur ajo që duhet arritur. Me rastin e këtij takimi dhe bisedimi me ju, unë do të doja të shkëmbenim mendime pikërisht për arritjen e asaj dëshire të përbashkët që ekziston për kapërcimin e ndonjë pengese, për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve, përderisa edhe nga ana juaj, edhe nga ana jonë ekziston dëshira e mundësia që së bashku, të dy palët, i pranojmë, i njohim.

Do të dëshiroja të dëgjoja edhe mendimin tuaj për këtë çështje, meqë më jepet rasti të bëj këtë takim me Ju. Mendoj se shkëmbimi i këtyre mendimeve do t’i vlente më tej intensifikimit të punës, bisedimeve, konkretizimit, si të thuash, të të gjitha atyre çështjeve që do të shpinin në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona.

Franc Jozef Shtraus: Unë ju falënderoj për pritjen dhe për mundësitë që më dhatë të bisedoja me Ju, por dëshiroj të jem sot si një i dërguar i veçantë që të bëhet shpejtim në kalimin e kësaj rruge që ka mbetur. Edhe nga pala gjermane ekziston dëshira e ndershme për të hyrë në marrëdhënie kooperimi dhe të ndershme me njëri-tjetrin, veçse dëshiroj të thuhet hapur se cila është, sipas mendimit tuaj, pengesa për të cilën duhet punuar për ta kapërcyer. Atë që do të më thoni Ju, nëse dëshiron, zoti kryeministër, unë do t’ia them ekzakt, brenda kësaj jave, kancelarit federal.

Në Gjermani ka forca, të cilat kanë edhe mendime lidhur me fqinjin tonë të madh, Bashkimin Sovjetik, por unë edhe miqtë e mi nuk i kemi këto mendime.

Adil Çarçani: Ne kemi parashtruar disa herë mendimet tona, i kemi deklaruar edhe botërisht. Në Kongrese të Partisë shoku Enver Hoxha ka thënë që nuk ka ndonjë pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, për çka besoj se Ju, sikurse edhe qeveria federale gjermane, jeni në dijeni, sepse disa herë janë zhvilluar bisedime për këtë çështje. Siç e dini, shoku Sofokli Lazri, i ngarkuar nga qeveria jonë, ka kryesuar bisedimet me palën gjermane.

Kemi parashtruar, si të thuash, që bashkë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë t’i jepej edhe satisfaksioni moral në lidhje me të drejtën e saj legjitime, kërkesën e saj për çështjen e njohjes së dëmeve që ajo ka pësuar nga Lufta e Dytë Botërore.

Franc Jozef Shtraus: Dua të di konkretisht çfarë është kjo, se ministritë e Jashtme nganjëherë edhe i komplikojnë këto gjëra. Çfarë duhet kuptuar me satisfaksionin moral?

Adil Çarçani: Me satisfaksionin moral që përmenda, kuptohet njohja dhe dhënia e dëmshpërblimeve për dëmet që Shqipëria ka pësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shqipëria gjatë Luftës pati dëme të mëdha dhe këto qenë të konsiderueshme në raport me vendin dhe popullsinë. Pra, njohja e këtyre dëmeve dhe dhënia Shqipërisë atë që i takon, është satisfaksioni moral që përmenda. Kjo i takon asaj për luftën që bëri dhe kontributin e madh që dha në Luftën e Dytë Botërore.

Franc Jozef Shtraus: Jam një realist i madh për faktet dhe për numrat, çfarë kuptohet me këtë?

Adil Çarçani: Po ne i kemi parashtruar këto, kemi thënë edhe se në ç’masë janë këto dëme. Për ne ato janë dëme të konsiderueshme dhe patjetër, ashtu siç është vepruar edhe për raste të tjera nga ana e palës gjermane ndaj të tjerëve për çështjen e njohjes së këtyre dëmeve e të dhënies së dëmshpërblimeve, po kështu i takojnë t’i jepen edhe Shqipërisë.

Franc Jozef Shtraus: Domethënë, e keni fjalën për reparacionet?

