E Shtunë, 31 Tetor 2026

NPB-ja merr borxh për ndërtimin e Qendrës tregtare në Pejton

Në vendin më të frekuentuar në Prishtinë, në lagjen “Qyteza Pejton”, do të ndërtohet një Qendër tregtare. Lokalet afariste do të ndërtohen në afërsi të katedrales. Komuna e Prishtinës, ndërtimin ia ka lënë në dorë, Ndërmarrjes Publike Banesore, e cila është në pronësi të Komunës me 100 % aksione.

NPB-ja përveç veprimtarisë së dhënies me qira të objekteve të saj, veprimtari ka edhe ndërtimin e objekteve, por kompania komunale nuk ka para të gatshme t’i ndërtojë lokalet. Andaj, Komuna e Prishtinës në mbledhjen e ardhshme do të marrë vendim që ti jap garancion bankarë NPB-së 1 milion euro.

Ndërmarrjes Publike Banesore ka shpallur tender që me datë 29 mars për “Ndërtimi i lokaleve afariste në qytezën “Pejton”, por tenderi fitues ende nuk është shpallur. Kohëzgjatja e punëve është menduar të jetë 120 ditë (nga dhënia e kontratës).

Komuna e Prishtinës kishte paraparë që të marrë vendim të ndajë 1 milion euro për garancinë bankare në mbledhjen e Kuvendit që është zhvilluar para tri ditësh, por ajo pikë ishte shtyrë për mbledhjen e ardhshme.

“I. Jepet pëlqimi në kërkesën e Ndërmarrjes Publike Banesore SH A, me seli në Prishtinë, për garanci të borxhit. II. Shuma për të cilën jepet garanci për borxhin e cekur në pikën I të këtij Vendimi, është 1.000.000,00 €. Garancia e borxhit jepet me qëllim të financimit, investimeve kapitale – ndërtimi i objekteve në lagjen “Qyteza Pejton”, të Ndërmarrjes Publike Banesore SH A, me seli në Prishtinë”, thuhet në vendimin e komunës të cilin e posedon Indeksonline.

Këtë vendim, Komuna e ka arsyetuar, meqë Ndërmarrja do të fillojë ndërtimin e kompleksit tregtar në lagjen “Qyteza Pejton”, projekt ky i paraparë të kushtojë rreth 2 milion euro, ndërmarrja tani për tani ka gjysmën e mjeteve, respektivisht shumën prej 1 milion eurove të siguruara nga të hyrat vetanake. E, Bordi i drejtorëve të Ndërmarrjes ka marrë Vendim që pjesën prej 1 milion eurove ta sigurojë përmes marrjes së kredisë në njërën nga bankat e licencuara./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›