E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga duhet të mbarojë për "Ditën e Enverit"

Rruga që lidh dy pjesët kryesore të Kombit shqiptar që prej fillimit të historisë së saj pothuajse 10-vjeçare, është shoqëruar nga debate, kritika (me apo pa vend) dhe mungesë transparence të denjë për kohët e diktaturës së qoftëlargut.

Ideja për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës lindi natyrshëm pas përfundimit të luftës në Kosovë. Për vite të tëra ajo u zvarrit nga qeveritë socialiste të kohës, megjithëse u përdor nga ata edhe për të vjelë një taksë më shumë. Për ish-kryeministrin apo ish-ministrin e Mbrojtjes, Majko, dukej më i rëndësishëm apo i mundshëm një tunel nënujor që na lidhte me Italinë (!!!???) sesa tuneli i Kalimashit.

Me ardhjen në pushtet të PD-së në 2005-n, ndërtimi i rrugës së Kombit u kthye në prioritet dhe brenda një viti nisën punimet. Përzgjedhja e firmës së konsulencës, si edhe ajo e firmave të ndërtimit, u bë në mungesë të plotë transparence dhe me një shpejtësi krejt të pazakontë për të tilla vepra që nuk ishin realizuar kurrë më parë as në Shqipëri as në rajon (për shkak të trasesë që "çan" malin). Minimalisht mund të dyshojmë se ky nxitim kishte për shkak dëshirën e Berishës për ta përdorur rrugën në fushatën për zgjedhjet e 2009-s (siç ndodhi faktikisht). Një gjë të tillë socialistët e kuptuan shumë mirë dhe ata e dinin që, në qoftë se Berisha realizonte për 3 vjet atë që ata as nuk e nisën në 6 vjet, zgjedhjet i kishin të humbura.

Më kujtohet në atë kohë se shumë miq, që historikisht kishin votuar për PS-në, deklaronin se do ia jepnin votën Berishës në qoftë se ai vërtet e mbaronte rrugën. Në këto kushte, me ndihmën e mediave që për kryeredaktor kanë prej vitesh kreun e PS-së, ky i fundit filloi një fushatë përbaltjeje të rrugës. Duke mos ditur në atë kohë as koston reale e as se si ishin zhvilluar procedurat për tenderin e rrugës, "lufta" filloi me argumente të rëndomta në gojën e disa pseudo-specialistëve që nxirreshin si kukulla në debatet televizive. Këta palaço mundoheshin të na bindnin, se kjo rrugë ishte e dëmshme, se prej saj po vdisnin fëmijët nëpër spitale ku mungonin ilaçet dhe e panevojshme, se "kosovarët" (term abuzivisht i përdorur nga antishqiptarët kur flitet për shqiptarët e Kosovës) preferonin të importonin produktet e Serbisë. Sado absurde të duken sot këto argumente, ato, falë hapësirës së madhe mediatike që ju dha, patën një impakt jo të vogël në rezultatin e zgjedhjeve lokale të 2007-s. Madje edhe ndër mbështetësit e PD-së filloi të dyshohej se mos rruga po kthehej në një vetëvrasje elektorale. Për t‘i dhënë fund kësaj fushate të turpshme, u desh një deklaratë, krejt e pazakontë për politikën shqiptare, e nënkryetarit të atëhershëm të PD-së, zotit Topi, i cili pyetjes "A mendoni se investimi masiv i qeverisë në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, ishte një nga arsyet e humbjes së PD-së në zgjedhjet lokale?", iu përgjigj: "Midis ndërtimit të rrugës që lidh Kombin dhe çdo beteje elektorale, unë do zgjidhja padyshim ndërtimin e rrugës, se ajo është shumë herë më e rëndësishme se partitë politike".

Më pas, socialistëve u ra "bixha" në dorë, kur u mor vesh se nxitimi dhe procedurat e bëra kuturu nga qeveria për bërjen e tenderit na kishin lënë një faturë që as nuk dihej se sa kolosale do ishte. Pra Berisha, me që nuk kishte realizuar dot premtimin për të marrë nga amerikanët çekun e bardhë (15 vjet më parë), kishte vendosur t‘ia jepte një firme turko-amerikane. A ishte kjo aferë korruptive direkte, domethënë me para të futura në xhep nga ata që e kopsitën këtë punë, apo indirekte, domethënë një blerje e mbështetjes së një lobi të caktuar amerikan (nëpërmjet famëkeqit Faslliç), këtë ne nuk do e marrim dot vesh më kurrë. "Falë" kjo edhe mediokritetit të disa prokurorëve të kësaj çështjeje, që duke punuar për PS-në më shumë se për drejtësinë, e zvarritën çështjen, me qëllim që ajo të gjykohej në prag të zgjedhjeve. Kështu tejkaluan çdo afat ligjor dhe e detyruan gjykatën t‘i quante hetimet pjesërisht të pavlefshme. Për ata që mund të kenë akoma dyshime për politizimin e disa prokurorëve të kësaj çështjeje, unë kam vetëm një pyetje. Si është e mundur që Erion Braçe, figura e zgjedhur nga Rama për ta lidhur rrugën me një imazh sa më të ndyrë, lexonte përditë në media pjesë të raportit që Prokuroria e Tiranës i kaloi disa muaj më mbrapa Prokurorisë së Përgjithshme, pra në kulmin e fazës hetimore? Me që e kam lexuar atë raport 40 e ca faqësh, mund t‘ju siguroj se ishte fjalë për fjalë identik me konferencat për shtyp të Braçes, me përjashtim të pjesëve të raportit ku u qahej halli ujqërve që do trembeshin nga kalimi i rrugës apo supozimeve se ndoshta aty ku do ndërtohej tuneli, mund të na dilte ndonjë mineral. Këto dy të fundit, me siguri Braçe ka refuzuar t‘i lexojë vetë dhe ka vendosur që t‘ua lërë disa zarave të tjerë të Ramës që t‘i përmendin.