Adil Çarçani: Po, për ato e kam fjalën, që ju, sigurisht, nuk i njihni si reparacione, por ne kemi thënë se mund të gjenden rrugë e forma të tjera që ky dëm që pësoi Shqipëria, t’i njihet e t’i jepen dëmshpërblimet. Kemi dhënë edhe mendime konkrete për rrugët që mund të ndiqen, i kemi thënë, i kemi parashtruar disa herë mendimet tona në këtë drejtim. Është e vërtetë që edhe nga ana e qeverisë federale gjermane është thënë e pranuar që të vendosen njëherë marrëdhënie diplomatike, se pastaj Shqipëria do të përfitojë në këtë drejtim, por konkretisht, qysh e sa do të përfitonte, nuk na është thënë gjë.

Franc Jozef Shtraus: Do të jem i hapët në këtë drejtim.

Adil Çarçani: Edhe ne atë duam, që të bisedojmë hapur.

Franc Jozef Shtraus: Më falni, por dua të them se Ju po kaloni në një rrugë të gabuar. Sipas marrëveshjes së borxheve të Londrës, çështja e reparacioneve, po e përsëris edhe njëherë, para Traktatit të Paqes, as që mund të shtrohet në tavolinë. Përndryshe do të fillonin kërkesat për bisedime edhe të tjerët, si Norvegjia, Danimarka, Luksemburgu, Belgjika, Franca etj. Ju lutem të më besoni, kjo nuk është me qëllim të keq, por nuk mund të diskutohet. Në bisedën e fundit që pata në gusht të vitit 1984 me zotin zv. kryeministër, më tha që ne i kemi paguar reparacione Polonisë dhe Jugosllavisë. Kështu me tha partneri im shqiptar në bisedimet që patëm atëherë, por unë thashë dhe them se nuk është e vërtetë, se as polakët, as jugosllavët nuk morën asnjë qindarkë, por Polonia mori një herë, kurse Jugosllavia mori disa herë kredi në kushte shumë të favorshme dhe shkatërrimet në Poloni e në Jugosllavi ishin sigurisht, shumë të mëdha. Veç kësaj, ju keni marrëdhënie diplomatike me Austrinë, me Republikën Demokratike Gjermane e me Italinë. Italianët në kohën e tyre aneksuan Shqipërinë dhe ne atëherë e quajtëm këtë gabim të madh, por unë në atë kohë isha i vogël. Nga ngatërresat që italianët sollën në Ballkan, u dukën edhe gjermanët në këtë zonë, por këtu nuk dua në asnjë mënyrë të justifikoj Hitlerin.

Sipas informacioneve tona, as Italia, as Austria, as Republika Demokratike Gjermane nuk kanë paguar asnjë qindarkë dhe nuk kanë përdorur asnjë formë tjetër për zhdëmtimet. Trupat e Gjermanisë që erdhën në atë kohë në Shqipëri, vinin nga Gjermania, nga ajo pjesë e Gjermanisë që tani përbëhet nga tri shtete. Ua them miqësisht këtë që është rrugë e gabuar dhe është e pamundur që Republika Federale Gjermane, para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të hyjë në bisedime për këto çështje.

Dëshiroj të them që nuk ka asnjë kuptim të besojmë në gjëra, për të cilat nuk mund të veprojmë. Të gjithë ish-kundërshtarët tanë në luftë kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me ne, me përjashtim të Shqipërisë dhe kjo është çështje e Shqipërisë, që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare. Ata kanë vendosur marrëdhënie diplomatike pa parakusht. Me të njëjtën qartësi dëshiroj të them hapur që ne, në bazë të bashkëpunimit ekonomik, edhe me Shqipërinë mund të zbatojmë ato forma që kemi përdorur edhe me Poloninë e me Jugosllavinë, dhe ky bashkëpunim ekonomik do të jetë i një rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e vendit tuaj në fushën tekniko-shkencore. Pozita e zhvillimit tonë tekniko-shkencor në botë gjithmonë po rritet, por më vjen keq, se po të vihen kushtet që thamë, nuk do të dalë gjë, nuk do të nxjerrim gjë.

