Naço, heq licencat për 11 grosistë të karburanteve
Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, vendosi sanksionin e heqjes së licencës për tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të saj, për 11 sh.a., për mosplotësim të kushteve ligjore të kapaciteteve depozituese-magazinuese
Tregu i hidrokarbureve në vend është përfshirë prej kohësh në një fushatë kontrollesh nga ana të inspektoriatit Qendror Teknik, të cilat kanë rezultuar deri me heqje licencash dhe pezullim aktiviteti. Dje Ministria e Ekonomisë ka vendosur që në mënyrë përfundimtare të heqë licencat e tregtimit me shumicë të karburanteve për 11 kompani, për faktin se nuk përmbushin kushtet ligjore, sidomos për kapacitetet e magazinimit. Mirëpo kjo masë është marrë për të disatën herë këtë vit edhe ndaj disa kompanive të tjera, por tregu i karburantit nuk ka reaguar as në drejtim të përmirësimit të cilësisë dhe as të uljes së çmimit. Burimet zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë pohuan dje se vetë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, vendosi sanksionin e heqjes së licencës për tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të saj, për 11 sh.a., për mosplotësim të kushteve ligjore të kapaciteteve depozituese-magazinuese. Vendimi i METE për sanksionin e marrë vjen pas propozimit të inspektoriatit Qendror Teknik, i cili është institucioni përgjegjës për kontrollin e tregut të hidrokarbureve. IQT, në bazë të kompetencave që i jep ligji, ka ushtruar kontroll në këto shoqëri dhe mbas përfundimit të kontrollit i ka propozuar ministrit sanksionin e heqjes së licencës, në zbatim të dispozitave të ligjit nr.8450, datë 24.02.1999 "Për Përpunimin, Transportimin dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të Tyre", të ndryshuar. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se kontrolli në këto shoqëri vjen mbasi ndaj tyre më parë ishte vendosur sanksioni i pezullimit të lejeve të tregtimit për një afat 30-ditor, afat gjatë të cilit shoqëritë duhet t’i plotësonin mangësitë e konstatuara nga ana e institucioneve kompetente. Marrja e këtyre sanksioneve është vazhdim i qëndrimit të METE për zbatimin e ligjit në këtë treg strategjik dhe shumë të ndjeshëm nga konsumatorët, me qëllim luftën ndaj informalitetit, garantimin e një furnizimi të sigurt të ekonomisë me produkte hidrokarbure, si dhe garantimin e cilësisë së produkteve që tregtohen, për të qenë në përputhje me standardet e kërkuara. Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se, nëpërmjet këtyre masave synohet gjithashtu garantimi i një konkurrence të ndershme nga operatorët e licencuar në kushtet e një tregu të hapur, të liberalizuar dhe të dominuar nga kompani private. METE garanton se do të vazhdojë punën për zbatim të ligjit për tregun e hidrokarbureve, duke luftuar informalitetin dhe çdo element tjetër negativ në ketë treg, duke i shërbyer direkt konsumatorit shqiptar për të patur një treg me standarde europiane.
Licencat janë hequr për këto kompani:
1. shoqëria "Refraktare" sh.a
2. shoqëria "Glob Oil" sh.a
3. shoqëria "Gleand Oil"sh.a
4. shoqëria "Marash Oil" sh.a
5. shoqëria "KX Petrol" sh.a
6. shoqëria "Ylli Artemis" sh.a
7. shoqëria "General Lubrifikant" sh.a
8. shoqëria "L.C" sh.a
9. shoqëria "Rom Petrol" sh.a
10. shoqëria "ER - AR" sh.a
11. shoqëria "Leksoil Elika" sh.a