E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një betejë e lashtë që i mungon madhështia

Pushteti është joshës, kjo është kategorike. Nuk ka as politikanë dhe as gazetarë të suksesshëm që e kanë ngritur profilin e tyre duke qenë indiferentë ndaj pushtetit. Në thelb të njerëzve me profil publik të lartë (të çdo profesioni), qëndron dëshira për dominim (pushtet), ndryshon vetëm mënyra e përmbushjes së saj.

Nuk mbaj mend kush ka thënë se po të mos isha bërë poet, do të isha bërë diktator.

Në një konflikt pushtet-media, ne nuk duhet të biem pre e emocioneve dhe të bëhemi palë e ndikuar nga detajet e ditës. Ky është një konflikt i përhershëm dhe asnjëherë nuk mund të kërkojmë shuarjen e tij sepse nuk kemi - dhe kurrë s‘do ta kemi - pushtetin e mjaftueshëm për t‘i dhënë fund një herë e mirë.

Në diktaturë, ky konflikt zgjidhet me dhunë, më i forti (pushteti politik) e mposht për vdekje tjetrin (median). Demokracia e ka ngritur në një nivel më të lartë këtë sport të egër: ua ka nënshtruar rregullave dhe e ka kthyer në argëtim.

Dallimi mes një ndeshjeje të lashtë gladiatorësh dhe një ndeshjeje boksi të kohëve moderne, nuk janë as personazhet, as arenat, as publiku dhe as qëllimet e të gjithëve, por rregullat e lojës. Në boks fitorja nuk konfirmohet me vdekjen e tjetrit. I forti nuk ka të drejtë, madje ndëshkohet, nëse e godet për vdekje tjetrin dhe asnjëra palë nuk ka të drejtë të godasë palën tjetër poshtë zonës së ndaluar. Të gjitha këto, në një ndeshje moderne, i vëzhgon gjyqtari dhe ai, duke ndëshkuar, sipas fajit, vë kufirin për të ndalur teprimet që, me raste, janë fatale.

Megjithatë, në një vend ku lojtarët nuk janë familjarizuar me rregullat e lojës, toleranca parashikohet të burojë nga më i forti. Edhe kjo, është një manovër për të konsoliduar epërsinë (dominimin).

Kur Presidentit francez, Sharl De Gol, i sugjeruan që Sartri të arrestohej, si kundërshtar i qeverisë, ai u përgjigj: "Volteri nuk burgoset".

De Goli nuk ishte admirues i shkrimtarit komunist, por perspektiva historike i kujtoi pasojat: Volteri u burgos në Bastijë më 1726, por, për shkak të valës së madhe të njerëzve që e vizitonin, ai u kthye në shqetësim për autoritetet, saqë u detyruan ta lirojnë. Duke toleruar kundërshtarin e tij më të egër, De Goli prodhoi një batutë dhe një dimension tjetër të portretit të tij në histori.

As historia shqiptare nuk është e varfër. Faik Konica ishte kritikuesi më i egër (dhe i egër është një fjalë shumë e butë në këtë rast) i Ahmet Zogut në të gjitha fazat e pushtetit të tij. Megjithatë, Zogu nuk nguroi ta emëronte atë ambasador të tij në SHBA, edhe pse kjo nuk e zbuti Konicën.

Në vitin 1938, tri motrat e Zogut bënë një vizitë në SHBA. Abdurrahman Saliu, shoqëruesi i princeshave, i kënaqur nga devotshmëria e Konicës, i kërkoi ambasadorit ndonjë mesazh me gojë për mbretin. Konica, pasi mori besën se fjalët do të përcilleshin me besnikëri, i tha: "Atëherë thuaji mbretit se sado që janë të drejta kritikat e mia për regjimin e tij, unë do t‘i kufizoj ato brenda qarqeve shqiptare, ndërsa jashtë këtyre qarqeve unë do ta mbroj regjimin me gjithë aftësitë e mia. Unë do të vazhdoj t‘i shërbej mbretit me besnikëri dhe pa u grindur, sepse unë jam përfaqësues i tij dhe ai është Kryetari i Shtetit Shqiptar. Por personalisht unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij". Dhe Konica vazhdoi t‘i shërbente deri në fund mbretit që e përbuzte.

Një shembull tjetër i një beteje të nivelit të lartë është përballja e Konicës me Nolin. "Heronjtë e Homerit shkëmbenin fjalë të ashpra", thotë Konica në portretin e Nolit, 1938 - "pastaj bashkoheshin, si më parë. Sado që s‘jemi si ata heronj, m‘u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam luftuar aq shumë kohë si shok, dhe pak kohë si kundërshtar".

Pas betejave, të qetësuar, të dy kanë shkruar për njëri-tjetrin, Konica me respekt, Noli me adhurim.

Lufta që sot na duket e poshtër, gjithmonë kaq e poshtër ka qenë. Të sotmes i mungojnë veç grimcat me të cilat perspektiva e duhur historike do t‘i jepte një shkëlqim madhështie.

* Drejtor Informacioni, ATSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›