E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, ajo që luan politikat e globit

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Luhatjet e fundit të çmimit të arit të zi janë dhe shkaktarët kryesorë të krizës së ekonomisë botërore
Përgatiti: Androkli Dralo
Në vitin 1999, çmimi i naftës luhatej në 16 $ për fuçi. Ndërsa në korrik të vitit 2008, një fuçi do të arrinte rekordin më të lartë të saj prej 147 $. Nga fundi i vitit, pasi pjesa më e madhe e botës ndjeu për herë të parë recesionin në bllok, kurba e çmimeve shënoi një rënie drastike, duke arritur në më pak se 47 $, por kjo e fundit ndodhi me një shpejtësi aq marramendëse sa "hutoi" si prodhuesit ashtu edhe konsumatorët e saj. Edhe mbas kësaj rënieje drastike të çmimit, lënda bazë e energjisë vazhdonte të shënonte shifra shumë herë më të larta krahasuar me çmimet e tregut në fillimet e një dekade më parë. Kjo vinte pasi vendet prodhuese të arit të zi kishin riformatuar ekonomitë e tyre pas humbjeve të mëdha të të ardhurave (doganore) nga nafta, dhe kjo solli që këto vende të përballeshin me një tablo të re dhe të ndryshme nga ajo që kishin hasur më parë. Shumë faktorë kanë ndikuar në ulje-ngritjet e çmimit që nga viti 1999 deri në 2008, duke përfshirë këtu dhe rritjet galopante të dy superfuqive të reja të kontinentit aziatik, Kinës dhe Indisë, por dhe paqëndrueshmërisë politike të disa vendeve që prodhojnë naftë, si Iraku apo rajoni delta në Nigeri. Këto shifra të rritjes së çmimit të naftës, sollën dhe riformatimin e detyruar të hartës politiko-ekonomike të globit, duke sfiduar dhe nocionet e vjetra të vendeve që konsideroheshin superfuqi botërore. Vendet e pasura, që me këtë ristrukturim të fundit politiko-ekonomik konsiderohen ato që zotërojnë arin e zi, bëri që të arrijnë përfitime historike pikërisht nga rritjet e kostove ekonomike dhe sociale të dy importuesve kryesorë të naftës, Kinës dhe Indisë, të cilat së bashku përbëjnë gjysmën e gjithë popullsisë së botës. Por të menaxhoje këtë rend të ri politiko-ekonomik shumë shpejt u shndërrua në një sfidë të politikës së re botërore. Vendet që kanë nevojat më të mëdha të naftës, u kacafytën me njëra–tjetrën për të siguruar dhe ato rezerva të pakta që ofroheshin në treg, dhe pse ishte diçka shumë e pahijshme dhe u shkaktonte dëme të paimagjinueshme për sa i përket imazhit. Shumë vende të varfra që zotërojnë burimet e arit të zi, nuk mundën të siguronin të ardhurat e planifikuara pasi ai që konsiderohet kanceri i zhvillimit, korrupsioni, ishte ulur këmbëkryq në këto vende me pasuri kolosale. Fondet gjigante që siguron eksporti i naftës konsiderohen nga disa qeveri të huaja perëndimore si një kërcënim i ri. Shtete si Rusia, Venezuela dhe Irani e ndjenë këtë gjë menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, në të ardhurat e përfituara nga eksporti i naftës pas këtyre politikave që vendet perëndimore nisën të ndjekin. Por këto politika dhanë rezultate krejt të kundërta për disa vende të tjera, të cilat korrën fitime të jashtëzakonshme si nga kostot ashtu edhe nga çmimet. Le të marrim shembullin e Gjermanisë, Edhe pse ky shtet importon pothuajse 100 % të naftës, ai ka pësuar rritje ekonomike nga zgjerimi i tregtisë me vende të zhvilluara si Rusia dhe shtete nga Lindja e Mesme. Shifrat e eksporteve të Gjermanisë në ish-Bashkimin Sovjetik janë rritur me 128% nga viti 2001 deri në 2006. Çmimi i lartë i gazit u shndërrua në një çështje prioritare gjatë fushatës elektorale në SHBA. Këtij problemi i kushtoi vëmendje të veçantë vetë senatori Xhon Mekein. Mekeini kishte në