E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta dhe benzina, dje çmimi u ul me 5 lekë për litër

SHKRUAN: Blerina Hoxha 20-05-2011 10:55

Çmimi i naftës në pikat e pakicës është ulur që nga dje në disa pika, ulje që do të vijojë edhe sot, me 5 lekë për litër. Me ndryshimin e fundit, çmimi i një litre naftë arriti në 168, nga 173 lekë për litër, ndërsa çmimi i benzinës 95 oktanë arriti në 169 lekë, nga 174 lekë për litër që ishte përpara pak ditësh. Ndryshimi i çmimit është konfirmuar tashmë në disa pika të shitjes me pakicë dhe gjithashtu është njoftuar edhe nga saiti në internet i shoqatës së hidrokarbureve në vendin tonë. Burime nga shoqata njoftojnë se, vonesa justifikohet pjesërisht me stokun aktual që kishin pikat e karburantit, i cili ishte blerë gjatë kohës kur çmimet ishin të larta në bursë. Por ulja e çmimit të naftës ka vazhduar edhe dje në bursa, ku çmimi i një fuçie naftë ka shënuar 98 dollarë, me një ulje një dollar, në krahasim me një ditë më parë. Ndërkohë që rënia në total është më shumë se, 20 dollarë për fuqi gjatë këtij viti. Duke marrë në konsideratë këto zhvillime në tregun ndërkombëtar, tregut vendas i mbetet ende për të reaguar në këtë drejtim. Që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, çmimet e naftës në vendin tonë janë rritur me mbi 50 për qind, të ndikuara edhe nga kursi i këmbimit të këmbimit të lekut me dollarin dhe euron. Ndërkohë që grositët kanë argumentuar pak kohë më parë se, niveli i taksave ndaj karburanteve në vendin tonë është shumë i lartë dhe ka ardhur në rritje nga viti në vit. Kështu, me rritjen e çmimit në bursa në mënyrë progresive, rriten edhe taksat që importuesit duhet t’i paguajnë doganave. Ndërsa pak kohë më parë, në një letër të hapur grositët i kanë kërkuar Ministrisë së Financave, të ndryshojnë në mënyrë urgjente disa udhëzime që kanë të bëjnë me rregullimin e tregut të karburantëve, për shkak se, ato tashme janë të pavlefshme që kur zinxhiri i tregtimit të këtij sektori është fiskalizuar. Shoqata e Hidrokarbureve argumenton se, “funksionimi dhe përcaktimi i çmimit ka sjellë përplasjen e subjekteve tona edhe me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës, i cili e quan çmim monopol, përcaktimin e çmimit në mënyrë vertikale nga pak furnizues në drejtim të konsumatorëve finalë”, sqarojnë në letrën e tyre drejtuar Bodes, grositët. “Duam të shpjegojmë se, në kushtet kur ka rritje çmimesh, ky kuadër ligjor ekzistues lë shteg për propagandë abuzive, sikur rritja e çmimeve vjen nga kjo e drejtë që u është dhënë importuesve e prodhuesve në caktimin e çmimit në mënyrë vertikale”, kanë shpjeguar ata. Në raportin e publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, pak ditë më parë, vlerësohet se konsumi në mesatare do të jetë 1.29 milionë fuçi në ditë dhe vlera është më e ulët nga parashikimi i mëparshëm për 1.43 milionë fuçi në ditë. Në këtë reduktim të konsumit ditor global, agjencia përmendi vlerat e larta të çmimit të naftës bruto si dhe normën më të ulët të rritjes së ekonomive në zhvillim. Në raportin e përmuajshëm, agjencia me bazë në Paris tha se pavarësisht rritjes së kërkesës në raport me vitin e kaluar, tashmë vlerësohet se konsumi do të jetë shumë i lidhur me çmimin e naftës në pikat e shitjes me pakicë dhe kjo është e vlefshme në Amerikën e Veriut. Analistët thanë se, shqetësimet për masën e rritjes së ekonomisë globale po ndikojnë në reduktimin e vlerave të metaleve të çmuara dhe të spektrit të gjerë të mineraleve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›