E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse gjykohem unë dhe sgjykohen Ksera e Bollano?

Ka cenues të Kushtetutës dhe identitetit shqiptar, që, për habi, nuk cenohen nga askush. Ata janë disa, por më i dalluar ndër ta është një farë kryetar i bashkisë së Himarës, i cili paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, por e shkel bukën sa herë del si antishqiptar i thekur. Në gjendjen civile ai kërkon që emrat e shqiptarëve të kenë një s në fund. Adresa e Himarës në internet shkruhet greqisht. Tabelat e rrugëve të Himarës i ndërroi. Kulmin e arriti me kërkesën bërë Parlamentit grek për mosratifikimin e MSA-së(!)

Një tjetër i tillë është dhe prefekti i Gjirokastrës. Dhe ky paguhet me taksat e shqiptarëve. Si mirënjohje, merr pjesë në një takim antishqiptar në Konicën tonë, që tashmë është jashtë kufirit. Gjatë këtij takimi deklaron se, unë jam prefekt i Epirit të Veriut. Dua ta pyes këtë prefekt, po jugun ku e ka Epiri?

Ishte kjo pjesëmarrje që ka irrituar banorët patriotë të fshatit Toc të Tepelenës dhe të fshatrave përreth. Këta banorë nuk mundën të kapërdinin lehtë veprimin e prefektit dhe me datë 02.06.08 u mblodhën në fshatin Toc, në një tubim paqësor. Duke marrë dhe miratimin nga policia, kërkuan shkarkimin dhe ndjekjen penale të bukëshkelurve.

Çudia më e madhe që ndodh, është se në vend që të shkarkohen dhe ndiqen penalisht këta të dy, po ndiqem penalisht unë që po ju shkruaj bashkë me banorët protestues. Më datë 14.01.09, në Tepelenë, çudia vazhdon me seancën e radhës kundër nesh. Unë akuzohem për organizim të tubimeve të paligjshme, (me leje nga policia!), sepse u mbështolla me flamurin shqiptar. Ndërsa bukëshkelurit që ngrenë flamurin grek në Shqipëri, livadhisin lirshëm.

Unë, së bashku me banorët e zonës sime, më datë 02.06.08, kemi bërë detyrën ndaj vendit tonë dhe moralit kombëtar. Dhe do ta bëjmë sa herë të jetë nevoja.

Më datë 14 janar, ora 10, ne kemi seancën e radhës. Gjykohemi sepse duam të jemi patriotë?! Me këtë gjyq u përmbushën fjalët e prefektit Spiro, që deklaroi pas protestës sonë: "Ishte tubim i paligjshëm, ata do të përballen me ligjin". Kërkojmë përkrahje, nga cilido që e ndjen veten shqiptar. Me respekt për “Shekulli”-n, Orgen Hasanbega.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›