Gjeopolitika ruse e Euroazisë
Klasa intelektuale e vendeve të vogla, edhe ajo shqiptare, në përgjithësi merret më së shumti me politikë ditore. Në disa vende, sidomos opinioni shkencor i shteteve më të mëdha dhe me ndikim, angazhohet në përpilimin e parashikimeve studimore gjeopolitike, të cilat shkojnë deri në disa dekada më vonë. Kjo, në një mënyrë, është e kuptueshme, sepse fatin historik popujve të vegjël ua kanë përcaktuar fuqitë e mëdha. Kombet e mëdha për fatin e tyre mendojnë shumë më herët dhe krijojnë vizionin historik, ndërsa të vegjlit kënaqen me planet afatshkurtra.
Njëri prej planeve, për të cilin do të bëhet fjalë, është i përfaqësuesit më të rëndësishëm bashkëkohor të gjeopolitikës ruse, Aleksandër Dugin.
Aleksandër Dugin thotë se për t’u përgjigjur pyetjes rreth rolit të Rusisë në mijëvjeçarin e ri duhet dhënë përgjigje rreth identitetit të këtij vendi dhe identitetit të shtetit të ri rus.
Ai shtron pyetjen se çfarë është Rusia bashkëkohore. A është ajo trashëguese e Bashkimit Sovjetik? A është shtet rajonal? A është shtet mononacional? A është federatë shumënacionale? A është xhandar i Evropës? A është pion i projekteve amerikane ose territor, i cili edhe më tej duhet të copëtohet?
Për Duginin, Rusia, varësisht nga rrethanat konkrete në politikën botërore, paraqitet si shtet me pretendime për rol të veçantë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si shtet i dorës së dytë ose fushë për eksperimentime separatiste.
Në bazë të kësaj Federata Ruse është kategori e kushtëzuar me madhësi të ndryshuar e jo një fenomen politik i stabilizuar ose shtet në kuptim të plotë të fjalës. Ajo është një formacion në tranzicion në procesin dinamik global gjeopolitik. Ky mendim tek Aleksandër Dugin shfaqet për shkak të dobësive të mëdha të Federatës Ruse, para së gjithash në udhëheqjen e saj gjatë përballimit me problemet ekonomike, sociale, politike dhe të sigurisë. Para së gjithash, fundosja ekonomike, varfërimi i dhjetëra miliona njerëzve, mossuksesi në Çeçeni dhe humbja e statusit të superfuqisë.
Këto dobësi të shtetit rus Dugin i kishte vërejtur që në vitet ‘90. Ai ofron rrugët e mundshme të daljes nga kriza dhe forcimit të shtetit, ku analizon disa projekte të mëhershme duke ofruar zgjidhjen e mundshme:
a) Projekti i liberalizimit të Rusisë - Me këtë projekt liberalistët mohojnë disa kategori të rëndësishme, si populli, kombi, historia, interesat gjeopolitike, barazia sociale, faktori religjioz, ndërsa çdo gjë i adaptohet parimit maksimal të efikasitetit ekonomik dhe në primatin e individualizmit, konsumit dhe tregut të lirë. Dugin vjen në përfundim se liberalët rusë nga Rusia duan të krijojnë një shoqëri, e cila historikisht nuk ka ekzistuar asnjëherë këtu.
b) Projekti i kundërt nga i pari është ai i ashtuquajtur nacional-patriotik i opozitës ruse, i cili dallohet në konceptin e vet në bazë të grupeve të ndryshme që përfaqësojnë këtë opozitë e që e përbëjnë komunistët, që promovojnë rolin e fuqishëm të shtetit dhe përkrahësit e grupacioneve monarko-ortodokse që janë për një shtet të tipit carist. Këtë koncept ai e quan caristo-sovjetik.
Që të dyja projektet në të vërtetë, sipas Duginit, ofrojnë rrugë të pakthyer për vendin dhe historinë e tij. Të parët (liberalët) propozojnë fshirjen e veçorive nacionale ruse në epokën kozmopolite “fundi historik”, ndërsa i dyti (caristo-sovjetik), angazhohet për ripërtëritjen e kombit dhe shtetit në ato forma dhe struktura që sollën deri te shkatërrimi i ngadalshëm i Rusisë.
Në vend të dy koncepteve, Aleksandër Dugin propozon projekt-idenë ose “Rrugën e tretë”, e cila është një konglomerat i elementeve të përvojës historike dhe shtetërore ruse dhe botëkuptimit të disa filozofëve, politikologëve, sociologëve dhe ekonomistëve rusë dhe të huaj që më parë ishin margjinalizuar.
Dugin mendon se për dallim nga popujt e tjerë, populli rus është bartës i një civilizimi autokton dhe se “populli rus” është konstantja civilizuese që shërben si bazë për ndërtimin e më shumë se një shteti: nga principatat e Evropës Lindore e deri te Rusia moskovite; perandorisë së Pjetrit të Madh dhe bllokut sovjetik. Dhe ai konstaton se shteti rus nuk ka formuar kombin rus, përkundrazi, kombi ka formuar shtetin rus. Ai po ashtu vjen në përfundim se populli rus është “popull Mesijan”.
