E Diel, 1 Nëntor 2026

NJË LIBËR I RRALLË QË KA FORCËN TË NDRYSHOJË

Kohet e fundit në revistën angleze “nthposition” është botuar një ese për librin me poezi të Visar Zhitit, “Molla e dënuar” (“The condemned apple”), vëllim në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, edicion i Shtëpisë së njohur Botuese “Green Integer” në Los Angeles, SHBA. Përzgjedhja e poezive dhe përkthimi janë bërë nga albanalogu i shquar kanadez Robert Elsie.
Esenë e përkthyer po jua dërgojmë të plotë me dëshirën për ta botuar në gazetën tuaj, sepse paraqit vlera estetike dhe etike, aq shumë të nevojshme sot, jo vetëm për lexuesin, por edhe për qytetarin shqiptar.
.................................................

“Molla e dënuar” është një libër poezish nga më trubulluesit që kam lexuar. Visar Zhiti u rrit në Durrës, port në bregdetin Adriatik. Poezitë e para i botoi në revistat letrare, teksa përgatiste vëllimin e parë të poezive “Rapsodi e jetës së trandafilave “.

Nëse do të jetonte në Irlandë apo Angli, Visarit do t’i jepej çmimi Forward apo dhe do të ftohej të paraqiste vëllimin e tij në Festivalin Ledbury apo në Cuirt. Edhe mund të ndodhte të bënin sikur ta harronin dhe, në nje rast kështu, pa dyshim ai dhe mund ta përfliste këtë gjë me miqtë. E tillë është jeta e poetit. Te paktën nga ajo që dimë. Po Visar Zhiti nuk jeton në Brighton apo në Galway; ai mbijeton në një vend që ishte nën rregjimin absolut të stalinistit fanatik Enver Hoxha , që e bënte Nikolau Çausheskun të dukej një liberal i mirë në krahasim me të. Enver Hoxha ishte një maniak me proporcione të hatashme. Pasi u prish me Bashkimin Sovjetik, kur Hrushovi pranoi gabimet e bëra nga Stalini, dhe më pas me kinezët, të cilët pas vdekjes së Mao-s ndërprenë të ashtuquajturin Revolucion Kultural dhe nxorrën në gjyq “bandën e të katërve“ ku përfshihej edhe gruaja e Mao-s, Hoxha dënoi Bashkimin Sovjetik, Republikën Popullore të Kinës (dhe satelitë të tjerë të tyre, që nga Kuba e deri te Korea e Veriut) si “revizionistë borgjezë“. Nga mesi i viteve 70 Shqipëria ndërpreu kontaktet diplomatike dhe ekonomike me pjesën tjetër të botës komuniste dhe zyrtarisht ishte “i vetmi vend socialist në bote”, por në të njëjten kohë ishte edhe vendi më i keq në botë. Vetëm regjimi i Polpotit ia kalonte regjimit shqiptar. Pra nuk ishin rrethanat që të mund të botohej koleksioni i pare i poezive të Zhitit, megjithëse kishte paraqitur dorëshkrimin e tij të parë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, kur filloi “spastrimi i liberaleve” në Sezionin Plenar të Partisë Komuniste në Tiranë. “Liberalët“ në fjalë ekzistonin më shumë në fantazinë e Enverit, por kjo nuk kishte rëndësi, duhej bërë një spastrim medoemos. Dhe Zhiti e vuajti si pasojë: Vepra e tij u zbulua si “nxirje e realitetit socialist”. Dy anëtare të Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artistëve – emrat e tyre janë dhënë vetëm me iniciale R.V. dhe P.K. - përgatitën një “akt-ekspertizë“ mbi veprën poetike të Visar Zhitit, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme . Të dy lakejtë me shumë zell i dorëzuan autoriteteve më 24 tetor 1979 relacionin prej 12 faqesh të kësaj akt-ekspertize. Dy javë më pas Visar Zhiti u arrestua.
U lirua nga burgu me 28 janar 1987, pasi qe flakur në gulagun shqiptar, i detyruar të punojë si skllav në ferrin e minierës së Spaçit.
“Akt’ekspertiza“ është ribotuar e plotë në fund të librit. Të rrëqethet mishi kur e lexon, sepse ndëshkimi më mizor i bëhet “gjuhës së errët” dhe natyrës “ hermetike “ të poezive të Zhitit, gjë që më kujton ato që kam degjuar të thuheshin nga miq socialistë, disa prej tyre tani ish- miq, për veprat e poetëve si Medbh McGucikian dhe John Ashbery. Një pjesë e mirë e kritikës letrare të majtë, sidomos, siç duket në shtypin e vogël, është e lidhur ende me qëndrimet staliniste. Tani kanë mbetur pak stalinistë dhe midis tyre pa dyshim ka edhe në letërsi që flasin si Trocki “nuk ka vijë partie në art”, por veprojnë si Stalinër, gjithë ndëshkime dhe zilira të zeza, kur flitet për poezinë që i tejkalon apo nuk i shërben çështjes së tyre.
Me të keqijat dhe të mirat, ne, që jetojmë në botën perëndimore, jemi të paktën të lirë të shkruajmë atë që duam. Poezitë tona mund edhe të injoroheshin, kjo është çështje tjetër, po Medh McGucikian nuk rrezikonte të denoncohej nga Ministria e Brendëshme për faktin që ai nuk ështe Adrian Mitchell apo Linton Johnson.

