E Shtunë, 31 Tetor 2026

Licenca e dytë 3G, AMC ofertën më të lartë 15.1 mln euro

Kompania e telefonisë së lëvizshme AMC pritet të shpallet zyrtarisht javën e ardhshme si fituesja e licencës së dytë 3G

Kompania e telefonisë së lëvizshme AMC është fituesja e licencës së dytë të teknologjisë 3G pas Vodafone Albania. AMC pritet të shpallet zyrtarisht fituese e kësaj licence javën e ardhshme. Ajo ka ofruar shumën më të lartë 15, 1 mln euro për licencën e dytë 3G në Shqipëri. Ndërsa kompania Eagle Mobile ofroi 12.9 mln euro. Plus mobile nuk mori pjesë në tender. Tenderi u zhvillua në ambientet e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare. Kreu i AKEP, Pirro Xhixho, konfirmoi dje se pjesëmarrëse në tender kanë qenë kompanitë AMC dhe Eagle Mobile, ndërkohë që operatori i katërt i telefonisë së lëvizshme Plus nuk ka marrë pjesë në garë. Kompania AMC ka ofruar 15.1 milionë euro për licencën e dytë 3G, ndërsa Eagle Mobile ka bërë një ofertë prej 12.9 milion euro. Pas hapjes së ofertave, AKEP do të bëjë klasifikimin e kompanive dhe pritet që fituesi të shpallet pas një jave. Ndërsa Drejtori ekzekutiv i AMC, zoti Dimitris Blatsios, në pritje të njoftimit zyrtar për kompaninë fituese, tha: “Na presin shumë ndryshime në tregun 3G. Kompania AMC do të thyejë monopolin e 3G në Shqipëri. Kemi pritur me durim mundësinë për t’i dhënë tregut shqiptar produkte, data të besueshme, dhe me kosto efektive, në bazë të teknologjisë më të përparuar 3G. Abonentët tanë kanë rrjet komunikimi të cilësisë së lartë në çdo zonë të vendit; tashmë do t’u sigurojmë internet dhe akses në data me shpejtësinë më të lartë të mundshme. Sapo ka filluar një epokë e re në telekomunikacion.”- tha ai. Gara për licencën e dytë 3G u çel në qershor të këtij viti. Çmimi dysheme i kësaj gare ishte 12.5 milionë Euro dhe kushtet ligjore e teknike ishin po ato të garës për licencën e parë 3G, që u hap në vjeshtë të vitit të kaluar, dhe u fitua nga kompania Vodafone Albania me ofertën 31.4 milionë Euro. Vodafone Albania është kompania e parë celulare që ofroi teknologjinë 3G në Shqipëri, duke u ofruar kështu klientëve të saj avantazhe konkurruese në treg si edhe eksperiencën e miliona përdoruesve në mbarë botën. Gjatë tenderit për licencën e parë 3G kompania Vodafone ofroi 31.4 milionë euro për të fituar licencën e vetme të ofrimit të shërbimeve të gjeneratës së tretë, në kohën kur oferta minimale ishte 12.5 milionë euro. Operatori i dytë Eagle Mobile bëri në atë kohë një ofertë pak më të larte sesa ajo minimale. Nga 12.5 Eagle ofroi 12.559 milionë euro. Shërbimi 3G që ofron Vodafone Albania është shpejtësi e lartë e internetit , paketat e Aksesimit për shkarkimin apo ngarkimin e linkeve me shpejtësi të lartë HSDPA deri në14,4 Mbps në të gjitha stacionet bazë si edhe HSUPA 2 Mbps.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›