E Shtunë, 31 Tetor 2026

NUK ESHTE BERE ASNJE REFORME NE SHENDETESI

Të nderuar qytetarë!

Të gjithë jeni në dijeni të aktit të rëndë, goditjes disa herë me thikë të Ali Refatllarit, profesor i Universitetit të Tiranës, shef i shërbimit të kardiokirurgjisë në QSU "Nënë Tereza" në Tiranë, kardiokirurg i shquar dhe pionier i kirurgjisë koronare në vendin tonë.

Ky akt i rëndë, i pashoq, ndaj një mbrojtësi të jetës, vetëm sa vuri në pah dhe përshpejtoi një shqetësim të pjekur në vite, në ambientet e spitaleve tona.

Të nderuar qytetarë!

Pas Jush, ne jemi më të interesuarit që ky vend të ketë mjekësi moderne e të aftë t‘u përgjigjet kërkesave tuaja, që në thelb janë kërkesat më normale e më të rëndësishme të çdo njeriu, të drejtat për shëndet e për të jetuar, të cilat janë shumë pak për një vend evropian, por sidoqoftë janë të drejtat themelore të JETËS dhe SHËNDETIT.

Por cilat janë arsyet që Ju drejtohemi? Cilat janë shqetësimet që ne duam të ndajmë e të zgjidhim së bashku?

Në radhë të parë, ne duam t‘Ju kujtojmë se në sistemin shëndetësor, sidomos në atë spitalor, nuk është realizuar asnjë reformë e rëndësishme. Ende sot punojmë me një ligj për shëndetin e vitit 1963 dhe ndryshimet e kryera në këto 17 vjet tranzicioni të lodhshëm e të deformuar në legjislacionin bazë shëndetësor nuk janë të qenësishme. Përpjekjet tona në këto vite, përpunimi i strategjive për zhvillimin e spitaleve janë lënë në harresë. Reforma shëndetësore vdes në faqet e programeve elektorale, të nesërmen e zgjedhjeve politike. Ne vuajmë mungesën e reformave, sepse asnjë qeveri, pavarësisht ngjyrës e programit, nuk ka menduar të bëjë një reformë të thellë të sistemit shëndetësor.

Ne na shqetëson mosfunksionimi, ose për të qenë të ndershëm, funksionimi në mënyrë embrionale i skemës së sigurimit të shëndetit, ku vetëm rreth 30% e popullatës aktive paguan shuma fare të vogla për sigurimin shëndetësor, ndërkohë që ka më shumë makina se njerëz të siguruar. Funksionimi i skemës në sigurimet shëndetësore sipas parimit "paguajmë të gjithë për të mjekuar të sëmurët, paguajmë tërë jetën për një rast, paguan më shumë ai që ka të ardhura më të mëdha" është në rend të ditës në vendet e zhvilluara e në zhvillim. Dhe natyrisht, të gjithë paguajnë sa duhet. Kjo skemë e quajtur skemë e solidaritetit ka gati 150 vjet që funksionon në vendet evropiane dhe ne jemi dëshmitarë të nivelit të shëndetësisë në këto vende.

Problem madhor i shëndetësisë shqiptare është nënfinancimi i dhimbshëm i saj.

Shteti e shoqëria shqiptare vë në dispozicion të shëndetit të shtetasve të saj vetëm 80 euro në vit për banorë, vendet e Evropës komunitare nga 2000-4000 euro në vit për banor, ndërsa vendet e rajonit disa herë më shumë se ne dhe ky është shkaku kryesor i kësaj gjendjeje të mjeruar. Ne besojmë se Ju do ta kuptoni pse shëndetësia shqiptare është në këtë situatë. Ne dhe Ju kërkojmë të mjekojmë si duhet sëmundjet e zemrës, kancerin, kërkojmë neurokirurgji e transplant të organeve, e me të drejtë, kërkojmë jetën, por siç thotë populli "me hime misri nuk bëhen simite". Sot në QSU "Nënë Tereza", në spitalin më të mirë të vendit, nuk bëhen analizat më të thjeshta të gjakut apo radiografitë!!! Dhe familjarët të na mirëkuptojnë kur u japim recetë që të blejnë medikamente e bëjnë analiza jashtë spitalit, pasi thjesht nuk i kemi në spital. Dhe fajin e paskemi ne?!

