OPEC në prag të takimit, Irani kundër rritjes së prodhimit
Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, planifikon të marrë pjesë në mbledhjen e radhës së OPEC, që do mbahet më 8 maj, me synimin për të kundërshtuar çdo tentativë të Arabisë Saudite për të rritur kuotat e prodhimit të grupit, në funksion të reduktimit të çmimit të naftës në treg. Irani është prodhuesi i dytë në mesin e anëtarëve të OPEC dhe mban presidencës e radhës së kartelit të arit të zi. Irani është i përfshirë në konflikt me perëndimin, në lidhje me programet e tij të energjisë bërthamore. Normalisht Irani është edhe avokati më i madh për rritjen e çmimit të naftës, në kontrast me prodhuesin e parë të OPEC, Arabinë Saudite. Në koment të lajmit, analistët thanë se ai do të shkaktojë shumë trazira në tregje, në momentin që nafta në Shtetet e Bashkuara, konsumatori i parë i energjisë në botë, shitet me 4 dollarë për galon. Analistët thonë se ai synon të ekspozojë retorikën e tij anti amerikane dhe anti perëndimore dhe të bëjë të mundur bllokimin e rritjes së kuotave të prodhimit në masën që do të reduktojnë edhe çmimin e naftës në treg. Interesi i lartë i mediave, humbja e furnizimit botëror nga lufta në Libi dhe çmimi i naftës përmbi 100 dollarë për fuçi, besohet se do të nxehin takimin e 8 Qershorit në Vjenë, kundrejt traditës së mbledhjeve rutinë. Niveli aktual i kuotave të OPEC është vendosur në mbledhjen e dhjetorit të 2008 për të rritur çmimin e naftës që nga kulmi 147 dollarë ra në fundi e atij viti në 34 dollarë për fuçi. Që nga ai moment zyrtarisht karteli nuk i ka rritur asnjëherë kuotat. Por në mënyrë të pavarur, Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë rritur kuotat e prodhimit, duke dëmtuar seriozitetin e organizatës. OPEC është akronim për "Organization of the Petroleum Exporting Countries" (Organizata e Shteteve Naftë-Eksportuese). Ajo u themelua më 14 shtator 1960 në Bagdad (Irak). Që prej vitit 1965 e ka qendrën në Vjenë. Anëtarët e parë ishin Irani, Iraku, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Venezuela. Më vonë ju bashkangjitën edhe Katari, Indonezia, Libia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjeria dhe Nigeria. Ekuadori ishte anëtare prej vitit 1973, deri më 1992, kurse Gaboni ishte anëtare prej vitit 1975 deri më 1994. Shtetet e OPEC-ut prodhojnë 40% të naftës në mbarë botën dhe zotërojnë 3/4 e rezervave të naftës botërore.