Do të them se Ministria jonë e Jashtme në drejtimin tuaj është gjithmonë e rezervuar, duke pasur parasysh Moskën, por sigurisht ne jemi gati që Ministrinë e Jashtme ta kalojmë, se ne kemi një koalicion në Bon dhe Ministria e Jashtme është në dorën e Partisë së Lirë Demokratike. Kancelari e di që unë jam këtu dhe, sigurisht, me t’u kthyer, unë do t’i raportoj atij, veçse jam pak kokëfortë në këtë drejtim, ende nuk më thatë gjë konkrete, sepse unë nuk kam qenë në bisedime dhe nuk i di detajet e bisedimeve që ju keni zhvilluar.

Adil Çarçani: Ju dëgjova me vëmendje. Në fjalën tuaj ngritët çështjen që të vendosen marrëdhëniet diplomatike e pastaj Shqipëria do të ketë përfitime ekonomike, teknike e teknologjike shumë të mëdha.

Franc Jozef Shtraus: Siç kanë përfituar të gjitha vendet e tjera. Veçse një gjë, ju vini të fundit me kërkesat tuaja në këtë drejtim.

Adil Çarçani: Ne e kemi ngritur shumë shpejt këtë, por ne në formë ndihme e kredie, ju e dini, nuk pranojmë, se e kemi të ndaluar me Kushtetutë. Ne dimë edhe pengesat tuaja juridike në lidhje me atë që thatë Ju për Traktatin e Paqes, por kemi dhënë mendime e kemi propozuar rrugët e tjera që mund të gjendeshin për të kënaqur juridikisht të dy palët, që në këtë mënyrë edhe Shqipëria të marrë të drejtën e saj që i takon nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe ne kemi kërkuar pikërisht këtë që thoni Ju, që në lidhje me përfitimet e mëdha ekonomike e teknologjike, të dimë se çfarë do të jenë këto, në ç’rrugë dhe sa do të jenë, kemi kërkuar që ta dimë, të paktën diçka konkrete, unë flas hapur sot me Ju.

Franc Jozef Shtraus: E para, dua të theksoj se nuk ka, mos më merrni për keq, por nuk ka parakushte për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe, e dyta, më thoni se çfarë kërkoni. Më thoni se ç’duhet të ndodhë në mënyrë konkrete më përpara, si e mendoni Ju?

Adil Çarçani: Ne ju kemi dhënë edhe disa propozime konkrete, ju kemi paraqitur një listë me objekte e pajisje konkrete që ne kërkojmë, duke ju përgjigjur kështu pyetjes që keni bërë në takimin e parë. Do të na jepen ato pará apo pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kjo nuk luan rol, çështja është të dimë lidhur me ato që kemi paraqitur konkretisht, masën e tyre, pa nuk ka rëndësi, nëse do të jepen pará apo pas lidhjes se marrëdhënieve diplomatike.

Franc Jozef Shtraus: Për atë që biseduam në Munih me Profesorin, për këtë listë, ç’kuptohet me këtë, ndonjë ndihmë kapitale apo ndonjë ndihmë teknike, si duhet ta kuptojmë këtë listë?

Adil Çarçani: Lista që kemi paraqitur është kryesisht një liste objektesh. Shqipëria zhvillon ekonominë e saj, industrinë e saj dhe pikërisht për këtë kemi kërkuar dhënien e atyre objekteve në rrugë të ndryshme, si transferim teknologjie, bashkëpunim tekniko-shkencor, të cilat mund të përcaktohen konkretisht, por të paktën lista që kemi dhënë është konkrete dhe mund të vlerësohet edhe me një shifër konkrete (sepse ato mund të llogariten). Ne mendojmë se këto janë rrugët që mund të përcaktoheshin, mund të gjendeshin për të arritur në një përfundim të kënaqshëm

Franc Jozef Shtraus: Për atë që bisedoni ju, zoti kryeministër, sa mund të jetë vlera?

