E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të Zvicrës

Migjen Basha ende nuk e di pse Zvicra nuk ia ka dhënë dritën e gjelbër për ta veshur fanellën e Kombëtares shqiptare. Ai tani nuk përjashton mundësinë që të luajë për helvetikët. Ndërsa mesfushori kosovar synon që me Atalantën të rikthehet në Serie A. Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 12:06

Migjen Basha ka mbetur në udhëkryq. Mesfushorit kosovar, edhe pse është pajisur me pasaportë të Shqipërisë, ende nuk i është dhënë drita e gjelbër që ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare.

23-vjeçari, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e përfaqësueses U21 të Zvicrës, nuk arriti ta sigurojë dokumentacionin nga Zvicra për t’iu bashkuar Kuqezinjve, kështu që fati i tij ka mbetur pezull.

“Unë jam ftuar nga Shqipëria, por nuk e di se pse Zvicra nuk ka dashur që unë të shkoj të luaj për Kuqezinjtë”, deklaroi Basha, i cili ishte i ftuar në studion e uebfaqes italiane ‘TuttoAtalanta’.

Futbollisti i Atalantës dëshiron që kjo gjende të zgjidhet dhe ta ketë mundësinë të luajë për ndonjërën nga këto dy përfaqësuese. “Të shohim nëse do të mund të shkoj të luaj me Zvicrën”, vazhdoi ai.

Basha është transferuar në klubin nga Bergamo me shpresën se do të mund të luante rregullisht, por ai shpesh është detyruar t’i shikojë shokët e skuadrës duke luajtur nga bankina. Ky nuk ishte problem i madh për të, edhe pse i pëlqen të luajë në vazhdimësi, mbi të gjitha për faktin se, kur është ftuar për të luajtur, nuk ka zhgënjyer asnjëherë.

“Në fillim të vitit mendoja se do të luaja më shumë. Në janar kisha oferta, por kam mbetur këtu me gjithë qejf. Unë nuk kam kërkuar kurrë për të luajtur, kam vazhduar punën dhe kështu veproj gjithmonë, i pranoj zgjedhjet e trajnerit”, tha Basha.

Sipas tij, loja grupore është sekret i rezultateve të mira të Atalantës këtë sezon. Futbollisti kosovar e përsëriti objektivin e skuadrës zikaltër, i cili është rikthimi në Serie A italiane.

Basha, i cili pëlqen që të luajë në pozitën e gjysmëalos, por e pranon se nuk mbetet keq edhe kur luan si mesfushor, përpara mbrojtësve. Në fund të intervistës, Basha kujton periudhën se si i ka marrë hapat e parë si futbollist.

“Kur isha 7 vjeç, Zvicra e fitonte një ndeshje të Botërorit. Njerëzit festonin në qytet dhe më kishte goditur kjo ndjenjë e njerëzve dhe nga ajo periudhë fillova të luaj në një skuadër kosovare në Zvicër. Më pas shkova në Lozanë, kurse pastaj arrita në Lucchese të Italisë. Viti i parë ishte i mirë, ndërsa në të dytin shkova në Viareggio, më pas në Rimini e Frosinone”, përfundoi Basha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›