E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat, pagesat nga ligji i amnistisë përdoren për të fshehur mosrealizimin

Nga Fitim Zekthi

Të ardhurat e mbledhura nga administrata e tatimeve dhe e doganave gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë mosrealizim më shumë se vlera që raportojnë të dhënat e qeverisë shqiptare. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë me dije se gjatë tre muajve të parë të këtij viti mosrealizimi i të ardhurave ka qenë me 45 milionë euro, por në totalin e të ardhurave janë përfshirë edhe paratë që janë paguar nga subjektet për shkak të ligjit të amnistisë fiskale, i cili fali gjoba apo kamata të bartura dhe disa lloje të tjera detyrimesh. Këto pará sigurisht që do të raportoheshin te të ardhurat, por ato nuk janë të ardhura që kanë të bëjnë me aktivitetin e tashëm të ekonomisë, me shitjet, xhirot, numrin e njerëzve në punë etj. Të ardhurat që janë mbledhur nga pagimi i detyrimeve të bartura për shkak të ligjit të amnistisë fiskale, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kapin një vlerë që shkon mbi 7 milionë euro. Kjo do të thotë se të ardhurat reale që ka mbledhur administrata e tatimeve dhe e doganave gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë patur një mosrealizim më të madh se sa thotë Ministria e Financave. Ministria e Financave ka bërë me dije zyrtarisht se të ardhurat e tre muajve të parë të këtij viti janë poshtë planit të këtij viti, por janë megjithatë 3% më shumë se sa ishin vjet në këtë kohë, çka sipas Ministrisë së Financave tregon se ekonomia është duke u rritur dhe se ajo nuk ka hyrë në krizë. Në të vërtetë, ekonomia shqiptare është ngadalësuar dhe fakti, nëse ajo ka hyrë në krizë, nuk mund të dëshmohet thjesht nga niveli i të ardhurave, pavarësisht se ato janë një tregues. Duke zbritur vlerën e parave të mbledhura nga administrata e tatimeve dhe doganave për shkak të ligjit të amnistisë fiskale, të ardhurat e tre muajve të parë të këtij viti nuk janë njësoj me ato të një viti më parë. Mbledhja e të ardhurave ka nisur të kthehet në shqetësim të madh për buxhetin e shtetit, pasi kjo gjë mund të thellojë deficitin buxhetor dhe të vërë në vështirësi edhe tregues të tjerë të ekonomisë në vend. Shpenzimet qeveritare për tre muajt e parë të këtij janë realizuar thuajse plotësisht dhe kjo ka bërë që deficiti të kalojë parashikimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›