NDRYSHIMET NE KUSHTETUTE
Paketa e PD-se, me shume pushtet Berishes
Rivaliteti për të dominuar të djathtën, duket se ka detyruar kryeministrin Sali Berisha që nëpërmjet mazhorancës së tij, të kërkojë miratimin e disa ndryshimeve kushtetuese, të cilat ndërmjet të tjerave synojnë të vendosin nën kontroll Presidentin e Republikës dhe aleatët. Nëpërmjet një pakete të tërë amendamentesh kushtetuese, të prezantuara në Komisionin Parlamentar të Ligjeve në emër të grupit të Partisë Demokratike nga deputetja Arenca Trashani, shumica e kontrolluar nga lideri i së djathtës kërkon që të sanksionojë në Kushtetutë një kufizim të së drejtës së kreut të shtetit për dekretet. Bëhet fjalë për ndryshimin e nenit 93 të Kushtetutës, sipas të cilit, të gjitha dekretet e nxjerra nga Presidenti, përpara se të marrin fuqi vepruese, duhet të kundërfirmohen nga Kryeministri apo ministri i linjës. Kështu, neni 93 ekzistues përcakton se "Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete", ndërsa sipas propozimit të bërë përveç pjesës ekzistuese të nenit, shtohet dhe pjesa "Dekretet e Presidentit kundërfirmohen nga Kryeministri ose ministri përkatës, me përjashtim të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, në përputhje me nenet 87 dhe 104". Në këtë mënyrë Kryeministri duket se zgjidh edhe problemin e rrëzimit të ligjeve me dekret nga ana e Presidentit, pasi tashmë, në raste të tilla, do të mjaftonte kundrafirma e kreut të ekzekutivit për t'i dhënë këtij ligji fuqi vepruese. Ose, e anasjella, një dekret të Topit, Berisha do ta "ndalonte" ose ndryshonte duke pasur të drejtën e firmës.Një tjetër ndryshim tendencioz nga ana e shumicës është edhe ai me nenin 104 të Kushtetutës, që ka të bëjë me të drejtën e Kryeministrit për të ndërmarrë nismën e mocionit të besimit ndaj Këshillit të Ministrave. Me anë të ndryshimit të propozuar Kryeministri arrin të vërë nën kontroll aleatët dhe deputetët e vet, të cilët në rast të rrëzimit të një mocioni besimi, atëherë kryeministrit i jepet e drejta t'i kërkojë kreut të shtetit të shpërndaj Parlamentin. Sipas amendimit të propozuar, kërkohet që "Kryeministri ka të drejtë t'i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit". Ndërkohë që, në pikën 2 të këtij neni parashikohet që "President shpërndan Parlamentin brenda 10 ditësh nga marrja e kërkesës". Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i hedhur për diskutim në tryezën e Komisionit të Ligjeve, ishte dhe ai për përcaktimin e rregullave dhe mënyrës së zgjedhjes së Presidentit. Nisur nga problematika që u has në verën e shkuar, ku mungesa e 2/3 të votave për zgjedhjen e presidentit rrezikoi çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, PD, ka vendosur që të ndryshojë praktikën e votimit për zgjedhjen e presidentit, ku në votimin e 5 dhe të fundit parashikohet që për të zgjedhur kreun e shtetit mjaftojnë një shumicë e thjeshtë 50 për qind, plus 1 votë. Sipas amendamentit të bërë, neni 84 parashikon që "Zgjedhja e Presidentit zhvillohet ne dy raunde. Ky propozim rrëzon edhe kërkesën e vazhdueshme, të mbështetur edhe nga presidenti aktual, Bamir Topi, për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm nga populli. Gjithashtu në amendimet e paraqitura nga PD, parashikohet dhe kufizimi i mandatit të Kryeprokurorit në 5 vjet.