Nadal e Clijsters në çerekfinale
‘Rafa Slam’ është ende gjallë, pasi Rafael Nadal mposhti Marin Cilicin 6-2, 6-4, 6-3 në Australian Open të hënën dhe ruajti shansin e tij për të fituar përnjëherë të katër Grand Slam turnetë.
Këtë nuk e ka arritur askush prej kur Rod Laver fitoi të katër titujt në kalendarin e vitit 1969. Në përballjen e zhvilluar në Melbourne Park, që mban emrin e legjendës australiane, Nadal siguroi kalimin në çerekfinale, ku do të takohet me spanjollin David Ferrer, i cili mposhti kanadezin Milos Raonic 4-6 6-2 6-3 6-4.
“Sonte nuk jam djersitur edhe aq shumë. Në dy përballjet e kaluara jam djersitur si i çmendur dhe jam ndjerë shumë i lodhur kur zhvilloja meçin. Sot ishte dita e parë që jam ndjerë shumë mirë fizikisht”, tha Nadal pas takimit. Në përballjet e tjera të meshkujve në rrethin e katërt, Alexandr Dolgopolov befasoi Robin Sonderlingun 1-6, 6-3, 6-1, 4-6, 6-2.
Në çerekfinale, Dolgopolov do të takohet me Andy Murray, i cili fitoi me lehtësi përballë Jurgen Melzer 6-3, 6-1, 6-1. Pavarësisht paraqitjes së tij të mirë, Murray nuk lejoi të kaplohet nga entuziazmi. “Nuk duhet të lejoj të ndodhë ajo. Ende nuk kam fituar njërën prej këtyre”, tha ai.
Te femrat, bartësja e tretë Kim Clijsters kaloi në çerekfinale pas fitores 7-6, 6-2 ndaj ruses Ekaterina Makarova. Bartësja e dytë, Vera Zvonareva po ashtu shkoi përpara, pasi mposhti Iveta Benesovan 6-4, 6-1.
Ajo do të takohet me Petra Kvitovan, ndërsa kampionja e US Open, Clijsters do të përballet me polaken Agnieszka Radwanska, e cila shpëtoi dy meç poenë para se të mposhtte kinezen Shuai Peng 7-5, 3-6, 7-5. “Ajo ishte e paparashikueshme”, tha Clijsters e cila është njëra prej favoriteve për titull në Australian Open.
“Është dashur të luftoj mjaft. Në setin e dytë fillova të jem më agresive. Është dashur të ngrit shkallën e paraqitjes dhe të arrij fitoren”, përfundoi ajo.
Meshkujt:
Nadal - Cilic 6-2, 6-4, 6-3
Ferrer - Raonic 4-6, 6-2, 6-3, 6-4
Dolgopolov - Soderling 1-6, 6-3, 6-1, 4-6, 6-2
Murray - Melzer 6-3, 6-1, 6-1
Femrat:
Zvonareva - Beneeova 6-4, 6-1
Kvitová - Pennetta 3-6, 6-3, 6-3
Clijsters - Makarova 7-6, 6-2
Radwanska - Peng 7-5, 3-6, 7-5