E Diel, 1 Nëntor 2026

Freedom House: “Shqipëria, në vendnumëro”

Autori i Lajmit: red.
Uashington - Pas raportit të fundit të organizatës "Freedom House" Shqipëria nuk reflekton asnjë tendencë pozitive në drejtim të lirive civile dhe të të drejtave politike të saj. Kështu na vlerëson raporti i përvitshëm më i rëndësishëm monitorues i "F.H" i cili bëhet për 193 shtete të botës, në lidhje me progresin apo regresin e të drejtave civile dhe politike të të gjitha vendeve të botës. Vendi ynë vlerësohet si për liritë civile ashtu dhe për ato politike njëlloj, me tri pikë. Sistemi vlerësues i këtyre dy lirive thelbësore bëhet në bazë pikësh. Kështu, për sa u përket të drejtave politike dhe lirive civile, Shqipëria vlerësohet me tri pikë për secilën fushë ku niveli i pikëve arrin nga 1 deri në 7. Pika një paraqet vendet më të lira, ndërsa pika 7 vendet më pak të lira. Për Shqipërinë nuk ka as përmirësim dhe as përkeqësim të këtyre lirive në krahasim me vitin e kaluar. Kjo do të thotë se në kuadër të demokracisë, Shqipëria nuk ka asnjë tendencë pozitive. Raporti është bërë duke vrojtuar të gjitha zhvillimet në Shqipëri e në botë nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2008. Për sa u përket fqinjëve si Maqedonia, Serbia, apo Mali i Zi, ato janë gati në një nivel me Shqipërinë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina vlerësohet me plot katër pikë, për sa u përket të drejtave politike. Kosova duke u konsideruar një vend me konflikt territorial, vlerësohet si një vend jo i lirë. Rënie të lehtë kanë pësuar dhe Greqia dhe Italia. Këto vende kanë bërë hapa prapa në liritë civile. Po kështu, tendenca regresive kanë edhe Bulgaria dhe Maqedonia. Raporti në përgjithësi vlerëson se liria në të gjithë botën ka pësuar rënie për të tretin vit radhazi në vitin 2008.

Vlerësimet
Vlerësimet e dy lirive themelore, atyre civile dhe politike, bëhen në tri shkallë. Në shkallën e parë bëjnë pjesë vendet e vlerësuara të lira, pastaj renditen vendet pjesërisht të lira dhe shkalla e tretë është ajo e vendeve jo të lira. Ky monitorim është i përvitshëm dhe bëhet për 193 shtete të botës dhe 16 territore të strategjisë së veçantë. Për sa i përket regresit më të madh atë e shënojnë vendet afrikane të Saharasë Jugore dhe vendet e ish- Bashkimit Sovjetik. Çuditërisht raporti vlerëson me nota pozitive Azinë Jugore, e cila pavarësisht se ka kaluar një vit të vështirë ekonomik, shënon përmirësime të dukshme. Megjithatë, plot 34 vende regjistrojnë hapa prapa për sa i përket lirisë, ndërsa 14 të tjera rezultojnë të kenë rritur ndjeshëm liritë civile dhe politike. Afganistani kaloi nga një vend pjesërisht i lirë në një vend jo të lirë. Nga Evropa Perëndimore vetëm Italia dhe Greqia pësuan rënie të lehta. Numri i vendeve totalisht të lira është 89, duke pësuar kështu rënie nga raporti i vitit 2007, ndërsa ai i atyre pjesërisht të lira është 62 duke u rritur me dy vende. Dyzet e dy është numri i vendeve jo të lira, i cili është përmirësuar me një vend më pak. Këtu mund të përmendim vende si Koreja e Veriut, Turkmenistani, Uzbekistani, Libia, Sudani, Burma, Guinea Ekuatoriale dhe Somalia. Lidhur me progresin e shënuar nga Azia Jugore ai vjen nga vende si Pakistani, Maldivet, Butani, por edhe vende si Nepali, Kashmiri, Malajzia dhe Tajlanda. Kina pësoi rënie për shkak të cenimit të të drejtave të njeriut e veçanërisht të konstatuara gjatë Lojërave Olimpike. Vendet joballtike të ish-Bashkimit Sovjetik vazhduan dhe për këtë vit të shënojnë regres. Rusisë dhe Gjeorgjisë i kanë kushtuar shumë luftërat e verës së shkuar. Për sa i përket Evropës Qendrore dhe Lindore, demokracia është ende e fortë përveç përfaqësimeve nga dy vende si Bullgaria dhe Maqedonia. Të veçanta konsiderohen hapat para që ka bërë Iraku në drejtim të uljes së dhunës, por jo pak surprizuese ka qenë dhe shqetësimet e ngritura për lirinë e shprehjes në vende me demokraci të konsoliduar si Kanadaja dhe Britania e Madhe.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›