Rrëmbyen atë e bir, arrestohen pengmarrësit
Rrëmbyen atë e bir, arrestohen pengmarrësit
Shkak, largimi nga shtëpia i vajzës së pengmarrësit, i cili dyshonte se fajtor për këtë ishte Arhenc Jorgji
KUÇOVË-Zhdukja e vajzës pas një sherri në familje dhe bindja se për vendndodhjen e saj kishte gisht djali me të cilin ajo shoqërohej ka qenë shkaku i pengmarrjes së dy shtetasve. Babë e bir në Kuçovë u morën peng nga babai i vajzës së zhdukur, ndihmuar nga 5 pjesëtarët e tjerë të fisit. Një aventurë që zgjati rreth 4 orë dhe përfundoi me lirimin e dy pengjeve dhe prangosjen e pengmarrësve. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kuçovës, mesnatën e së premtesarrestuan Xhevit Nuhun, 51-vjeç dhe nipin e tij Florian Nuhu, 22-vjeç. Më pas, në pranga ranë edhe 4 pengmarrësit e tjerë të të njëjtit fis.
“Dy shtetasit akuzohen për pengmarrjen e Kristaq Jorgjit, 56-vjeç dhe djalit të tij, Arhencit 20-vjeç”- thanë burimet policore. Shpëtim është bërë ndërhyrja e policisë, sinjalizuar nga një shok i Arhencit, pas një mesazhi që ky i fundit kishte mundur të shkruante nxitimthi. “I shkrova sms një shoku, ku i thashë për vendin dhe që isha i lidhur”- tregon Arhenci.
Ngjarja
Pengmarrja e planifikuar që më parë nisi në orën 19.30 të së premtes, kur Xheviti, së bashku me 5 pjesëtarë të tjerë të familjes e fisit të tij janë takuar në sheshin e qytetit me 56-vjeçarin Kristaq Jorgji. Atij i kanë kërkuar një sqarim rreth një problemi që kishte lidhje me djalin e tij Arhencin, ndaj kanë dashur edhe praninë e djalit. “Më thanë të thërrisja djalin për një sqarim dhe duke qenë bashkëqytetarë mendova se nuk ka asgjë të keqe, ndaj e thërrita djalin në telefon që të vinte urgjent”,- tregon pas lirimit, Xheviti. Sipas dëshmisë që ka dhënë edhe në polici, ata janë futur në një furgon, pronë e Kristaq Jorgjit, me justifikimin se do të sqaroheshin në një kafe jashtë qytetit. Pas hipjes në furgon, ata kanë ndjerë se diçka nuk shkonte, kur makina ka marrë rrugën në afërsi të lumit “Devoll”. Në këtë kohë, sipas policisë, furgoni me pengjet është diktuar nga të afërm të tyre, të cilët i janë vënë nga pas. Pengmarrësit, të cilët e kishin parë automjetin që po i ndiqte dhe kishin njohur edhe pasagjerët që ndodheshin në të kanë devijuar rrugë dhe janë nisur në drejtim të Urës-Vajgurore, e më pas për në fshatin Pashalli. Destinacioni ka qenë rezervuari i fshatit Mbjeshovë, rreth 30 km larg në jug të qytetit të Kuçovës. Të afërmit e dy pengjeve, pasi nuk kanë mundur dot të identifikojnë drejtimin në të cilin ecte furgoni dhe pasi kanë parë që celularët e familjarëve të tyre tashmë rezultonin të fikur kanë njoftuar menjëherë policinë për këtë pengmarrje.
Policia
Pas njoftimit, policia ka nisur kontrollin në gjithë qytetin dhe rrethinat e tij dhe ka rënë në gjurmë të pengmarrësve. “U identifikuan familjet e përfshira në ngjarje, Jorgji e Nuhu të dyja banuese në të njëjtën lagje “Llukan Prifti”- thanë burimet policore, që pranojnë se janë ndihmuar nga mesazhi telefonik i pengut, që i kërkonte ndihmë shokut të tij, duke i treguar vendin ku ndodheshin. Kaq është dashur që brenda një kohe të shkurtër policia të ishte në vendin e ngjarjes. Pengmarrësit, Xhevit Nuhu dhe nipi, Floriani janë arrestuar; janë liruar pengjet, atë e bir dhe më vonë janë prangosur edhe të tjerët. Ndonëse ngjarja është në hetim, bëhet fjalë për një pengmarrje që ka në bazë të lidhje dashurie. Kjo pistë, në fakt është mohuar prerë nga djali 20-vjeçar. “Kam pasur njohje miqësie me vajzën, por jo lidhje intime”- tregon Arhenci, 20-vjeçar. Gjithsesi çështja është në hetim dhe priten të tjera detaje për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia ka bërë edhe bllokimin e makinës me targat KV112 B. Materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme. Zhdukja e 17-vjeçares
Vajza u largua me 1 milion lekë
Sipas burimeve policore, pengmarrësit Xhevit Nuhu i është larguar vajza nga shtëpia mëngjesin e së premtes. Mësohet se vajza, 17-vjeçare është nxënësve në gjimnaz dhe është larguar nga shtëpia pas një debati me prindërit. I ati i saj, pretendon se vajza kishte një lidhje dashurie me Arhenc Jorgjin, madje për këtë largim të saj ka pasur gisht pikërisht 20-vjeçari. Sipas policisë ai ka deklaruar se djali e ka ndihmuar të largohej nga shtëpia dhe e ka strehuar në ndonjë banesë tjetër në qytet. Për këtë edhe e ka shtrënguar që të flasë, duke e rrëmbyer bashkë me të atin. Në kohën që vajza është larguar nga shtëpia, familja nuk është shqetësuar, por kur ajo nuk po kthehej më, ata janë bërë merak dhe të bindur, kanë vendosur ta zgjidhin vetë problemin. “Ai ka deponuar në polici se vajza i është larguar nga shtëpia, pas një zënke që ka ndodhur mes tyre si dhe pasi ai kishte vënë dorë mbi të”- thonë burimet policore. Sipas policisë, vajza ka marrë me vete edhe një 1 milion lekë(të vjetra) pa dijeninë e prindërve.