Por ata arritën ta përndjekin Visar Zhitin për obskurantizëm në poezi. R.V dhe P.K. të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e dënojnë atë pse thotë atë që ata s’duan të degjojnë, ja p.sh.: “Në poezinë ‘Xhulisë’, një vajzë malësore ndjek studimet, e veshur me një xhaketë të vjetër ushtarake, që i dhanë vëllait, kur mbaroi shërbimin ushtarak. Synimet e poetit janë të qarta këtu. Në këto poezi ai kërkon të nxijë jetën tonë dhe shpif për mirëqenien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si për gjithë popullin, edhe malësorëve tanë.”
E vetmja kritikë që kam për këtë libër është se poezitë goditëse, ato të cilave u referohen R.V. dhe P.K. në akt-ekspertizën e dënimit nuk përfshihen të gjitha. Do të ishte shumë interesante të na jepej mundësia të lexoheshin. Në këtë vëllim mbizotërojnë poezi që Visar Zhiti i shkruajti gjatë viteve në burg. Duke mos patur të drejtën të kishte letër e penë, kur ishte në qeli, ai i krijoi me mend dhe i nguliti në kujtesë të gjitha poezitë duke u përpjekur kështu të mos humbiste dhe mbamendjen. Përkthimi i vëllimit nga shqipja në gjuhën angleze, pa dyshim, ka humbje. E megjithate përkthimi i Robert Elsit është i fuqishëm dhe prekës. Nga poezitë më të bukura ndoshta është dhe “Çastet ikin”:

Ikin çastet
si morrat
nëpër trupin tim.

Në këtë llogore burgu
plot baltë vuajtjesh
rri dhe pres.

Sa keq
Të jesh luftëtar
pa luftra.

(1982)

Në poezine e shkëlqyer “Banjoja e të burgosurve“, e krijuar kur ai ndodhej ne burgun e Qaf- Barit në korrik te vitit 1983, Zhiti tregon se si edhe në rrethanat më të tmerrshme njeriu kapet pas sensacioneve që mund të të japin edhe kënaqesi, sado vogëlane:

Më lëpin me gjuhë uji i dashuruar,
u lehtësova i tëri.
Hija e telave me gjemba
si tatuazh skllavi
nxin mbi lëkuren time.
Po unë po lahem,
e humba peshën si në një realitet tjetër

Në poezinë që ka marrë dhe titullin vëllimi, Zhiti kapet pas humanitetit nga fija më e brishtë, „Unë, si i marrë, ulërij në heshtje: Ej, ti, bote! Dhe në më ke harruarr, unë jo…“
Dhe në një farë mënyre, profetikisht, kështu ndodhi, sepse regjimi ra ne 1990 dhe Visar Zhiti doli nga gulagu, pra ky është një libër, për fat, me një fund të lumtur: Poeti ruajti shëndetin e mendjes dhe mbizoteroi.
Në poezinë „Zyra e dikurshme e diktatorit, pranë së cilës punoj“ ai arrin madje të vizitojë zyrën e torturuesit të tij dhe - jehonat e Hannah Arendt - sheh se ai ishte një vend shkretimisht zymtan, jashtë imagjinatës: “As humnera denimesh. Nga sirtarët s’dalin tyta armesh si sy dedektivesh metalike. Rri i heshtur. Fytyrëzbardhur. Sikur të kem dalë nga një sëmundje e gjatë.“
Ky libër poezish lindi si realiteti i një makthi tejet të keq. Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’i ndryshojë lexuesit vizionin mbi boten. Merreni dhe mbajeni fort. Eshtë dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit 20, degjeneruan në një tirani të përditeshme.

përktheu nga anglishtja
Mira Xhiku
_______________________________________________________________________
*KEVIN HIGGINS është poet, kritik i njohur letrar dhe botues anglez. Ka lindur në Londër më 1967. Krijimtaria e tij, përveç Anglisë, është botuar dhe në Belgjikë, Zelandën e Re, SHBA, etj. Si poet ka marrë pjesë në shumë festivale botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›