Na ishte se çna është: kinema Dajti, qendër për fëmijë
Njëra prej kinemave publike të kryeqytetit, aq të harrura sikur të mos kenë ekzistuar kurrë, shpejt ka për të qenë funksionale. Ish-kinema “Dajti”, kinemaja publike e ndërtuar rreth viteve ’70, e cila ka mbetur funksionale deri në fillimet e viteve ’90, po i nënshtrohet rikonstruksionit që do të transformjë në qendër multifunksionale duke iu përgjigjur nevojave të kohës dhe prurjeve kulturore të qytetit disa qindramijë banorësh.
Lidhur me rikonstruksionin dhe modernizimin e kinemasë kryebashkiaku Edi Rama, i pranishëm në fillimin e punimeve theksoi dje se “Ngritja e qendrave multimediale dhe komunitare, një nga objektivat e Bashkisë së Tiranës, nis të jetësohet me projektin e parë të këtij lloji, që do të synojë rigjallërimin e aktivitetit kulturor, artistik dhe rekreativ në kryeqytet.”
Sipas Ramës, kjo ish-Kinema “Dajti”, që ndodhet në Rugën “Myslym Shyri”, do të ketë një fytyrë të tillë që ka “për të plotësuar nevojat, dëshirat dhe ambicjet artistike e krijuese të grupmoshave të reja.”
Kësisoj pas përfundimit të punimeve, dy katet që do të përftohen, do të shndërrojnë kinemanë në qendër multifunksionale ku përfshihen kinema, sallë konferencash, ekspozitash, sallë për fëmijë, laborator për artin pamor, sallë muzike, kërcimi, interneti., etj.
Projekti që ka aktualisht në dorë bashkia e kryeqytetit do të transformojë këtë ambient në hapësira shumëngjyrëshe për të lexuar, për tu argëtuar, për tu takuar, apo dhe thjesht vetëm për të qëndruar.
Përkrah “Dajtit”, janë edhe kinematë “Agimi” dhe “Ylli i kuq” (Laprakë), dikur djep i filmave sovjetikë, në varësi të Bashkisë së Tiranës, të cilat janë krejtësisht jashtë çdo lloj funksioni.