E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDJENJAT E "PALLATIT" DHE MENDIMET E "KASOLLES"

Ndryshe mendohet në pallat dhe ndryshe në kasolle. Do të kalonin shekuj, do të lulëzonin rryma filozofike, do të ndërroheshin sisteme politike, rende botërore, qeveri e pushtete. Por thënia e filozofit klasik gjerman, Fojerbah, rezistoi. Dhe vlera e saj po ashtu. Nga pallatet dhe kasollet (lexo: qeverisësit dhe të qeverisurit) të njëjtat probleme, shifra, fakte dhe ndodhi lexohen në mënyra të ndryshme. Kjo po ndodh edhe me krizën, që po troket në ekonomitë dhe tregjet botërore. Dhe që, duam apo nuk duam, po troket në ekonomitë tona, kombëtare e familjare.

1. Presidenti fqinj dhe zyrtari shqiptar

Presidenti i një vendi fqinj me Shqipërinë, në shenjë solidariteti me masat antikrizë të qeverisë së tij, vendosi para pak kohësh, anulimin e udhëtimeve të kushtueshme. Në të njëjtën ditë, një zyrtar i lartë shqiptar thirri në zyrë nëpunësin e udhëtimeve dhe i kërkoi programimin e ngjeshur të tyre gjatë pjesës së mbetur të mandatit. "Ta mbyllim me sa më shumë suksese këtë mandat!", tha zyrtari me një ton, që nëpunësi i udhëtimeve e mori si ironi. Dhe u largua. Presidenti i vendit fqinj e mori vendimin e mësipërm kur vendi i tij ende nuk ishte përfshirë nga kriza. Megjithatë, ai nxitoi t‘u japë qytetarëve të tij një mesazh: "Kujdes, mos bëni shpenzime të tepërta e të panevojshme!". Mesazhi i drejtohej gjithashtu qeverisë së tij: "Kujdes me programimin e shpenzimeve dhe bëni gati një paketë antikrizë!". Të dy palët, edhe qytetarët, edhe qeveria e kuptuan këtë mesazh. Vendi fqinj me Shqipërinë nuk ishte në prag të një fushate elektorale. Kështu që masat antikrizë shpëtuan nga makthi elektoral dhe pasionet e verbra pushtetmbajtëse. Nga Pallati Presidencial mesazhi shkoi drejt Pallatit Qeveritar dhe qytetarëve të thjeshtë. Dhe ‘Pallati‘ e ‘Kasollja‘ reaguan njëlloj. Ndërkohë, zyrtari i lartë shqiptar, tregoi se është në të njëjtën linjë me qeverinë e vet për perceptimin e krizës. Ajo është kudo, por vetëm në Shqipëri jo. ‘Pallati‘ dhe ‘Kasollja‘ në vendin fqinj kanë ndërtuar një aleancë kundër krizës. Duke e ditur se nuk mund ta pengojnë atë të kapërcejë kufijtë e tyre, po marrin masat për ta përballuar: me realizëm, me zgjuarsi, me rialokime burimesh.

2. Zyrtari i lartë dhe intelektuali

Pak ditë më vonë, një koleg i zyrtarit shqiptar të mësipërm, në njërën prej ndërtesave ministrore në qendër të kryeqytetit, urdhëroi specialistin e prokurimeve të shtonte në planin e prokurimeve blerjen e një automjeti luksoz. "Full options", i shpjegoi ai, në gjuhë të huaj, nëpunësit të hutuar. Sepse nuk mund të ecim më me atë karakatinë". "Karakatinë? - i shpëtoi fjala nëpunësit, -ky automjet është blerë vetëm një vit më parë!" "Zbato urdhrin!", ishte përgjigjja. Në të njëjtën ditë, në banesën e tij në pjesën perëndimore të kryeqytetit, një intelektual i njohur, ekonomist, i lauruar në një prej universiteteve më të njohura të Perëndimit, konsulent i disa organizatave të njohura ndërkombëtare në Tiranë, sistemoi në garazh makinën e tij modeste dhe nxori që andej biçikletën. "Eshtë veprimi i duhur për momentin", u shpjegoi kolegëve të tij. Zyrtari mori frymë i lehtësuar, nëpunësi i prokurimeve mori masat për të zbatuar detyrën e eprorit, ndërsa ekonomisti vazhdoi i qetë jetën e tij: me ndryshimin që këtej e tutje nuk lëviz më me makinë, por me biçikletë.

Zyrtari dhe nëpunësi, si pjesë e ‘Pallatit‘, nuk e dimë ku i kanë gjetur këto frymëzime jokrize. Optimizmi i tyre është qartësisht elektoral, ndërsa realizmi i ekonomistit buron nga aftësitë, instinktet dhe liria e tij. Instinktet e shtyjnë drejt marrjes së masave dhe liria e bën të kujdesshëm e të dobishëm për vete dhe për ata që e rrethojnë. Me gjestin e tij modest, zëvendësimin e makinës me biçikletën, ai dha një mesazh antikrizë. Mesazhet e padobishme të zyrtarëve të lartë të ‘Pallatit‘ i jep shtypi, televizioni, mitingjet elektorale, posterat që ndriçojnë gjithandej dhe reklamat qeveritare. Mesazhin e tij të dobishëm, për të cilin kanë nevojë shumica e shqiptarëve, ekonomisti ua tha natyrshëm disa kolegëve të vet. Dhe unë po ua kaloj lexuesve.