Adil Çarçani: Ne kemi paraqitur një listë emërore objektesh, por edhe një vlerësim të tyre mund ta bëjmë, por dëshiroj t’Ju them se sigurisht, ajo është një vlerë e konsiderueshme që ne kemi propozuar të jepet për një periudhë 10-vjeçare, jo brenda një viti apo 5 vjetëve, por brenda një periudhe 10-vjeçare, gjatë së cilës mund t’i merrnim ato objekte në rrugët që përmenda. Ne kërkojmë të pranohet që të hyjmë në bisedime për konkretizimin e tyre, se shqyrtimi e vlerësimi i tyre, radha e tyre mund të përcaktohen në bisedimet e mëpasshme, por duhet që pala shqiptare të ketë një garanci për propozimet që ka bërë, kurse konkretizimi i tyre mund të bëhet edhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Sofokli Lazri: Nuk i kemi kushtëzuar këto marrëdhënie.

Adil Çarçani: Për shëndetin tuaj. Po e bëjmë këtë bisedë drejtpërdrejt, pa shumë protokoll. (Pihet një dolli).

Franc Jozef Shtraus: Po, pa protokoll, edhe unë flas vetëm me gojë.

Sofokli Lazri: Pra, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ne nuk e kemi kushtëzuar, por kemi kërkuar një kontribut gjerman, që nuk e lidhim me reparacionet. Do të thoni ju, pse i drejtohemi Gjermanisë. Le të mos i referohemi reparacioneve, por ka ndonjë formë që, si të thuash, lidhet qoftë edhe në mënyrën morale, me reparacionet.

Franc Jozef Shtraus: Po Republika Demokratike Gjermane, Austria dha Italia, me të cilat keni vendosur marrëdhënie diplomatike, çfarë kanë bërë nga ana morale?

Sofokli Lazri: Pas Luftës Shqipërisë iu caktua që do t’i merrte reparacionet nga zona perëndimore, ishim ne dhe Jugosllavia, nuk na u caktua nga zona lindore.

Franc Jozef Shtraus: Nga kush u caktua kjo?

Sofokli Lazri: Menjëherë pas Luftës, në Konferencën që u bë në vitin 1945, komisioni ndër-aleat për reparacionet caktoi që Bashkimi Sovjetik, p.sh., do t’i marrë nga zona lindore, kurse Shqipëria dhe Jugosllavia nga zona perëndimore, kjo është sa për Gjermaninë Demokratike. Pastaj Konferenca e Londrës tha që ju nuk do t’i paguani. Austria ishte vetë e pushtuar. Prandaj kështu vazhduan diskutimet, ju thatë që nuk i njihnit reparacionet dhe ne e morëm parasysh këtë.

Adil Çarçani: Edhe ne nuk ngulim këmbë, mund që të paguhen jo në emër të reparacioneve dhe nuk e kushtëzojmë lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me reparacionet, vetëm që moralisht ne duam një kontribut, siç kanë marrë edhe të tjerët, në formë reparacionesh apo kredie, kjo është puna juaj, ne nuk e dimë ekzakt se si ua keni dhënë.

Franc Jozef Shtraus: Tani, si është puna, që ta lidhim këtë çështje morale me materialen?

Adil Çarçani: Gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria u dëmtua, iu vranë shumë Shqipërisë. Ju thatë se u dëmtuan më shumë disa vende si Jugosllavia e Polonia, mirëpo në raport me popullsinë Shqipëria ka pasur më shumë dëme edhe në njerëz, edhe në materiale, ka pasur djegie e shkatërrime dhe kjo është, pra, ana morale që ne kërkojmë të marrim, njohja e diçkaje legjitime, e një kontributi të madh që dhe Shqipëria ndaj këtyre dëmeve që pësoi, njohja, pra, dhe dhënia e një kompensimi për gjithë këtë kontribut të Shqipërisë dhe kjo jo si lëmoshë, por si diçka legjitime që asaj i takon.

Ne, e përsëris, nuk kërkojmë ta lidhim këtë me reparacionet, por kjo është një e drejtë legjitime që i takon popullit shqiptar, se Lufta e Dytë Botërore e dëmtoi rëndë Shqipërinë dhe ajo e pagoi shtrenjtë këtë.

Është një e drejtë legjitime e saj, në kuptimin moral, dhe mund të zgjidhet pa prekur e dëmtuar as pozitën tuaj juridike, as pozitën tonë juridike, sepse, siç e dini, kushtetuta neve nuk na lejon të marrim kredi dhe ne nuk marrim kredi. Kemi thënë e kemi propozuar konkretisht masat dhe rrugët që mund të gjenden për zgjidhjen e këtij problemi.