Kurse ai që duhej të ishte thelbi i tërë këtij debati, vlerësimi i abuzimit me koston e rrugës, bëhej në mënyrë aq naive, sa që në qoftë se nuk ishte qëllimisht tendencioz, aftësitë intelektuale të atyre prokurorëve janë për t‘u vënë në dyshim seriozisht. Të kërkosh të vërtetosh abuzimin në kosto, duke krahasuar kostot e tunelit të Kalimashit me rrugën Plepa-Rrogozhinë, apo duke marrë për bazë pallatet në mes të Tiranës për të vlerësuar kostot e mjeteve të rënda të punës (vinça, kamionë, ekskavatorë etj.), është ose naivitet foshnjëror, ose tentativë për të bërë zhurmë mediatike.

Ato shifra mund t‘i hidhte poshtë cilido avokat, ndaj nuk mund të mos mendojmë se preokupimi kryesor nuk ishte aspak vënia e drejtësisë apo keqardhja për shpërdorimin e fondeve publike, por zhurma me shifra bombastike dhe krijimi i idesë së një korrupsioni marramendës. Paçka se këto ngelin llafe dhe se në fund nuk dënohet askush. Në fund të fundit, ne jemi mësuar me idenë se dënimi i politikanëve është totalisht jashtë mode. Siç është edhe të qenit i papartiakizuar. Se po të jesh i tillë dhe të dhimbset sadopak vendi yt, je i destinuar të bëhesh në të njëjtën kohë kontabël, jurist, inxhinier, diplomat etj., për të kuptuar sadopak se ç‘ndodh realisht.

Ne sot nuk e dimë akoma se sa do kushtojë rruga. Qeveria e vënë tashmë në kushtet e atij që s‘gjykohet dot dy herë për të njëjtin krim, sa herë hapet ky debat, vazhdon t‘i mëshojë teorisë së komplotit anti-kombëtar në mënyrë patetike. Pasi u tall me ndjenjat kombëtare të mbarë shqiptarëve, duke përuruar dy herë brenda pak ditësh diçka më pak se gjysmake, sot hesht për skandalin më të madh me rrugën. Ministria e Transporteve as që denjon të dalë e të na shpjegojë arsyet e vërteta pse u mbyll tuneli i Kalimashit. Akoma më pak opinioni është i informuar për koston e punimeve shtesë që duhet të bëhen në tunel. Sipas specialistit francez të sigurisë së tuneleve, që urdhëroi mbylljen e tij, punimet në tunel janë shumë më delikate, të gjata dhe të kushtueshme se ç‘na lënë të mendojmë deklaratat evazive të ministrisë. Realiteti është tepër i hidhur. Tuneli është ndërtuar në një zgavër të malit, e cila sot mbyllet gradualisht duke shkaktuar deformimin e asfaltit (2 herë në 3 muaj) dhe duke e bërë tunelin tepër të rrezikshëm. Fortifikimi i tunelit është tepër delikat dhe pritet të zgjasë deri, të paktën, verën e ardhshme. Kurse kostoja pritet të jetë rreth 100 milionë euro.

Kush do i paguajë këto para? Cila është përgjegjësia e firmës ndërtuese apo qeverisë në këtë gabim që është bërë? Këto janë disa pyetje që kanë nevojë për përgjigje.

Po ka edhe një pyetje, përgjigjen e së cilës ne e dimë tashmë. Ne e dimë fort mirë se këtë tunel të pasigurt e hapi etja për pushtet e Berishës. Duke mos hezituar të vërë në rrezik jetën e njerëzve, vetëm që të mund ta përdorte gjatë fushatës elektorale, ai na tregon qartë se për të, në këto 20 vjetët e fundit, ka ndryshuar vetëm një gjë: Dita e Qoftëlargut është shndërruar në ditën e zgjedhjeve. Kurse stili i punës është i njëjti, s‘ka rëndësi se si bëhet puna, po është e rëndësishme vetëm që shiriti të pritet ditën e caktuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›