Na e kanë frikën
Drejtuesit e klubit serb, Bambi, nuk ndihen të privilegjuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), ashtu siç pretendon kampioni i shumëfishtë, Sigal Prishtina.
Udhëheqësit e klubit bardhekaltrit të hënën janë ankuar në shtëpinë e basketbollit kosovar, pasi konsiderojnë se klubi nga veriu i Mitrovicës është i privilegjuar dhe se ndaj këtij ekipi janë bërë lëshime vazhdimisht.
Por kryetari i Bambit, Igor Dashiç është i bindur se të gjithë basketbollistët që ka në klub, janë regjistruar në mënyrë të rregullt derisa mohon ankesën e prishtinasve se në skuadrën e tij ka shumë basketbollistët të huaj e që është në kundërshtim me rregulloren e FBK’së.
“Të gjithë lojtarët e Bambit e kanë njërin prind të lindur në Kosovës dhe në bazë të rregullores së Federatës ai njihet si lojtar vendor. Unë shkoj në Serbi dhe kërkoj lojtarë që e kanë njërin prind nga Kosova për të pasur të drejtë loje. Vetëm Martinovicin e kemi lojtar, që njihet si i huaj dhe të gjithë dokumentacionin e ka në rregull”, ka thënë Dashiç për Express.
Ai thotë se sikurse basketbollistët e Bambit të ishin lojtarë nga ligat e basketbollit të Serbisë, klubi i tij do të ishte i pa konkurrentë në Superligën e Kosovës. Dashiç mendon se ankesa e Prishtinës ka një prapavijë.
“Sigal Prishtina këto ankesa i bën pasi e di që Bambin e ka të vetmin konkurrent dhe i frikësohet. Nuk po i kuptoj këto lojëra”, thotë Dashiç, i cili është edhe lojtar i skuadrës serbe.
Dashiç ankohet se gjyqtarët e kanë dëmtuar skuadrën e Bambit, në ndeshjen e fundjavës të cilën e fitoi Sigal Prishtina me rezultat 73:92. Sipas tij, referat kanë lejuar që lojtarët e kampionit të Kosovës të zhvillojnë lojë të ashpër.
Megjithëkëtë, numri një i skuadrës nga veriu i Mitrovicës është i gatshëm që basketbollistët e klubit të tij të verifikohen dhe nëse gjendët ndonjë shkelje, mirëpret çfarëdo dënimi nga FBK-ja.