Franc Jozef Shtraus: Përsëri kam frikë, kam shumë frikë, se prapë kjo më duket si parakusht dhe nuk mund të them gjë.

Adil Çarçani: Madje para takimit të fundit që bëri Profesor Sofokli Lazri, të dhënat, njoftimet, takimet dhe bisedimet me personalitetet e Republikës Federale Gjermane, me iniciatorët e kësaj çështjeje dhe me persona të tjerë, bile zyrtarë, ishte thënë dhe ishte njohur që Shqipëria do të ketë një përfitim të konsiderueshëm, do të marrë një shumë të konsiderueshme dhe ishte bërë “un fait accompli”, kështu që nuk mbetej veçse të takoheshin të dy ministrat e jashtëm për të firmosur këtë çështje, kurse në momentin e fundit ne vumë re një tërheqje nga ana e palës gjermane, arsyen e së cilës nuk e kuptuam. Pra, kjo çështje mbeti e pa-konkretizuar fare, se çfarë e sa ishte ky përfitim që do të kishte Shqipëria, kjo mbeti përsëri në errësirë. Na erdhi si e papritur dhe nuk e kuptuam atë ndryshim qëndrimi, atë kthesë të menjëhershme, tërheqje, si të thuash, nga ana e palës suaj, nga ato që ishin thënë e premtuar më parë. Për këto sqarime të mëtejshme mund t’Ju japë Profesor Lazri.

Sofokli Lazri: Ne biseduam me delegacionin gjerman të Ministrisë së Jashtme.

Franc Jozef Shtraus: Kush ishte partneri juaj?

Sofokli Lazri: Braunmyler, drejtori politik. Për çështjen e reparacioneve të dy palët shprehën pikëpamjet e tyre, domethënë Gjermania Federale deklaron se nuk i njeh reparacionet, pagimin e tyre, por edhe ne, si të drejtë, nuk heqim dorë, pra të dy palët morën dijeni për pikëpamjet e njeri-tjetrit.

Franc Jozef Shtraus: Edhe të dy palët sikur të mos thoshin gjë, do të ishte e njëjta gjë.

Adil Çarçani: Të paktën kjo është deklarative.

Sofokli Lazri: Domethënë ne ngritëm çështjen e reparacioneve, pala gjermane tha pikëpamjet e saj dhe këtu e lamë.

Pika e dytë ishte te vendosja e marrëdhënieve diplomatike në shkallë ambasadorësh, pa asnjë kusht.

Një pikë tjetër ishte që Republika Federale Gjermane, në rrugën e bashkëpunimit ekonomik e tekniko-shkencor, t’ i japë Shqipërisë një kontribut. Deri këtu kemi arritur.

Franc Jozef Shtraus: Dhe ky është propozimi im.

Sofokli Lazri: Tani, ne nuk kemi rënë dakord, qe duhet të biem dakord, që ky kontribut gjerman të ketë njëfarë konsistence, të jetë në proporcion me mundësitë e me potencialin e vetë Republikës Federale Gjermane, si dhe me mundësitë e Shqipërisë. Kur i pyetëm se sa do të jetë ky kontribut, ata na thane se do të jetë 4-5 milionë marka gjermane, mirëpo 4-5 milionë marka gjermane është diçka shumë e vogël.

Adil Çarçani: Edhe shpenzimet vajtje-ardhje që janë bërë deri tani për bisedimet që kemi bërë, besoj se janë më shumë, pra diçka e papërfillshme. Duhet të na kuptoni nuk kemi kërkuar e nuk kërkojmë lëmoshë, por të drejtën tonë legjitime, siç Jua shpjegova.

Sofokli Lazri: Domethënë, ne u thamë se ne jemi për atë që ç’mund të kontribuojë Gjermania jo për një periudhë 1 vit, por p.sh. për 10 vjet. Ne do të preferonim në formë objektesh, pajisjesh të veçanta, por me 4-5 milionë marka gjermane çfarë mund të marrim, përveçse një automobil.

