E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbollistët besnikë

Besnikëria është shumë pranë shuarjes në futbollin modern, por ajo nuk ka munguar në të kaluarën. Ueb faqja goal.com ka krijuar një top 10-she me emrat e futbollistëve të dikurshëm, por edhe disave aktualë, të cilët kurrë nuk kanë kërkuar e as nuk do të paraqesin kërkesë për largim nga klubi. Nga Express më 25 janar 2011 në ora 08:45

Në futbollin e sotëm transferimet e shpeshta të futbollistëve janë bërë lajm i zakonshëm. Mirëpo, në të kaluarën, e edhe në ditët e sotme ka ende futbollistë aktiv, të cilët kanë kaluar dekada në të njëjtin klub, ndërsa pritet edhe të pensionohen aty. Ueb faqja goal.com ka krijuar një top 10-she me emrat e futbollistëve më besnikë, të cilët kurrë nuk do të largohen nga klubi i tyre.

10. Pele (Santos)
E dimë se Pele e përfundoi karrierën e tij në New York Cosnos, por ai i qëndroi besnik Santosit për 18 vite. “Real Madridi më kërkoi së bashku me Manchester United dhe Juventusin. Në fakt, Juventus ishte afër marrëveshjes me Santosin, përfshirë përkrahjen nga FIAT. Kam menduar për të ardhur në Evropë, por në fund preferova të mbetem në klubin tim të zemrës, Santos”, kishte thënë Pele gjatë një interviste të tij më 2009 për Eurocalcio.

9. Sepp Maier (Bayern Munich)
Një portier i cili i qëndroi besnik një klubi. Sepp Mairer qëndroi në portën e Bayern Munichut për 17 vite, duke fituar tituj të ndryshëm si dhe kampionatin botëror me Kombëtaren gjermane më 1974.

8. Matthew Le Tissier (Southampton)
Le Tissier nuk e lëshoi Southamptonin. Ish partneri i tij Alan Shearer e ftoi t’i bashkojnë forcat në Blacklburn Rovers, ndërsa ishte kërkuar edhe nga Manchester United. Por, Le Tissier mbeti në Southampton për gjithë karrierën e tij dhe ishte aq i mirë saqë ylli spanjoll Xavi Hernandez e kishte idhull dhe e lavdëroi talentin e tij si “sensacional”.

7. Lev Yashin (Dynamo Moscow)
I votuar si portieri më i mirë i shekullit të 20-të, Yashim kishte marrë nofkën ‘merimanga e zezë’ për shkak të refleksit të tij të shkëlqyeshëm. Një veteran i tre kampionateve botërore, Yashim mbetet i vetmi portier që fitoi Topin e Artë. Gjithë karrierën e tij 22 vjeçare si futbollist e kaloi në Dynamo të Moskës, ndërsa kaloi edhe dy dekada të tjera në klub si zyrtar para vdekjes së tij më 1990.

6. Alessandro del Piero (Juventus)
Për t’i përfunduar karrierën Roberto Baggios në Juventus ju duhet të jeni i veçantë dhe Del Piero e demonstroi këtë në raste të shumta, pas transferimit nga Padova më 1993. Shpeshherë spekulohej me kalim në Spanjë ose Angli, por legjenda e Bianconerëve qëndroi në klub edhe në Serie B dhe pritet të përfundojë karrierën në Juventus.

5. Jan Ceulemans (Club Brugge)
Mesfushori belg Jan Ceulemans gjithë karrierën e tij e kaloi në vendlindje. Ai u transferua nga Lierse në Brucce më 1978 dhe qëndroi aty për 14 vitet e ardhshme, duke refuzuar edhe klube nga Serie A.

4. Carles Puyol (Barcelona)
Është thjesht e paimagjinueshme të flitet për Puyolin e të mos jetë në fanellë të Barcelonës. Titullar për më tepër se një dekadë, qendërmbrojtësi kërkohej nga klube të ndryshme evropiane, përfshirë Manchester United më 2003, por gjithmonë i qëndroi besnik Barcelonës, ku edhe sot vazhdon të jetë njëri prej futbollistëve kryesorë të ekipit.

3. Juan Carlos Plata (Municipal)
Sulmuesi Plata theu rekorde të shumta në Municipal dhe u shndërrua në legjendë të klubit, duke fituar 15 tituj. Atij madje iu xhirua një film dokumentar për jetën dhe karrierën e tij, ende pa u pensionuar si futbollist.

2. Ryan Giggs (Manchester United)
Ai e filloi karrierën si i ri në Manchester City, por u shndërrua në legjendë të rivalit Manchester United dhe kurrë nuk shprehu dëshirë për t’u larguar nga Old Trafford gjatë dy dekadave të deritashme të qëndrimit në klub. Me 11 tituj në ligë, me mundësi për të fituar edhe më tepër, Giggs mbetet futbollist i klasit botëror, pavarësisht moshës 37 vjeç.

1. Paolo Maldini (Milan)
Debutoi me 16 vjet, fitoi shtatë tituj në Serie A dhe pesë Kupa të Evropës. Paolo Maldini ishte gjithmonë pjesëmarrës në suksesin e Milanit në më tepër se 20 vitet e kaluara. Tifozët e klubit ende presin të shohin zhvillimin e dy djemve të tij, të cilët aktualisht paraqiten për ekipin e të rinjve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›