fokus të fushatës së tij të gjithë energjinë, madje propozoi që të hiqte dhe taksën e gazit gjatë stinës së verës në mënyrë që të stimulonte rritjen e importeve të gazit si masë për të mos rritur çmimet gjatë stinës së dimrit, atëherë kur dhe konsumi është shumë herë më i lartë. Ai gjithashtu, bëri dhe thirrje për shpime të reja brenda territorit të SHBA-ve, ndërsa kundërshtari i tij, Barak Obama, theksonte se Amerika duhet të përqëndrohej në zbulimin e burimeve alternative të energjisë. Por rritja e vrullshme e çmimit të naftës pati dhe pasoja të rënda tek prodhuesit e makinave, ku shitjet e automjeteve që vetëm për Detroitin sillnin fitime kolosale ranë në mënyrë drastike. Në këtë vend është shtuar pa masë dhe numri i drejtuesve të automjeteve duke sjellë dhe rritjen e konsumit të naftës. Pasi çmimet përgjithësisht bien gjatë stinës së vjeshtës, ngrihet pyetja që shqetëson si OPEK-un ashtu edhe prodhuesit e makinave: Nëse këto ndryshime do të riktheheshin ashtu siç ka ndodhur dhe në sezonet e mëparshme, apo kësaj here do të arrihej një marrëveshje? Anëtarët e Organizatës së Eksportit të Naftës premtuan ulje të prodhimit të naftës tri herë brenda tre muajve për të vendosur një çmim dysheme për tregun. Kjo ulje llogaritet në 4.2 milionë fuçi nafte në ditë, apo rreth 12 % të kapacitetit prodhues të tyre, një rekord për një kohë kaq të shkurtër. Në një kohë kur kriza ekonomike botërore ka arritur majat, rënia e çmimit të naftës është i vetmi lajm i mirë për konsumatorin. Çmimi i benzinës ra në 1.66 $ për litër vetëm gjatë Krishtlindjeve nga 4.11 $ që ishte në korrik. Kjo erdhi pasi makinat kanë lëvizur më pak, projektet e ndërtimit ishin pezulluar dhe nevoja për naftë ishte rritur. Kjo do të thotë se po të mbushje një serbator prej 15 litrash të duheshin 25 $ dhe jo 60 $ sa do të duheshin për të njëjtën sasi në stinën e verës.
Këto rritje trishifrore e çmimit të naftës, sollën dhe riformatimin e detyruar të hartës politiko-ekonomike të globit, duke sfiduar dhe nocionet e vjetra të vendeve që konsideroheshin superfuqi botërore.
Vendet e pasura, që me këtë ristrukturim të fundit politiko-ekonomik konsiderohen ato që zotërojnë arin e zi, bëri që të arrijnë përfitime historike pikërisht nga rritjet e kostove ekonomike dhe sociale të dy importuesve kryesorë të naftës, Kinës dhe Indisë, të cilat së bashku përbëjnë gjysmën e gjithë popullsisë së botës
Le të marrim shembullin e Gjermanisë, edhe pse ky shtet importon pothuajse 100 % të naftës, ai ka pësuar rritje ekonomike nga zgjerimi i tregtisë me vende të zhvilluara si Rusia dhe shtete nga Lindja e Mesme. Shifrat e eksporteve të Gjermanisë në ish-Bashkimin Sovjetik janë rritur me 128% nga viti 2001 deri në 2006

Çfarë është OPEK?
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) është një organizatë e përhershme ndërqeveritare e themeluar në Konferencën e Bagdadit, 10–14 shtator të vitit 1960 me pjesëmarrjen e Iranit, Irakut, Kuvajtit, Arabisë Saudite dhe Venezuelës. Këtyre pesë anëtarëve të parë iu shtuan më vonë dhe 9 shtete të tjera: Katari (1961), Indonezia (1962), e cila që nga janari i vitit 2009 ka dalë nga organizata, Libia (1962), Emiratet e Bashkuara Arabe (1967), Algjeria (1969), Nigeria (1971), Ekuadori (1973), i cili ka dalë nga organizata për 7 vite, dhjetor 1992 - tetor 2007, Angola (2007) dhe Gaboni (1975–1994). OPEK i ka patur selitë e tij në Gjenevë, (Zvicër) pesë vitet e tij të parë të ekzistencës duke u zhvendosur më pas në Vjenë, (Austri) që nga shtatori i vitit 1965.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›