E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ekspozitë për arin e zi

“Marinza” -arte vizive të ngritura mbi konceptin e “arit të zi” sa organike dhe vdekjeprurëse. Eltjon Valle në ekspozitën personale e përdor naftën si një lojë artistike me pikturë, fotografi, instalacion. Zhvendosja në Galerinë Kombëtare e erës së nëntokës dhe puseve të Marinzës

Landart kjo praktikë jo pak e përdorur nga artistë në të gjithë planetin, ku vendi dhe lënda e tij marrin formë dhe konvertohen në art, kanë krijuar një multimedium artistik të piktorit Eltjon Valle. Artisti i cili prej 7 vjetësh jeton në Milano (Itali), prezanton sonte (7 nëntor deri më 7 dhjetor) në orën 18.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën personale “Marinza”, fshati në rrethin e Fierit. Nëqoftëse do ta quanim të gjithë këtë një pikturë komplekse, korniza e saj përmban foto, pikturë, instalacion, video, në funksion të simbolit final: naftë.

Francesco Poli, profesor dhe historian në akademitë e artit ndërmjet Italisë dhe Francës, njëkohësisht kurator i projektit, na tregon se “piktori ka bërë një dokumentim dhe hulumtim rreth zonës së Marinzës, “e mbjellë” në 32 km2 me puse nafte, teknologjia e të cilës po modernizohet si nga pikëpamja e nxjerjes së naftës, edhe në aspektin ekologjik”. Në këtë kontekst piktori ideoi “ekspozitën me një instalacion kompleks realizuar me elementë që formojnë një marrëdhënie të vetme organike.”

Të gjitha këto mediume përbëjnë një instalacion mbi temën e naftës, “ari i zi” jo vetëm si mjet fitimi, por që kjo materie duhet parë si “simbol ekspresiv, i drejtpërdrejtë, i jashtëzakonshëm, gjithçka sepse është organike, jetësore, vdekjeprurëse.”

Mënyra origjinale e prezantimit të fotografive dhe vizatimeve që fillojnë nga topografia e puseve, piktura dhe instalacione, duke krijuar me metaforën e njeriut “nganjëherë peizazhe katastrofike ose sipërfaqe imagjinare, reale të një koloseumi të artit.”

Një tjetër pikë e rëndësishme për Polin mbeten atmosfera e bashkëveprimit midis erës së naftës dhe vizitorit, sepse për të copëzat e terrenit të naftës, krijojnë një atmosferë stimuluese mbi materien që shfrytëzohet për ekspresivitetin estetik. Ekspozita është vendosur e gjitha mureve të zeza. Sipas Polit, nafta shihet si burim energjie kudo, por vlera e saj simbolike është bërë sot katalizator dhune, terrori dhe lufte për shumë shtete të botës.

Kritiku i artit bashkëkohor teksa i kërkohet një koment për atë çka përfaqësojnë artistët shqiptarë në botë të arteve vizuale, arrin në konkluzionin se vitet e fundit ka pasur një gjeneratë të re artistësh shqiptarë mjaft të talentuar që për fat të mirë kanë kuptuar se të bësh art duhet të udhëtosh shumë. “Duke qenë pjesë e një klimë diskursi të arteve vizuale, ata janë të sigurtë dhe punojnë në një gjuhë që sot nuk ka më kufij, por vetëm një identitet.”

Poli shton se në Tiranë tani ndodhet një kryebashkiak i ndjeshëm ndaj artit bashkëkohor. “Pikërisht nëpërmjet bienales së parë të Tiranës, pikturimit të ndërtesave të kryeqytetit, keni kapur vëmendjen e artistëve bashkëkohorë në mënyrë spektakolare. Ky ishte një moment shumë pozitiv një gjetje që ndikoi mjaft në opinionin dhe imazhin e Shqipërisë kudo.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›