Franc Jozef Shtraus: Janë dy gjëra krejt të ndryshme. E di edhe këtë punën e 4-5 milionëve, por kjo 4-5 milionë do të ishte një gjest, por nuk është bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve. Besoj, kam frikë se nuk do t’ia arrijmë qëllimit, në qoftë se do të mendoni që Republika Federale Gjermane do të japë objekte si një detyrim moral për ato që thamë, është e vështirë që të bëhet. Të nisemi nga ana praktike e çështjes: Republika Federale Gjermane paguan në një vit pothuajse 7 miliardë marka në një radhë shtetesh të ndryshme, shumica e të cilave as që kanë qenë në luftë fare me ne; si në Bolivi, Brazil, Indi etj. Ministri i kësaj Ministrie është i Partisë sime dhe ai është shumë operativ në punë, kështu që nuk duhet t’ ju pengojë as juve dhe as neve që të lidhet një marrëveshje për bashkëpunimin tekniko-shkencor në bazë të së cilës ju me siguri do të merrni një ndihmë shumë më të madhe materiale sesa kjo shumë qesharake prej 4-5 milionë markash. Tanzanisë i kemi dhënë, nuk e di mirë, por gjatë disa vjetëve i kemi dhënë deri në 300 milionë marka, Angolës e Mozambikut gjithashtu. Edhe ne Azi, p.sh., Indisë i kemi dhënë shuma të konsiderueshme.

Sofokli Lazri: Në rrugën e bashkëpunimit ekonomik e tekniko-shkencor e pranojmë.

Franc Jozef Shtraus: Se si do ta rregulloni ju këtë, brenda - përbrenda shtetit tuaj, me Kushtetutën tuaj, ne nuk mund t’ju ndihmojmë dot, por, p.sh., në rastin e Tanzanisë, shumica e këtyre parave që ne u kemi dhënë atyre, është “fond perdu”. Nuk është dhënë në formën e objekteve dhe nga këto para që u kemi dhënë, ekonomia gjermane nuk ka pasur ndonjë përfitim.

Unë e kuptoj, tani e di që ju doni objekte dhe pajisje për zhvillimin e industrisë suaj, me sa kuptoj unë. Ka aq shumë paragrafë kur bëhen këto diskutime, sa që është e tmerrshme, por siç duket, paragrafi kryesor është që me paratë që duhet të japë Republika Federale Gjermane, të blihen objekte ose pajisje. Në këtë kuptim, me sa shoh unë ju pastaj ta bëni dhe të paraqitni dëshirën dhe nevojat tuaja.

Adil Çarçani: ǒformë përdorni me Tanzaninë, p.sh., ose Brazilit, ç’kushte?

Franc Jozef Shtraus: Brazilit i dhamë kredi, janë kredi shtetërore, që nuk besoj që t’i shikojë prapë Brazili ato që ka marrë. Në Tanzani ishte diçka që u bë nga qeveria jonë, por mund të them se u bë gabim që ju dhamë ato pará, por s’ke ç’i bën, kjo ndodhi. Unë e mendoj kështu, megjithëse nuk jam ekspert, por do të përpiqem që të flas për një rrugë. Ta zëmë, të bëjmë një marrëveshje 10-vjeçare, e ndarë nga marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që mund të bëhet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ose mund të bëhet menjëherë, por të na kuptoni që nuk duam të gënjejmë.

Adil Çarçani: Përkundrazi, Ju thashë që flasim drejt e sinqerisht dhe kemi besim të plotë në ato që thoni. Ne nisemi gjithnjë nga ajo që të gjejmë rrugët dhe kemi besim që mund të gjenden rrugët pa dëmtuar pozitën juridike as tuajën e as tonën.

