E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode prezanton pr/buxhetin: 4.3% rritja ekonomike në 2012-ën

TIRANË-Ministri i Financave Ridvan Bode prezantoi dhe vlerësoi pozitivisht sot në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare pr/buxhetin i vitit 2012. Bode ndërsa theksoi se pavarësisht krizës globale nga e cila ekonomia shqiptare ndjen presione të herë pas hershme, parashikohet që rritja ekonomike për vitin e ardhshëm të jetë në masën 4.3 për qind e PBB.
"Në vitin 2012 rritja ekonomike parashikohet të jetë 4.3 për qind e PBB".

Gjatë prezantimit të pr/buxhetit për vitin 2012 në konferencën e kryetarëve, Bode tha se vendi ka njohur rritje ekonomike gjatë viteve të fundit dhe pa përjashtim rritje njohu dhe viti 2011. Sipas tij, ekonomia jonë ka ndjerë presionet më të thella të krizës së rruzullit dhe përtej këtij presioni, ekonomia jonë ka ruajtur parametrat në nivele të kënaqshme.  "Ekonomia shqiptare gjatë viteve 2009-2011 u rrit me mbi 3 për qind”.
"Në tre mujorin e parë të 2011 kemi një rritje ekonomike 3.4 për qind. Rritja ekonomike në fund të vitit 2011 parashikohet të jetë 4 për qind”.

Në fjalën e tij ai e ka cilësuar buxhetin si një program konservativ që do të ndihmojë në përmbushjen e prioriteteve, por do të garantojë kontroll të borxhit, deficiteve dhe inflacionit.
“Projektbuxheti 2012 është një program konservativ për të dhënë kontribut në stabilitetin makro ekonomik përmes financave publike”- tha Bode.

Bode theksoi faktorët që ndihmuan në këtë sukses.
“U investuan në ekonomi të ardhura të konsiderueshme të arkëtuara nga privatizimet, rreth 300 milionë euro. Ekonomia mbetet jashtë vorbullës së recensionit, pasi qeveria shqiptare ka demonstruar vetëdije në dominimin e situatës, është shënuar minimizim te deficiteve vjetore dhe ulje të borxhit përtej presioneve të krizës globale” ka shtuar më tej Bode.

Sa i takon sistemit bankar, vijoi ai, kemi të bëjmë me një kthim në rritje të besimit të konsumatorit. "Depozitat deri në muajin gusht të këtij viti kanë qenë 30.7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa kredia, elementi më pozitiv i sistemit financiar u rrit me 12.8 %. Sistemi bankar është mjaft likuid, gjë që reflekton edhe koston e shërbimit të borxhit publik të buxhetit të shtetit, i cili ka një moderim në rënie krahasuar me një vit më parë", theksoi Bode.
Megjithatë u shpreh Bode, sistemi bankar reflekton një problematikë që ka të bëjë më rritjen e kredive të këqija. Sipas tij, në fund të tremujorit të tretë, ato përbënin 18 % të vëllimit të kredive, ç'ka ka bërë që sistemi bankar të rrisë nivelin e provigjoneve.

Bode sqaroi se financimet e huaja direkte për vitin 2010 ishin 23 % më të larta, duke financuar rreth 80 % të defiçitit të llogarisë korente. Në këtë drejtim, Bode vlerësoi se këto ishin financime direkte në ekonomi, pasi gjatë vitit 2010 nuk pati privatizime. "Ato ishin investime të drejtpërdrejta, të cilat mundësuan zhvillimet pozitive gjatë viti 2010", nënvizoi Bode. Ndërsa bilancet e kursit të këmbimit, sipas Bodes, tashmë janë stabilizuar, pas disa luhatjeve në vitin 2009.
"Eksporti i mallrave u rrit me 18 % si 6 mujor, nga 60 % që ishte një vit më parë, ndërsa rritja e importeve u përshpejtua me 13 %, nga 3 % gjatë vitit 2010. Kursi i monedhës vendase është tërësisht i stabilizuar", tha ndër të tjera Bode.

Në mbledhjen e sotme te prezantimit te pr/buxhetit 2012 ishin të pranishëm dhe përfaqësues të grupit parlamentar të opozitës.

Pas prezantimit në Konferencën e Kryetarëve, pr/buxheti kalon automatikisht për diskutim e miratim në Komisonet parlamentare dhe më pas në Parlament për votim.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera lvovsky: Shqipëria rritje ekonomike, të ardhme sfiduese VIDEO: Pr/buxheti, Bode në konferencën e kryetarëve:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›