Hetohet tre përqindëshi i Qeverisë në Mërgim

Policia e Kosovës është duke hetuar fondin e tre përqindëshit të Qeverisë në Ekzil, që udhëhiqej atëbotë nga Bujar Bukoshi. Rasti ka kaluar në duart e vendorëve. Burime të standardi.info brenda Policisë së Kosovës, kanë thënë se “janë duke u hetuar të gjitha transaksionet e kryera nëpër bankat e mundshme që janë deponuar shuma të mëdha parash nga ky fond”.
Burimi bënë të ditur se hetimet kanë filluar nga të huajt, por që tash lëndën e kanë kaluar te vendorët.
“Tash me rastin po merren vendorët”, ka thënë burimi.
Po ashtu nga ky burim është konfirmuar se janë duke u intervistuar figura të rëndësishme që kanë pasur poste në kohën e Qeverisë në Ekzil.
“Të gjithë njerëzit që kanë pasur poste të rëndësishme në kohën e Qeverisë në Ekzil janë duke u intervistuar”.
Ish- Kryeministri i Qeverisë në Ekzil Bujar Bukoshi ka thënë se “nuk ka asgjë të keqe nëse hetohet ai fond”.
Bukoshi është treguar i gatshëm që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë nëse i kërkohet një gjë e tillë.
“Unë jam i gatshëm për gjithçka”.
Bukoshi nuk e di a është intervistuar ndokush nga kabineti i ish-Qeverisë së tij në Ekzil.
“Nuk e di a është merr dikush në pyetje, nuk kam ndonjë informacion”, ka thënë shkurt Bukoshi.
Zyrtarisht Policia e Kosovës nuk ka dashur të jap ndonjë përgjigje për rastin. Njëri nga zëdhënësit e Policisë që nuk ka dashur t’i përmendej emri ka thënë se ka diçka në këtë drejtim, por që nuk mund të bëhet publike