Intervista
“Më lidhën këmbë e duar me lidhëset e atleteve”
Mund të na tregoni si ndodhi ngjarja?
Isha në qendër të qytetit kur babai më mori në telefon dhe më tha ta takoja se duhet të sqaronim diçka. Mbërrita dhe kuptova nga fytyra e babait se bëhej fjalë për ndonjë gjë me rëndësi. Një burrë me mustaqe më urdhëroi të hipja në furgon dhe unë e babai u bindëm, pasi na thanë se do të sqaroheshim në një kafene jashtë qytetit.
Për ku u drejtuat ?
Ecën gati 1 km dhe u drejtuam nga lumi Devoll. Ishte errur dhe fillova të kisha frikë, por babai më tha se gjithçka ishte në rregull, pasi kishte biseduar ai më parë me ata që kërkonin sqarime. Në kohën që furgoni ndaloi, ai burri më qëlloi dhe më pas dolën edhe 3-4 vetë të tjerë nga furgoni. Ata më kërcënuan me vrasje. Më thanë të tregoja se çfarë kishte ndodhur mes meje dhe vajzës së tij dhe ku ishte ajo. Unë i thashë vetëm që vajzën e njoh dhe kam shoqëri të zakonshme, por jo lidhje intime. Në atë kohë një makinë që vinte, na pa dhe pengmarrësit u frikësuan. Na hipën sërish në makinë dhe u nisëm për tjetër drejtim.
Çfarë ndodhi më pas ?
Makina mori rrugën e Perondisë dhe më pas drejt Urës Vajgurore për në një fshat që në fillim nuk i dija as emrin. Makina ecte drejt një mali dhe rruga ndriçohej vetëm nga dritat e makinës. Aty ndaluam. Nisën fyerjet dhe presionet ndaj meje. Donin me çdo kusht vajzën, për të cilën unë nuk dija gjë. Nuk më besonin dhe më qëllonin me mjete të forta në duar, pas qafës, kokë e ku të mundnin. Ishte errësirë dhe nuk e shihnim njëri-tjetrin. Unë dhe babai nisëm të bërtisnim. Trego ose do të hedhim në rezervuarin e Mbjeshovës, më thanë. Aty mësova dhe emrin e fshatit ku ishim. Nga goditjet unë ula përmbys dhe nuk di me çfarë guximi kam shkruar një sms që ia kam nisur një shoku. I kërkoja të thërriste policinë dhe të vinte në këtë fshat.
Zgjati edhe shumë pas kësaj ?
Po, në këtë kohë, më hoqën lidhëset e atleteve dhe më lidhën këmbët e duart, duke më bërë prapë presion. Por unë prisja mbërritjen e policisë, i bindur se do të vinte, ndaj bëja si bëja dhe duroja. Burri me mustaqe bëri një telefonatë dhe pas kësaj, makina u nis. Mund të kemi udhëtuar 40 min, pastaj përballë na doli policia.
Aty mori fund ankthi im dhe i babait tim.
Ti e njihje vajzën?
Po e njihja, por nuk kisha asnjë marrëdhënie imtime me të. Unë i kam në lagje, por njerëzit e saj nuk i njihja.
Është e vërtetë që i ke marrë lekë asaj?
Po ju them se unë nuk kisha gjë me atë vajzë.
Bisedoi S.Gozhina
Pengmarrësit e arrestuar
1- Xhevit Nuhu 51 vjeç
2- Tomorr Nuhu 47 vjeç
3- Ervis Nuhu 27 vjeç
4- Dorjan Nuhu 20 vjeç
5- Florian Nuhu 22 vjeç
6- Anteho Miho 19 vjeç