Franc Jozef Shtraus: Ju falënderoj shumë për këtë shfaqje të besimit ndaj nesh. Ju jeni kaq të ndershëm ndaj meje, por edhe unë jam e do të jem i ndershëm ndaj jush dhe nuk kam asnjëherë ndërmend t’Ju gënjej. Ja si e mendoj unë: Them për një marrëveshje 10-vjeçare për një bashkëpunim tekniko-shkencor. Gjatë periudhës 10-vjeçare ose gjatë kalimit të këtyre 10 vjetëve, ju do të merrni një shumë të caktuar vjetore, e cila nuk ka të bëjë me këto 4-5 milionë marka, të themi, p.sh., në vitin e parë 30 milionë. Para pak kohësh isha në Siri dhe bisedova me Asadin, pothuajse për të njëjtën temë. Ne kemi dy vjet që i japim Sirisë, pra i kemi dhënë brenda dy vjetëve 220 milionë marka, mirëpo sirianët nuk janë në gjendje që t’i shfrytëzojnë këto para, sepse nuk janë në gjendje që të krijojnë projektet e tyre për të ndërtuar fabrika.

Adil Çarçani: Këtë dyshim, për rastin e Shqipërisë, të mos e keni hiç fare.

Franc Jozef Shtraus: Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Sigurisht rendimentin dhe punën tuaj në asnjë mënyrë nuk mund ta krahasoj me sirianët, e kam të qartë. U dhamë edhe të tjera dhe prapë nuk ka ndodhur gjë në Siri.

Në këtë marrëveshje 10-vjeçare, në mënyrë fleksibël, mund të shkëmbejmë edhe projekte me njeri-tjetrin, të përcaktohen fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ndoshta gjatë viteve mundet t’u afrohemi mendimeve e kërkesave tuaja, por vendosja e marrëdhënieve diplomatike janë shinat e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Këtë e harrojmë për një çast. “Shina” tjetër është Ministria Federale për Bashkëpunimin Ekonomik. Në qoftë se treni do të niset në shinat e para, unë do të veproj që ai të filloje të niset, ndoshta, në të njëjtën kohë, edhe në shinat e dyta. Kjo që do të them tani është diçka që nuk është kaq miqësore ndaj qeverisë sime. Nëpunësit e Ministrisë së Jashtme dhe kryesori politik atje na sjellin shumë pengesa, të cilat ne më vështirësi i kalojmë. Unë do të bëj një propozim konkret: Do të thërras në Munih ministrin e Ministrisë për Bashkëpunimin Ekonomik ose zëvendësin e tij, që janë miqtë e mi dhe do të ftoj gjithashtu në Munih edhe Profesor Lazrin dhe së bashku të bisedojnë konkretisht në zyrën time lidhur me këtë marrëveshje, me kufijtë e asaj, pa hyrë në problemet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet diplomatike.

Zoti Kryeministër, dëshiroj të them edhe diçka, për sa i përket legjitimacionit tim, nuk dua të flas shumë. Unë, sigurisht, jam Kryeministri i Bavarisë, jam Kryetari” i Partisë se Bashkimit Social-kristian, që është një Parti Qeveritare që ka në Bon influencën e saj, por dua të shtoj edhe diçka se ne në Bavari e ndiejmë veten si “urë të lidhjes” ndërmjet Evropës Perëndimore dhe Ballkanit. Me Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë e Jugosllavinë unë kam biseduar dhe të gjithë kanë qenë të kënaqur e më kanë falënderuar për sa i përket zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike. Kjo duhet të jetë e mundur edhe me Shqipërinë.

Adil Çarçani: Ju faleminderit për bisedën, do të ketë mundësi pas një ore të shikohemi prapë, ju ftoj për darkë, por ju them paraprakisht se pajtohem me propozimin e fundit konkret që bëtë dhe do t’i jap porosi ministrit të Punëve të Jashtme ta konkretizojë sa më parë këtë dhe t’i shtyjmë edhe me tutje bisedimet, që të arrijmë të konkretizojmë qëllimin tonë të përbashkët, vendosjen sa më shpejt të marrëdhënieve diplomatike. Shfaq besimin e plotë, sikurse e shfaqët edhe ju, se kjo do të arrihet patjetër.

Franc Jozef Shtraus: Edhe unë gëzohem shumë

Adil Çarçani: Dëshiroj të shfaq edhe njëherë konsideratën tonë të madhe për kontributin tuaj të sinqertë dhe për atë që me insistim punoni në drejtim të Shqipërisë për Zhvillimin e mëtejshëm te marrëdhënieve në të gjitha ato drejtime që patëm mundësi të bisedonim miqësisht edhe në këtë takim.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›