3. Ndërkombëtari dhe emigranti

Para pak ditësh, titullarit të përfaqësisë së njërës prej organizatave të rëndësishme ndërkombëtare në Tiranë, duke folur për temën e emigrantëve, i shpëtoi edhe paralajmërimi i mëposhtëm: "Kujdes! Kriza mund të sjellë një kthim të detyruar të emigrantëve shqiptarë. Për pasojë, pritet një rritje e kriminalitetit!". Në të njëjtën ditë, në njërën prej pikave të kalimit të kufirit në Shqipërinë jugore, ndër shumë të tjerë, hyri edhe një emigrant shqiptar, së bashku me të shoqen. Në një kamionçinë të vogël, ai kishte ngarkuar disa vegla të domosdoshme pune. "Kam marrë dy javë leje, - iu shpjegua ai disa të njohurve të tij, që takoi rastësisht, - për të sistemuar disa punë në fshat dhe të mbjell tokën që kam lënë djerrë prej vitesh. Pastaj do të rikthehem në punën time. Nëse ndodh ndonjë e papritur, do të jetoj përkohësisht në fshat dhe do të sistemoj e shfrytëzoj tokat e mia".

Etiketimi i emigrantëve, sidomos emigrantëve shqiptarë, si burim delinkuence dhe keqbërjesh, nuk është një lajm i ri në mjediset e vendeve pritëse. Politikanë pasionantë, dritëshkurtër e të verbuar nga makutëria e votave të ekstremistëve dhe të varfërve, sidomos në prag të fushatave elektorale (fatkeqësisht ato po bëhen gjithnjë e më të shpeshta), sindikalistë proteksionistë, që kërkojnë të mbrojnë punëtorët vendas në shkëmbim të mbështetjes, anarkistë antiemigrantë dhe antishtet, reporterë e analistë të përciptë, përpiqen të shkarkojnë trazimet e shoqërive të tyre në shpinë të emigrantëve. Emigrantët demonizohen dhe emigrantët shqiptarë janë, sipas tyre, demonët e demonëve. Ajo që nuk shkon është se këto perceptime emocionalo-elektorale vijnë në ndonjë rast nga emisarë diplomatikë dhe figura publike që nuk janë nën trysninë e votës. Ndoshta këto etiketime i prodhon leximi i përciptë i medias ose leximi i përciptë i realitetit prej saj. Ndoshta kultura e tyre, ku i dihet...! Në të gjitha rastet, dëmi që shkakton ‘Pallati‘ është i madh dhe poshtërues për emigrantët. Megjithatë, emigranti shqiptar as që deshi t‘ia dijë për këto pasione dhe deduksione ndërkombëtarësh. Ai mbërriti i qetë me bashkëshorten dhe kamionçinën e vet, festoi Pashkët, mbolli tokën dhe u kthye në strehën e vet në vendin fqinj. "Pas dy muajsh, do të kthehem përsëri, -u tha prindërve të moshuar, ndërsa e përcillnin, - edhe t‘ju shoh ju, por edhe të shoh tokën".

4. Blloku i ri i shitësit të vjetër

Kjo ngjarje është ende më e freskët. Në të njëjtën ditë që INSTAT dhe dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare në Tiranë, që promovojnë zhvillimin, deklaruan se varfëria e shqiptarëve është ulur në nivelin 12 për qind, pra është barazuar me nivelin e varfërisë në SHBA, në dyqanin poshtë apartamentit tim, shitësi i vjetër hapi një bllok të ri me listat e borxhlinjve të lagjes dhe i ktheu tregut të shumicës prej nga merrte mallrat, gjysmën e ngarkesës ditore: "Nuk ecën, - u justifikua. Nuk kam ç‘të bëj. Njerëzit blejnë gjithnjë e më pak dhe borxh kërkojnë gjithnjë e më shumë!".

Nuk dua të hyj në saktësinë e anketave të matjes së standardit të jetesës në Shqipëri. Ato janë kompetencë e institucioneve që i kryejnë. Ata dinë të zgjedhin intervistuesit, modelin, kampionin, metodën e anketimit, periudhën e intervistimit, programin e përpunimit, mënyrën e analizës, filozofinë e interpretimit dhe qëllimet e publikimit. Por blloku i ri i shitësit të vjetër dhe pakësimi i produkteve nga tregu i shumicës, shënojnë një krisje të re midis mendimeve të ‘Pallatit‘ dhe të ‘Kasolles‘. Madje, ajo që është më kryesorja, ‘Kasollja‘ që duhet kryesisht të ndiejë, ka filluar të mendojë. Ndërsa ‘Pallati‘, i cili duhet të flasë nëpërmjet mendimit, ka filluar të na flasë nëpërmjet ndjenjave. Jo njerëzore, por elektorale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›