E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naço na jep siguri për digat

Ministri Naço tha se për HEC-et me diga të mëdha, "me përjashtim të Komanit, janë zbatuar disa projekte për ndërhyrje në pjesët teknologjike. Ndërhyrjet rehabilituese në HEC-et Fierzë dhe Vau i Dejës realizuan gatishmërinë e lartë në periudhën e përmbytjeve të mëdha dy vjet më parë në lumin Drin”.

Sipas tij, përmbytjet nuk u shkaktuan nga HEC-et, pasi uji nisi të shkarkohet shumë ditë pasi rreshjet kishin përmbytur shumë zona. "Ndërtuesit dhe specialistët e HEC-eve asnjëherë nuk i mënjanojnë shkarkimet nga hidrocentralet, sidomos në situata me reshje të jashtëzakonshme", tha Naço. 

Nisur nga fakti se gjatë 20 viteve ndërhyrjet kanë qenë minimale, ministri i Ekonomisë parashtroi projektet e reja që do të realizojnë siguri maksimale të digave në HEC-et kryesorë, sikurse studimi i kryer nga SECO me financimin e qeverisë zvicerane, "Kontrolli i Sigurisë së Digave në hidrocentralet e kaskadës së lumenjve Drin dhe Mat".

"Studimi ka identifikuar ndërhyrjet sipas prioriteteve dhe periudhat kohore, për sigurinë e digave, që në total vlerësohet 180 milionë euro, ndërsa koha për hartimin e projekteve, procedurat e sigurimit të pajisjeve dhe realizimin e punimeve shkon mbi tre vjet", tha Naço.  Sipas tij, në fazën e emergjencës, janë parashikuar rreth 26.5 milionë euro me periudhë realizimi rreth 2 vjet. "Punime më shkurtra në kohë dhe shpenzime janë parashikuar të bëhen me financime të KESH-it”, tha Naco. /Start/

                                                                                             2011-11-08 15:45
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›