E Diel, 1 Nëntor 2026

Nacionalizmi i cenuar dhe protagonizmi i liderëve!

Nga Luan Kurti

Janë tashmë disa parti prezente në spektrin e politikës shqiptare, thelbi i të cilave ka përmbajtje nacionaliste. Kështu mund të përmendim ato më kryesoret: Ballin Kombëtar, Mbretërorët, Çamët, Kuq e Zinjtë, etj. Me ndryshime të vogla, as më shumë e as më pak ata artikulojnë si nevojë dhe domosdoshmëri, bashkimin e të gjithë shqiptarëve, në një terren gjeografik, kulturor, etnik, e kështu me rradhë, që cilësohet si Shqipëria natyrale, përkundër asaj të fqinjëve Shqipëri e madhe. Duke mos u marrë me faktin se a është i mirëpritur dhe në kohën e duhur ky lloj nacionalizmi që aplikohet, a është efektiv, i maturuar (në sensin që merr parasysh edhe zhvillimet në rajon, nevojën dhe kërkesat e partnerëve tanë strategjik), të bie në sy një nonsens. Fakti që të gjithë flasin për bashkim, por duke qenë të përçarë, të fraksionizuar, në disa subjekte. Në radhë të parë këta lider nisur nga fakti se i përkasin të njëjtës qasje apo sfondi politik, duhet të gjenin gjuhën e përbashkët, të krijonin një lloj grupimi, federate dhe të përcaktonin prioritetet. Kështu ndërgjegjësimi i publikut do të ishte më i madh, do të rritej forca dhe kredibiliteti i brendshëm, por edhe tek faktori dhe organizmat e ndryshme ndërkombëtarë.

Vihet re gjithashtu se më tepër sesa përmbajtjes, frymës sensibilizuese, anës ideore, strategjisë për zgjidhjen reale të problemeve, në aktivitetet e ndryshme të këtyre subjekteve u kushtohet rëndësi ngjyrave të spektaklit, sloganizmave, gjesteve, anës intonative, emocionale. Liderët përkatës duket sikur janë vënë në garë, në një lloj shou artistik, ku secili ka përzgjedhur që më parë pjesën që i përshtatet më shumë dhe presin vlerësimin nga juria (publiku); çka nënkupton marrjen e sa më shumë votave dhe mbijetesën në treg. Ose po ta vulgarizojmë problemin, këto subjekte në njëfarë kuptimi përngjajnë me ata shitësit ambulant të periferive, që posedojnë të njëjtin mall dhe suksesi apo mossuksesi varet nga timbri, kordat zanore të zërit, të cilat mund të ndikojnë vetëdijen dhe psikologjinë e klientit. Kësisoj duke konkurruar njëri tjetrin në mënyrë permanente, këto subjekte e kanë çoroditur vëmendjen e publikut, e kanë bërë të pasigurt, kanë ngjallur frikën dhe dyshimin e keqpërdorimit, kanë zvogëluar rëndësinë dhe peshën e kauzës që përfaqësojnë. Duke mos pasur ide, qëndrime të qarta, për çështje të caktuara apo të aktualitetit, ata janë fokusuar kryekëput tek deklaratat, tek gjuha e fortë, tek njëlloj konservatorizmi ku qëndrimi i ngurtë ezauron çdo mundësi për kompromis apo për zgjidhje. Veç kësaj për disa syresh, konsumizmi nga të qënit pjesë e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, rënia në kurthin e lojës së dy forcave kryesore politike për axhenda të momentit, për interesa pragmatiste afatshkurtra, ua kanë ulur ndjeshëm reputacionin dhe kreditet.

Duket sikur e vetmja që ka tagrin dhe mundësinë të tund me të dyja duart flamurin e nacionalizmës në ditët e sodit është Aleanca Kuq e Zi, e cila është ende imune nga sindroma e pushtetit dhe nuk mund të fajësohet për gjendjen aktuale. Por alibia se është ndryshe, populizmi i saj patriotik, smund të vazhdojë gjatë. Gjithmonë në rast se do arrijë të faktorizohet në zgjedhjet parlamentare të 2013, me gjasë si nevojë mbijetese, do ti duhet të bashkojë votat me njërin krahë, PD-në apo PS-në, dhe të bëhet pjesë e suksesit apo kostove që prodhohen vetvetiu. A do tia dalë ajo që të ruaj specifikën, identitetin e vet, të mos bëj kompromise thjesht dhe vetëm për interesat e individëve, grupeve, militantëve, të cilat shpesh mbisundojnë dhe eklipsojnë kauzën dominante dhe pritshmëritë e publikut?…

Kjo është e vështirë të thuhet, po të kihet parasysh e shkuara, performanca e dobët e liderit, zotit Spahiu si ish numri dy i drejtësisë në këtë vend. Dhe për më tepër kur nuk ka bërë akoma trasparente burimet financiare të forcës së tij politike. Ngjyrat e ndezura, fishekzjarrët e festës, metrat apo kilometrat e bezes së kuqe mbi kështjellën e lashtë të Krujës, thirrjet e tipit do ta bëjmë Shqipërinë o Gjergj, duart e kryqëzuara para gjoksit në formën e shqiponjës, kërkojnë të krijojnë idenë se ai ka qenë një hallkë, një ingranazh i zakonshëm, i parëndësishëm i një sistemi të korruptuar, të centralizuar, diktatorial, dhe nuk ka pasur mundësi reale për të kryer punën ndershmërisht, në përputhje me ligjin dhe në mënyrë të pavarur. Ai paraqitet si një tribun popullor që kërkon ti rrëmbejë zemrën vegjëlisë, që duke iu referuar një figure mitike shumëdimensionale kërkon të hedh në kosh apo të bëj të pavlefshme gjithë historinë e konsumuar apo të dokumentuar më pas. Në funksion të aksionit të tij politik, ai nuk po kursen në këto ditë të nxehta vere as pushuesit në plazhe, duke cënuar fare hapur privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve. Sështë çudi që kjo me kalimin e kohës të shndërrohet në një lloj mode dhe të na përndjekin në rrugë, në parqe, në gëzime dhe në morte, madje dhe në dhomën e gjumit!… Por gjithmonë duke u kthyer tek thelbi i artikullit, përvoja ka treguar se shtimi (mbipopullimi) i subjekteve politike me theksin tek përfaqësimi i nevojave dhe kërkesave të të gjitha shtresave të shoqërisë apo ato me sfond nacionalist, jo domosdoshmërisht ka çuar tek një performancë më e mirë, tek një rritje dhe përsosje e cilësisë së demokracisë. Përkundrazi ka rezultuar ditë pas dite në një dekurajim total të publikut, në një fragmentarizim të panevojshëm, në prishje të kohezionit social, në ndarjen në ngastra dhe parcela interesash të ngushta, ku gjuha vihet në funksion të mbytjes dhe zhbërjes së kauzave fillestare. Liderët duhet të çlirohen më së pari nga sensi i protagonizmit, të qartësojnë pikëpamjet, rolin, axhendën, misionin e tyre dhe pastaj tu bëjnë thirrje shqiptarëve për bashkim!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›