Si karakteristikë themelore të popullit rus ai e merr pozitën gjeografike si pozitë “në boshtin gjeografik të historisë” në zemër të Euroazisë. Mandej, populli rus është pajisur me religjion dhe kulturë specifike, e cila dallohet nga religjioni katolik-protestant i Perëndimit. Rusia dhe Perëndimi paraqesin dy modele civilizimi, të cilët në mes veti përjashtohen. Rusët asnjëherë nuk kanë tentuar të krijojnë një shtet monoteist, por të krijojnë një perandori që në vete përfshijë shumë popuj, kultura dhe religjione dhe këtu shihet universaliteti i popullit rus.
Në rrethanat konkrete gjeopolitike populli rus hap pas hapi realizoi këto postulate metafizike duke i bashkuar në fillim sllavët e Lindjes, mandej duke i bashkuar stepat me popullatë turkofone. Me këtë formohet një bllok gjigant, njëherë perandori, pastaj republikat sovjetike, por në çdo kohë me të njëjtin motiv, siç thotë Dugin, realizimin e “idesë absolute”; sjelljen e Rusisë në shtet regjional, d.m.th., humbja e dimensioneve perandorake të saj, gjë që sjell fundin e pjesëmarrjes së Rusisë në civilizimin botëror.
Një pyetje që vetvetiu shtrohet këtu është: Po qe se rusët kanë qenë gjithmonë të inspiruar me këto parime të shenjta, si u bënë të mundura katastrofat gjeopolitike të viteve 1917, shembja e carizmit dhe e vitit 1991, rënia e Bashkimit Sovjetik? Edhe për këtë ai ka përgjigje arsyetuese. Sa i përket Bashkimit Sovjetik dhe shkatërrimit të tij ai potencon disa elemente: në planin ideologjik janë komponentët nacionale, tradicionalë dhe shpirtërore, të cilët asnjëherë nuk janë vënë dhe aprovuar në shoqërinë sovjetike. Kurse në anën tjetër janë promovuar ateizmi, materializmi dhe progresizmi, të cilat janë dukuri të huaja për shpirtin rus.
Shkaku tjetër ishte se Bashkimi Sovjetik në të gjitha anët e tij ishte i rrethuar me kufij tokësorë, ndërsa kundërshtari i tij, SHBA, ishte i rrethuar me oqeane, çka ia ka lehtësuar shumë mbrojtjen e tij. Në anën tjetër, Bashkimi Sovjetik në kufijtë e vet kishte shumë shtete që SHBA direkt i kontrollonte: Pakistanin, Afganistanin, Iranin para Khomeinit dhe Kinën, e cila armiqësisht ishte e disponuar ndaj Bashkimit Sovjetik. Këto rrethana dhe garat e forta gjeopolitike bënë që Bashkimi Sovjetik të humbte shumë shpejt fuqinë e tij, ndërsa Amerika përkundrazi, i forcoi pozitat e saj edhe më tepër. Në këtë dobësim ndikim të madh kishte edhe aparati i madh burokratik i centralizuar dhe ekonomia e planifikuar.
Pas Revolucionit të Tetorit në Rusi u shfaqën kërkesa që ajo t’i kthehet parimit “Ortodoksia, vetë shtetësia, kombi”, i cili ishte i periudhës cariste, por kjo parullë ishte diskredituar që nga periudha e pararevolucionit, sepse ishte vetëm një demagogji e sunduesve caristë dhe mosrespektimi i këtij parimi e shkatërroi atë sistem.
Në vend të kthimit në të kaluarën, pa marrë parasysh në Rusinë Cariste ose në ish-Bashkimin Sovjetik, Dugin propozon formimin e një krijese të re gjeopolitike, e cila në çdo aspekt do të dallohet nga dy të mëparshmet. Fjala është për krijesën e ashtuquajtur “EUROAZIA”, si perandori që nuk do të jetë shtet regjional “shtet, i cili nuk do të ndikonte në politikën globale”. Perandoria e re, sipas mendimit të tij, do të ishte një bllok strategjik dhe gjeopolitik, i cili do t’i tejkalonte parametrat e një shteti të thjeshtë dhe do të paraqiste shprehje të një vullneti të veçantë civilizues. Në karakteristikën e tij nuk do të hynte materializmi, ateizmi dhe ekonomocentrizmi, i njëjti do të duhej të kishte kufijtë ujorë apo blloqe shtetesh miqësore në kufijtë tokësorë. Kjo krijesë do të ishte e obliguar të respektonte veçoritë etnike, religjioze, kulturore dhe morale të regjioneve që përfshin. Në aspektin ekonomik ky shtet duhet të ketë ndikim në ekonominë e vendit, por vetëm në planin strategjik. Përveç karakteristikave të përmendura Dugin mendon se në perandorinë e re duhet të bëhet një revolucion i konservuar ortodoks, ku populli e jo individi të jenë kategori juridiko-politike themelore. Në planin ndërkombëtar në vend të sllavofilisë duhet orientuar në afrimin me Japoninë dhe Gjermaninë.
Ideja e Aleksandër Duginit për “Euroazinë” në shikim të parë duket si një fantazi e tij, mirëpo, po qe se analizohet me vëmendje ideologjia putiniste, shumë prej elementëve të parapara në projektin e Duginit janë të përfshira në programin politik të Vladimir Putinit.