Problem tjetër i rëndësishëm për t‘u zgjidhur është menaxhimi, ose më thjesht drejtimi dhe administrimi i burimeve financiare e njerëzore. Ne kërkojmë e besojmë se është e rëndësishme, që shëndetësia shqiptare në tërë qelizat e saj të drejtohet nga njerëz të aftë e të ndërgjegjshëm, që të vlerësohen dhe përdoren dijet e njerëzve tanë që i kanë kushtuar jetën shëndetësisë, që në bashkëpunim me organizma ndërkombëtarë kanë përpunuar, për fat të keq më kot, strategji të qarta për zhvillim. Është e papranueshme që administratorët e shëndetësisë të ndërrohen sa herë këmbehen pushtetet dhe forcat politike, dhe aq më keq, nën të njëjtën qeverisje, kur ndërrohet ministri në mes të mandatit. Politika duhet të kuptojë se shëndetësia nuk është pronë e saj, e trashëguar ose e blerë, por ajo është pronë e atyre që paguajnë për të, pra e tërë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Ja përse ne mendojmë që spitalet, e në përgjithësi shërbimi shëndetësor, duhet të ketë statusin e një enti publik që drejtohet nga këshilla administrativë që kontrollojnë e drejtojnë burimet financiare dhe bëjnë politika profesionale në zgjedhjen e drejtuesve të sistemit spitalor e të personelit mjekësor në përgjithësi.

Ne mendojmë se jemi shumë vonë në vendimmarrjen për vlerësimin e figurës së mjekut dhe për këtë besojmë se ka ardhur koha të njihet Statusi i Profesorit, i mjekut të QSUT dhe në përgjithësi, statusi i mjekëve, sepse, duhet ta dini, që një profesor që del në pension ka një pagë vetëm 17000 lekë në muaj, një shpërblim varfërie për një profesionist të shquar, që për më shumë se 40 vjet, natën e ditën, i ka shërbyer jetës.

Shoqëria jonë duhet të kuptojë se mjekët dhe specialistët e zotë janë të paktë dhe si të tillë, duhen konsideruar si një pasuri kombëtare, për të formuar një mjek të zot duhet një gjysmë jete njerëzore. Natyrisht, ndonëse është e turpshme ta themi, ne kërkojmë edhe mbrojtje nga shteti. Në radhë të parë kjo fillon me heqjen dorë nga praktikat e fyerjeve, denigrimit dhe kriminalizimit të figurës së punonjësit të shëndetësisë, nga politika, për qëllime të saj elektorale, apo edhe ndonjë gazetar, në kërkim të ndonjë skupi. Ne besojmë se ky është edhe çelësi i problemit, të mos i lejojmë vetes të qajmë mbi ata që pështyn çdo ditë politika apo ajo lloj media e blerë nga politika. Ne nuk kuptojmë se si mund të bëhet një politikë kaq mediokre e krijimit të një klime mosbesimi ndaj mjekëve, e gjetjes të fajtorëve pa faj, për të larguar nga vetja përgjegjësitë e mosreformimit të sistemit.

Krijimi i kësaj klime mosbesimi ndaj mjekëve dhe veçanërisht kriminalizimi i tyre është një dëm i madh që i bëhet publikut. Shoqëria shqiptare duhet të kuptojë, se kur mjekët kriminalizohen, të parët që paguajnë janë pacientët. Kjo bën që në mënyrë normale, instiktive, ne t‘u largohemi mjekimeve të rënda e të mëdha, sepse ato kudo në botë shoqërohen me vdekshmëri të lartë. Për rrjedhojë, të nxitur nga instinkti i vetëmbrojtjes ne do te mjekojmë vetëm të sëmurët e ashtuquajtur të lehtë. Po si dhe ku do t‘i zgjidhin hallet të sëmurët rëndë?! Profesioni i mjekut ka në themel të tij dy elementë, besimin e të sëmurit ndaj mjekut dhe dashurinë e mjekut për pacientin, pa këtë frymë mirëkuptimi e besimi reciprok ky profesion i vështirë nuk mund të zhvillohet.

Në të vërtetë, ky është problemi më i rëndësishëm, kjo është ajo që na shqetëson, ja përse ne kërkojmë mbrojtje, pra jo për vete po për JU. Por derisa të vijë ky moment, pra sa të krijohet një klimë normale në marrëdhëniet e pacientëve e të shoqërisë me mjekët, ne kërkojmë nga qeveria të sigurojë jetën e mjekëve dhe kushtet normale të ushtrimit të profesionit tonë, kaq fisnik e të domosdoshëm dhe kjo natyrisht, si hap të parë kërkon mbrojtje ligjore, sepse ne jemi nëpunës publikë në detyrë. Si kudo në botën e qytetëruar, administrata shëndetësore duhet të jetë përgjegjëse për mbrojtjen ligjore të stafit të saj.

Të nderuar qytetarë!

40 vjet më parë, në Francë, studentët që kërkonin të drejta, reformimin e sistemit arsimor dhe emancipimin shoqëror përdornin një parullë shumë kuptimplote për të shprehur shqetësimin ndaj faktit, që ishin të përjashtuar nga vendimmarrja dhe që klasa politike i konsideronte si një shtresë, që duhej vetëm të bindej. Ata thoshin: Ne jemi të gjithë "çifutë gjermanë". Po ne së bashku, të nderuar qytetarë edhe sa kohë do të vazhdojmë të jemi në vendin tonë, pa të drejtën themelore, të drejtën e një jete normale e me shëndet të mirë edhe sa kohë do të jemi "çifutë gjermanë"?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›